Zyrafete Kryeziu-Manaj dhe Vasha e valëve

Kultura

Zyrafete Kryeziu-Manaj dhe Vasha e valëve

Nga: Viron Kona Më: 14 qershor 2022 Në ora: 11:12
Viron Kona

“Yjeve gjumin do t`ua nxjerr,

Që rrugën sërish ta bëjmë bashkë!”

Vëllimi poetik “Vasha e valëve” për të cilin po shkruaj është i vitit 2010, i botuar nga “Fidani”, Prizren. E kam në bibliotekën time prej rreth 10 vjetësh dhe, ja sot erdhi koha të shkruaj për këtë vëllim. Kjo është letërsia. Libri i mirë, duket sikur fle nëpër rrafte, por edhe i heshtur ai rrezaton, tek ai të shkon mendja hërëpashere. Këta lloje librash vjetërohen më shumë dhe më shpejt, madje edhe zhubrosen, ngaqë merren shpesh herë në duar, disa lexues lënë edhe shënime në faqet e librave që pëlqejnë, për gjëra që u bëjnë përshtypje. Kur më shkoi mendja që të shkruaj, pashë se edhe unë kisha lënë te “Vasha e valëve” disa shënime...

Zyrafetja ka një jetë interesante. Pasi kreu studimet e larta në Prishtinë, ajo shërbeu në shkollën e vendlindjes dhe në shkollat e Gllarevës (Klinë) e Gadimes (Lipjan). Ishte koha e pushtimit të egër serb, kur nga pushtuesi vëzhgohej me himtësi çdo ndjenjë atdhetare e rinisë shqiptare për liri e pavarësi. Regjimi e ndoqi Zyrafeten hap pas hapi për prirjet dhe aktivitetin e saj për lirinë e Kosovës. Në vitin 1982 e arrestoi, pikërisht kur ajo ndodhej në orën e mësimit.

Për nxënësit, një mësuese është një hyjneshë, por pushtuesit – përbindësh as që donin t`ia dinin. E arrestuan dhe e burgosën. Zyrafetja mbajti qëndrim trimëror edhe në hetuesi e burgim, por dashurinë e saj për Kosovën dhe lirinë ajo i shprehu kurdoherë, edhe gjatë veprimtarisë së saj krijuese në Kosovë dhe më pas në mërgim, në Suedi, ku jeton edhe sot.

Vëllimin e parë poetik e botoi në Tiranë, në vitin 2001, pastaj erdhën vëllimet e tjera njëri më mbresëlënës nga tjetri. Edhe në shënimet që kisha lënë vite më parë, edhe sot, mendoj se Zyrafetja është vetvetja, poezia e saj ka origjinalitet dhe freski, shpreh mesazhe të ndjera jete, mbresa dhe emocione, ndjenja të gëzimit, të dëshpërimit, të mallit, brenga dhe, të gjitha, të shkruara me talent, me bukuri artistike, herë-herë tronditëse dhe me një gjuhë poetike ku ndrit një figuracion brilant.

 

Ja, po lexoj poezinë “Po të jem ndryshe”. Në strofën e tretë, ajo shkruan: ”Fjala e guri bartin peshë,/Nuk dobësohen nëpër vite,/Kam droje se besa më vret,/Po të jem pak më ndryshe.” Shfletoj librin dhe i kthehem poezisë së parë, duhet nisur nga e para ky libër, ka shumë e shumë gjëra që na thotë kjo poete mendimtare, të cilën emocioni dhe ndjenja e luftëtares, ndjenja e lirisë, ndjenja e së mirës e bashkëshoqëron, e motivon të shprehet, të mbrojë të drejtat dhe liritë njerëzore, sepse ajo e do jetën të pastër dhe pa ato dhembje që shkakton keqdashja, shtypja e të drejtave, shtypja e lirisë, zhgënjimi, e që ajo i shpreh me shqetësim poetik te ”Apoteoza e misrit në shekullin XXI”: “Shekulli XXI,/-Sërish duar të shtrira,/-Në kohë interneti.” Dhe në përfundim të poezisë, shkruan: ”Shpirti im,/Pjesë e dhembjes suaj,/Do të jetë,/Deri atëherë,/Kur ndër sy,/Lotin s`ua shoh”.

Poezia, jo vetëm për poetin, por edhe për çdo lexues është një princeshë tërheqëse, e stolisur me figura letrare e, sidomos me metafora: ”Dikur pranverat flinin,/Në qepallat e tua,/Hëna ta lakmonte,/Harkun vetullor.”(Poezia “Në qepallat e tua”). Dhe poetesha vijon e shkruan, vëllimi shfletohet ngadalë, sepse ti lexon, mediton, i kthehesh përsëri vargjeve që i ke lexuar më parë dhe nxitesh nga dëshira t`i lexosh përsëri. Po mendoj se trëndafili ka aromë, mjalti ka ëmbëlsi, uji shuan etjen dhe krijon gjallëri të trupit e freski. Po loti? Loti i hidhur, çfarë shkakton? Ja, po lexoj poezinë “Lot i thyer”: “Një mijë copë/Loti mu thye,/M`u shpërnda/Në shumë anë,/Dhe çdo grimë/E pjesëve të tij,/Në një dhembje/-Përfundon.”

Poetët janë interesant, kanë të veçantat e tyre, ndeshen me mendimet, luftojnë, përleshen me to, kërkojnë nga vetja më shumë dritë t`i ndriçojnë ato që imagjinojnë, që përfytyrojnë dhe shpesh herë ja dalin. E, në prirjen e tyre poetike ata janë edhe filozofë, ata e duan filozofinë sepse edhe “luajnë” me të, me përfundimet e saj, objektive dhe subjektive,materialiste dhe idealiste, me të vërtetat dhe të pavërtetat; filozofët shprehen me fraza, kurse poetët shprehen me figura, me metafora, ku zhvendosen vetitë e një objekti te një objekt tjetër; nga sendet, vetitë zhvendosen te njeriu dhe anasjelltas... Zyrafetja ia del, e kap mendimin, e imagjinon dhe i gjen fjalët e duhura (“Të gjesh fjalën e duhur” - thoshte Floberi). Ajo e gjen fjalën e duhur te gjuha e bukur shqipe, te gjuha e saj poetike, që mban brenda saj mendimin e bukur,(siç mban guaska - margaritarin), mendimin që të drithëron, që të bën të meditosh. Poezinë “Portret anonim”, poetesha e mbyll me tri vargje:”Në dritën e syve të tu/Gjeti shprehjen/Dorë e piktorit”. Dhe, mendimi poetik çan më tej, ai vijon rrugën në mënyrë të figurshme, ai “orientim” nuk kërcet, përkundrazi të bën t`i rikthehesh vargjeve. Te poezia “Fat i vrarë”, poetesha shkruan: ”Shpirtin tënd/Mos e ndryj!/Zhvishe!/Se heshtja/Nëpër ditë/Mund të jetë/ Fat i varë./Kohën duhet ta kapësh/Që errësira/Mos ta gllabërojë/Këndin e ndritur/Të jetës sate.”

Kurse dashurinë për atdheun, potesha e shpreh me një bukuri artistike, që do të bënte xhelozë shumë poetë; është shprehja e dashurisë poetike për një atdhe të dhembshur (mëmëdhe dhe atëdhe), që ka ditur t`u qëndrojë mijëvjeçarëve, me krenari dhe madhështi malesh, me ajër të pastër, me fuqi dhe dritë të pasosur e tërheqëse për bijtë që i ka larg, teksa, poetesha, brengën dhe mallin e saj për atdheun, por dhe besimin se një ditë do të jetë atje përsëri, e shpreh me shumë origjinalitet te poezia”Kah toka ime”:

“Do të vijë bashkë me erën/Si poleni në pranverë/Ëndrrat e thyera/Të lotit copë/Një nga një dua t`i mbledh!/Rrugën rrezeve do t`ua gjej/Heshtjen do ta shkund përditë/S`do lë shkëmb as breg as vend/Për pa shkel mbi to sërish!/Erërave dehjen do t`ua vjel/çdo ditë pak nga pak/Yjeve gjumin do t`ua nxjerr/Që rrugën sërish ta bëjmë bashkë!” Këtë dashuri dhe mallin e saj për atdheun, të cilin ajo e ka larg e që e përjeton përditë në jetën dhe në ëndrrat e saj, poetesha e shpreh mënyrë shumë mbresëlënëse edhe te vargjet:”Atje pranë teje/Dua të kthehem,/Shpirtit prehje t`i gjej!”

Kemi dhe një poezi për lisin në këtë vëllim. Në fakt, për lisin, rrapin, mështeknën, bredhin, për shumë drurë të tjerë është shkruar figurshëm dhe bukur nga shumë autorë, edhe në prozë, edhe në poezi, por vizioni poetik i Zyrafetes, shfaqet më i plotë, aq më tepër që ai përcillet tek lexuesi rrjedhshëm dhe me elokuencë. Lisi për poeten është legjendar, historik, ai shpreh qëndresë, jetë, madhështi, por edhe bukuri e ardhmëri: ”Ti shtrëngatë/Përcolle/Në kohëra/Furtunë./Nëpër histori/Rrënjët lëshove,/Kurorëgjerë u bëre. /Nën hijen tënde,/Dashuritë/Zjarrin fiknin/E zogjtë/Lojën fillonin/Nga e para.”

Zyrafetja është një poete që shprehet hapur dhe pa paragjykime, ajo i flet së ardhmes, të drejtave të gjithkujt në jetë, të drejtave të femrave, që në Kosovën e saj dikur i ka parë edhe të ndrydhura, të rrethuara nga gardhe paragjykimesh. Kurse në vendin ku ajo jeton, në Suedi, liritë dhe të drejtat femërore, kanë hapësira si qielli, femra në atë vend të bekuar respektohet siç i takon, ka vendin e saj të parë. Duket se atje zbatohet në jetë ajo që na ka lënë amanet prej kohësh Sami Frashëri ynë i madh: ”T`i japësh arsim një burri do të thotë të mbjellësh një pemë që lëshon vetëm hije, kurse të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë, që përveç hijes, jep edhe një pemë”. Ky është vlerësimi real i femrës, i vajzës, i gruas, i nënës. Por Zyrafetja ndalon edhe te bukuria e femrës, te vetia e saj natyrore, ajo krijon artistikisht një lidhje harmonike mes bukurisë së femrës dhe bukurisë së hënës, i harmonizon ato si simbole të bukurisë poetike. Poetët i kanë kënduar shpesh dhe i këndojnë hënës, duke e cilësuar atë simbol të bukurisë, simbol të dritës së ëmbël. Të dashurit e shohin hënën si një dritë-pasqyrë që ndodhet ndërmjet tyre. Vajza sheh hënën dhe psherëtin ëmbël: “Edhe ai po sheh hënën dhe po mendon për mua!” Edhe i dashuri i saj, sheh hënën dhe i shkon në mendje tek e dashura. Poetesha Zyrafete, krijon edhe një tjetër mendim të bukur poetik, ajo ndien nevojën që hënën ta zbukurojë më shumë dhe, ky zbukurim mund të bëhet më i plotë nëse hëna merr diçka nga bukuria femërore. Te poezia ”Nëpër rrugët e jetës”, në strofën e tretë ajo shkruan: ”Cucën e luta/T`ma fal harkun vetullhollë/Hënës t`ia jap për shoqe,/Që bukuritë t`gërshetohen/Në horizont”.

Në vazhdim poetja i kushton vargje Adem Jasharit: ”Mbi legjenda/Legjendë ngrite”; thur vargje për mërgimtarin:”Urinë mundi/Me mallin zjarr,/Sakrificë e jetë/të dyja bashkë”; thur vargje për nënën e dëshmorit, kur ajo mban në duar librin që flet për birin e saj të dashur. Një gjetje kjo origjinale, tërheqëse, e dhimbshme, fisnike, por që zgjon më shumë krenari, më shumë dashuri:”Ajo shtrëngonte fort librin,/Rreshtat, fjalët,/Sikur në kraharor/Të kishte ty/Ta falte krejt dashurinë”.

Në këtë vëllim poetik, Zyrafetja i ngre monument poetik dëshmores së lirisë, ish ministres së jashtme të Suedisë Ana Lind, e cila u vra barbarisht nga një gjakatar serb, sepse përkrahte çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk e di pse, por, sa herë që kam shkuar në qytetin suedez Borås të Suedisë dhe kam vizituar memorialin kushtuar Ana Lind, kam sjellë në kujtesë edhe poezinë e Zyrafetes, e, sidomos vargjet tronditëse: ”Unë nga dheu i Ballkanit erdha/Trishtimin për ta fshi,/Por sa e trishtuar këtë ditë u ndjeva/Kur krimi të vrau ty!!!” Po aq shumë tronditëse është edhe poezia “Hienat”, ku potesha shpreh urrejtjen e grumbulluar në shpirtin e saj të pastër kundër mizorive serbe në Kosovë. Shpirti i poeteshës vlon si vullkan ndaj krimeve të kryera, ajo demaskon dhe u çjerr maskat përbindëshave - kriminelëve, gjakësorëve: ”Kur hienat kafshonin diellin/Neve na akuzonin për fjalën e lirë!.../Në emër të lirisë na vritnin/Në emër të popullit,/Popullin shtypnin!/Dhe gjenin shkas torturë t`i bënin/E nga shumë kate pastaj i hidhnin!!!/Për të thënë se po vetvriteshin...”.

Ka origjinalitet dhe ritëm poezia ”Pa të nuk mund të më lënë”, teksa brendia e saj është shumë shprehëse dhe me simbolikë të fuqishme. Poetesha, në këtë poezi i ngre himn dashurisë, duke e vendosur atë në piedestalin e merituar, si një ndjenjë të fuqishme njerëzore, që përballon gjithçka. Këtë e ndiejnë të gjithë njerëzit, sepse në jetë dashuria ka hapësira të pakufishme, qiellore. Atë, as e ndalon, as e burgos. Çdo njeri e ndjen dashurinë, por jo të gjithë mund ta shprehin me fjalë, kurse poetesha di edhe të përdorë figurën e duhur poetike dhe ta shprehë në mënyrë joshëse, tërheqëse. Na duket sikur i ngjitemi një mali të lartë dhe pastaj atje befasohemi me zjarrin e një vullkani të fuqishëm që ngre flakët mbi gjithçka. Dhe poetesha krijon vargje të tilla të figurshme:”Jetën dhe mund të ma marrin/Dritën mund të ma zënë/Shpirtit torturë mund të m`i bëjnë/Pa dashuri nuk mund të më lënë./Mund edhe tokën të ma shkelin/Mund edhe erërat të m`i përzënë/Mund eedhe lumit kahjen t`i ndërrojnë/Pa dashuri nuk mund të më lënë./Mund edhe retë mbi qiell t`i zhdukin/Shiut turrin edhe ia ndalin/Mund edhe Hënës t`i bëjnë naze/Dashurinë nuk mund të ma marrin”.

Është e ndjerë poezia kushtuar Ullmar Kvikut, mikut të madh të shqiptarëve në Suedi, këtij suedezi me zemër dhe shpirt të bukur, që e do kaq shumë kombin shqiptar, që i është përkushtuar me mendime, poezi, përkthime, libra, por dhe në përditshmërinë e tij, sikurse në miqësinë e përhershme që shpërndan aroma dhe fllade pranverore. Zyrafetja poete na shfaq thelbin e shpirtit dhe të zemrës së tij: ”Përmbi gjuhë/Përmbi kombe/Përmbi raca/Tek ti është njerëzorja./Përmbi fe,/Përmbi kulte,/Mbi të gjitha/Tek Ti është mirësia./Me t`mirën,/Me njerëzoren tok u rrite,/Prandaj mendja,/Zemra jote/Sheh veç dritën.”

Thellësisht atdhetare dhe e drejtpërdrejtë është poezia ”Lindja e nipit”, ku shprehet dashuria për gjuhën shqipe dhe atdheun, për trashëgiminë që na mban gjallë dhe që kemi merakun e madh ta përcjellim në breza. Si një kambanë bie kjo poezi për ata që, pavarësisht kushteve të vështira, lënë pas dore mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët në mërgim. Gjithnjë ky ka qenë një preokupim shqiptar, jo vetëm i elitave intelektuale, por edhe i njerëzve të thjeshtë, që dëshirojnë që fëmijët në mërgim të flasin dhe të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe. Këtë merak e shpreh edhe poetesha, në këshillat që i jep së bijës përmes vargjeve të shkëlqyer: ” I thashë/Bijo/Shkronjën e parë/Shqip mësoja!/Edhe ninullën/ Këndoja në shqip!/Shtrojë ta ket/Gjuhën tonë!/Abetarja mbulesë/Të jetë-çdo ditë/...Gjaku e gjuha/ E arbrit të lashtë/Janë pasaportë/ E vendit të tij!”

Mbyllje:

Poetesha e di detyrën e saj, e di që poetët shprehen me fjalë zemre e shpirti, e di që poezia e vërtetë buron nga zemra e poetit dhe i drejtohet zemrave të lexuesve. Ja si shkruan ajo në poezinë “Çiltërsi”: ”U mundova/Të jem/E çiltër/Ndaj Diellit,/Ndaj hënës,/Ndaj shiut pse jo./Nuk e di/A ia arrita?!/Për këtë/Le të flasin/Vargjet.”

Dhe vargjet folën, edhe në këtë vëllim poetik të shkruar me shumë dashuri, me shumë ndjenjë, art dhe bukuri artistike. Urime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat