Themelohet dega e LSHK-së në Kastriot

Kultura

Themelohet dega e LSHK-së në Kastriot

Nga: Ahmet Pllana Më: 18 qershor 2022 Në ora: 06:26
Ahmet Pllana

Në Kastriot të premtën, 17 qershor 2022, u mbajt tubimi konsultativ për themelimin e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) në Kastriot. Në këtë mbledhje Fadil Curri, poet nga Kastrioti, e paraqiti iniciativën e tij për themelimin e Degës së LSHK-së, të cilën iniciativë e përkrahën të gjithë të pranishmit njëzëri.

Ramë Oraca, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), tha se kjo iniciativë është e mirëseardhur. Ne në Podujevë e kemi themeluar Degën e LSHK-së në vitin 2019 dhe kemi zhvilluar disa aktivitete. Kemi kontaktuar me shkollat fillore të ulëta të mesme dhe të mesme të larta për gjetjen dhe tërheqjen e talentëve. E përgëzoj Fadil Currin për iniciativën e themelimit të Degës së LSHK-së në Kastriot. Jeni të mirëseardhur edhe në Podujevë. Ju përgëzoj dhe ju uroj suksese, tha Oraca.

Fadil Curri tha se Kastrioti gjithmonë ka qenë vatër e kulturës, sidomos asaj poetike, qysh para gjysmë shekulli, para 52 vitesh, kur në vitin 1970 është formuar Klubi Letrar “Lulëkuqët e Kosovës”. Janë 22 poetë të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të qenë anëtarë të Degës së LSHK-së në Kastriot. Formimi i Degës së LSHK-së në Kastriot është në interes të kulturës në komunën e Kastriotit dhe më gjerë, tha Curri.

Zymer Mehani tha se kultura në këtë komunë është zhvilluar duke iu falënderuar aktivitetit dhe punës së palodhshme të Fadil Currit. Mehani i përgëzoi për iniciativën e qëlluar për themelimin e Degës së LSHK-së në Kastriot.

Ndërkaq, Sanije Ahmeti-Dubova, tha se erdha në këtë tubim nga respekti që kam për Fadil Currin, meqë ai ka zhvilluar shumë aktivitete letrare, duke organizuar orë të shumta letrare dhe promovime librash. Curri edhe para luftës, edhe pas luftës, ka zhvilluar aktivitete letrare të pandërprera.

Ahmet Pllana, poet nga Kastrioti, tha se iniciativa për themelimin e Degës së LSHK-së në Kastriot është shumë e qëlluar dhe do të ndikojë në zgjërimin e begatimin e kulturës në këtë komunë dhe më gjerë.

Iniciativën për themelimin e Degës së LSHK-së në Kastriot e përshëndetën edhe Rexhep Halimi, Abdullah Troshupa, Ferdane Pllana, Xhemajl Hajdini, Ymrije Beqiri, Minire Rukovci-Hyseni, Hajrush Redenica, Fatmir Çitaku, Fazli Ferati, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat