Urime e mbarësi martesën bija ime e babit, Vlera

Kultura

Urime e mbarësi martesën bija ime e babit, Vlera

Nga: Sulejman Mehazi Më: 20 qershor 2022 Në ora: 16:31
Sulejman Mehazi

Urime e mbarësi martesën bija ime e babit, Vlera, qofshi të lumtur, të begatshëm, të kujdesshëm, të sjellshëm e të sinqertë tog me bashkëshortin Hekuranin!

Bija ime e dashur, Vlera, tani do ta vëresh  se pse i biri dhe e bija nuk edukohen njësoj, se pse vëllain tënd, Adhurimin, e kemi edukuar ndryshe, e juve ndryshe, pas martesës do të ju kujtohen fjalët dashurore prindore kur ju thoja se: "Gabimi më i madh prindor është që të edukohet djali dhe vajza, i biri dhe e bija njësoj."

Zoti ju trashëgoftë bija ime me fëmijë, djem e vajza!, dhe si prind ju lë një porosi edukative familjare, se, djalin apo të birin duhet edukuar e përgatitur për të qenë bujar e fisnik për të mbrojtur familjen e shtëpinë, kurse vajzën apo të bijën duhet përgatitur për të krijuar e lumturuar familjen dhe shtëpinë e burrit të vetë.

Burri të ndërtojë e mbajë shtëpinë, gruaja të krijojë e të edukojë fëmijë.

Djali kur të martohet të përgatitet për t'u bërë princ në shtëpinë e vet, kurse vajza kur të martohet të përgatitet për t'u bërë princeshë në shtëpinë e princit.

Djalin duhet përgatitur si pasardhës sepse martohet e rri në shtëpinë e vet, vajzën duhet përgatitur për te burri i vetë sepse është krijuese e familjes së vetë. Tani gjatë martesës do ta vëresh, bija ime Vlera, se pse ju thoja: "se tjetër edukatë merr djali, i biri që lind, jeton e vdes në shtëpinë e vetë dhe tjetër edukatë merr vajza, bija që lind në shtëpinë e prindërve e jeton e vdes në shtëpinë e burrit."

Prej gjithë gjallesave për fat të meshkujve gjinia femërore lind në shtëpinë e huaj ( të prindërve) e jeton e vdes në shtëpinë e vetë të bashkëshortit.

Nëse djalin apo të birin duhet edukuar njëherë, vajzën apo të bijën që del prej shtëpie duhet edukuar tri herë më shumë bija ime Vlera.

Në aspektin gjuhësor, martesa e ka kuptimin e bashkëshortësisë, kurse bashkëshortësia e ka kuptimin e trashëgimisë, trashëgimia e ka kuptimin e shtëpisë, kurse shtëpia e ka kuptimin e Parajsës, të qoftë Parajsë jeta bashkëshortore, oj bija ime Vlera! Amin! Kujdes të lutem!, oj loçka ime e babit, se, shtëpia e burrit është vendi ku do qëndroni ju, venstrehimi e vendbanimi juaj. Mos harro se vendbanim quhet dhe varri e mos u bën e pashpirt, e padëshiruar dhe e ftohtë si e vdekur në shtëpinë e burrit tuaj, vendbanim quhet dhe fjala minierë që ka kuptimin e vendstrehimit të arit, argjentit dhe të gurëve të çmuar, bëhu te shtëpia e bashkëshortit minierë diamantesh, aresh, argjentesh e gurësh të çmuar,! Shtëpia, jeta e familja jote le të jetë e gëzuar, e lumtur, e çmuar!, le të jetë Parajsë minierash, vlerash shpirtërore e fizike me rastin e martesës sate! Vlera ime e dashur le të jenë parajsore edhe festat familjare, fetare e kombëtare.

Urime, gëzime, jetëgjatësi, shëndet, lumturi e mençuri qoftë martesa juaj tog me Hekuranin, e vyer, e çmuar bija e babit dhe e mamit, Vlera!

Amin, amin, amin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat