Fishta, anëtar i akademisë së Italisë

Kultura

Fishta, anëtar i akademisë së Italisë

Nga: Skifter Këlliçi Më: 27 qershor 2022 Në ora: 14:48
At Gjergj Fishta

Nuk duhet të ketë qenë dëshira e poetit tonë të madh që gjerarkët fashistë e bënë anëtar të këtij institucioni gjithashtu fashist.

Akademia Mbretërore e Italisë ka qenë një institucion shkencoro-kulturor, që ka vepruar gjatë periudhës 1929-1944. Nismëtar i themelimit të tij ka qenë personalisht Benito Musolini, kreu i regjimit fashist.

Në fjalën e përurimit të kësaj akademie, më 28 tetor të vitit 1929, ndër të tjera, ai theksoi:

“Të përndritshëm, zonja dhe zotërinj! Jam krenar që kam themeluar Akademinë e Italisë. Jam i sigurtë që jo do të jetë në lartësinë e qëllimit të saj në shekujt dhe mijëvjeçarët e historisë sonë. Jam i gëzuar të përuroj zyrtarisht Akademinë e Italisë në simbolin e Liktorit dhe në emër të mbretit August”. (Sipas burimeve në internet, zëri “Accademia d’Italia”, italisht, në google).

Kjo akademi zëvendësoi Akadeninë Kombëtare të Italisë të themeluar në vitin 1603, të quajtur Accademia Nacionale Dei Lincei.

Në akademinë e mësipërme fashiste bënë pjesë 60 studiues dhe krijues nga më të njohurit në Itali, dhe në botë nga të gjitha fushat e shkencës, duke përfshirë edhe letërsinë dhe artet, të zgjedhur për tërë jetën e tyre me dekret të veçantë nga vetë Musolini. Ndër ta përmendim shkrimtarët Pirandelo, d’Anuncio, Marineti, Ungareti, kompozitorët Maskanji, #ilea, Xhordano, shkencëtarët Markoni, Fermi etj. (po aty).

Midis tyre, më 3 qershor të vitit 1939, pra pak më shumë se dy muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, anëtar i Akademisë së Italisë, u zgjodh edhe Fishta, që ishte dhe mbeti i vetmi i akademik i huaj i saj.

Ja se si ndodhi: Më 1 qershor të vitit1939, nisur nga Durrësi arriti të Bridizi një anie e Flotës Detare të Mbretërisë së IItalisë, në bordin e së cilës ndodhej një delegacion shumë i rëndësshëm shqiptar, i përbërë nga kryeministri Vërlaci, ministri i Puënve të Jashtme, Dino, sekretari i Partisë Fashiste Shqiptare, Mborja, një ndër veprimtarët më të lartë të kësaj partie, Merlika – Kruja, ministri i Arsimit, Koliqi, i ngarkuari me komandën e Ushtrisë Shqiptare, kolonel Përmeti dhe të tjerë. (R.Gurakuqi. “Shqipëria dhe “Tokat e lirueme”, (1939-1946), faqe 106-107).

Midis tyre ndodhej edhe Fishta. Përse të bënte pjesë në një delegacion qeveritar, kur ai quhej poeti kombëtar dhe për tepër ishte klerik?

Eshtë e vërtetë që më 1919 Fishta kishte qenë anëtar i një delegacioni shqiptar, por që shkonte në Paris në Konferencën e Paqes, që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe të mbronte kufijtë e saj nga synimet grabitqare të shteteve fqinje dhe njohjen ndërkombëtare të saj; kurse delegacioni qeveritar i 2 qershorit të vitit 1939, për të riafirmuar pushtimin e Shqipërisë në prill të atij viti nga Italia fashiste, pra me një qëllim krejt të kundërt.

Arsyeja e pjesëmarrjes së Fishtës në këtë delegacion ishte i një rëndësie të veçantë: poeti yë i madh do të nderohej me një titull shumë të lartë. Dhe vërtet kështu ndodhi. Pasi ishte pritur me një ceremoni madhështore nga mbreti Viktor Emanueli III, mbas disa orësh, me një ceremoni po aq madhështore, delegacioni i mësipërm u prit edhe nga vetë Duçja, Musolini, kryeministri dhe kreu i Partisë Fashiste Italiane.

Pasi personalisht i njoftoi delegacionit të mësipëm se Shefqet Vërlaci, Marka Gjoni, Mustafa Kruja, Mihal Turtulli emëroheshin senatorë, Musolini bëri një komunikim tjetër, që nuk kishte asnjë lidhje me emërimet e mësipërme politike të këtyre senatorëve, të cilët ishin shndërruar në veprimtarë të zellshëm në shërbim të pushtuesve fashistë, dhe së bashku me ta, me dorë të hekurt do të shtypnin çdo përpjekje të popullit shqiptar kundër tyre.

U zgjodh i tillë, kur krijimtaria e tij letrare, duke përfshirë edhe “Lahutën e Malcis”, nuk ishte bërë ende e njohur në Itali, pavarësisht se më 1937 ishin botuar në italisht disa këngë të saj. Kjo vepër u botua e plotë në këtë gjuhë në Palermo më 1958, me përkthimin e Papa Ignazio Parrinos, nën titullin “Il liuto della montagna”, ribotuar dhe 1970, (FESH, vëllimi 1, faqe 685, 2008).
Por kjo zgjedhje shpjegohet në artikullin “Vdekja e Gjergj Fishtës, poeti i kombit shqiptar”, botuar në gazetën italiane “Corriere della Sera”, më 31 dhjetor 1940, pra një ditë pas vdekjes së tij, ku shkruhet:

”Mik i sinqertë i Italisë, për mirënjohje të meritave ndaj atdheut të tij, në qershorin e kaluar u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë”.

Siç shihet, te kjo gazetë italiane vihen në dukje merita ndaj atdheut të tij, pra Shqipërisë, (dhe se ishte “mik i sinqërtë i Italisë”), që sollën si pasojë edhe zgjedhjen e Fishtës akademik. Dhe pohohet një e vërtetë, po të marrim parasysh ndihmësen e tij të madhe në fushën atdhetare dhe veçanërisht në fushën letrare. Por nuk përmenden vlerat artistike, edhepse ishin botuar në italisht disa këngë të saj.

Kurse më 7 qershor të vitit 1939, pra disa ditë pasi Fishta ishte zgjedhur akademik i Italisë, Mustafa Kruja, një ndër katër senatorët shqiptarë , shkruante në gazetën “Fashizmi”:

“P. Gjergj Fishta u ba akademik i Italis. Mbreti ynë Viktor Emanueli i III dhe Duçja i Fashizmës deshën me na dhanë edhe nji provë të gjallë se tue zgjedhue bashkë për jetë fatet e dy kombevet, vlerat shqiptare e me to shqiptarija vetë, jo veç nuk do të shuhen as të terratisen, por do të ngjallen dhe do të shkëlqejnë ma së miri në dritën e qytetnimit të Romës”.

Pak si e pamundur, por, gjithsesi, a duhet të hamendësojmë se Akademia Italiane për dhënien e këtij çmimi është ndikuar edhe nga botimin i disa këngëve të mësipërme të “Lahutës…” , (botimi i plotë kësaj i kësaj vepre të përkthyer nga albanologu të njohur, Gustav Vajgand, ishte bërë në Lajpcig, më 1925 dhe botim i dytë, me përkthimin e studiuesit tjetër të njohur gjerman, Maksimilian Lamberc, Die Laute des Hochlandes “Lahuta e Malcis”, në Mynih, më 1958. ( Po aty). Pak si vështirë…

Arsyet ishin krejt të tjera, siç dëshmon katëcipërisht më sipër dhe vetë Mustafa Kruja. Pastaj vetë fakti se Fishta ishte i vetmi poet i huaj që figuronte në listën e akademikëve të Italisë, ishte një dukuri e panatyrshme, sepse deri atëherë dhe më pas, asnjë poet a personalitet i huaj në fusha të tjera nuk u bë anëtar i kësaj akademie. Madje, në listën emërore të anëtareve të Akademisë së Italisë që figuron në google nën titullin Accademia d’Italia, në kolonën “Notte biografiche”, (Shënime jetëshkrimore), pas emrin të tij në italisht- Giorgio Fishta, është vënë ky përcaktim:”Uno dei poeti piu’ influenti albanesi del XX Secolo. (Një ndër poetët shqiptarë më me ndikim të shekullit të 20-të). Dhe për këtë arsye ai duhej të bëhej anëtar i kësaj akademie me jëtë 15- vjeçare?

Me këtë rast, kujtojmë se Ismail Kadarea, u bë anëtar i Akademisë Franceze në vitin 1993, kur vepra e tij e parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte botuar në Francë më1970, pasuar në tri dekada nga një seri veprash të tjera të përkthyera në shumë vende të botës, për të cilat ishte nderuar edhe me çmime prestigjioze ndërkombëtare.

Me Fishtën, siç e pamë, akademik i Italisë, nuk ndodhi kështu. U bë i tillë , pa kaluar as dy muaj nga pushtimi i Shqipërisë dhe pa u botuar ende e plotë në Itali “Lahuta…”, e cila nuk u botua as edhe më pas, deri sa Italia fashiste kapitulloi.

Edhe pas kësaj dukurie, që duhej të përbënte një ngjarje të madhe në botën letrare të Italisë, nuk di të jetë botuar gjithashtu ndonjë artikull studimor për vlerat artistike të kësaj poeme, që pa dyshim ishin dhe janë të padiskutueshme.
Nuk di, gjithashtu, nëse pas kthimit të Fishtës në atdhe, qeveria fashiste shqiptare të ketë organizuar me këtë rast ndonjë mbledhje solemne, ose që Akademia e Italisë ta këtë ftuar Fishtën në Romë në ndonjë takim të tillë, ku të viheshin në dukje merita artistike të “Lahutës..”, me të cilën poeti ynë i madh meritonte të bëhej anëtar i saj.

Nga sa shkruhet më sipër, Akademia e Italisë nuk mund të ishte institucion i pavarur. Për këtë mjafton të përmendim faktin kuptimplotë se dy nga presidentët e fundit të saj ishin poeti dhe shkrimtari i famshëm, Gabrile d’Anunzio, mik i Musolinit, i cili, ndër të tjera, siç dëshmohet , është njohur me “Lahutën…” dhe ka dhënë vlerësime pozitive, dhe pas tij, gjatë periudhës 1939-43, gazetari dhe shkrimtari , Luixhi Federconi, (Luigi Ferderzoni), ish-sekretar Partisë Fashiste Italiane, kryetar i Senatit, (1929-1939), dhe disa herë ministër, madje edhe i Brendshëm në qeveritë e kryesuara nga Musolini.

Më 22 maj të vitit 1940, në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Kuvendi i Lartë i Akademisë miratoi një zëri një mesazh, në të cilin i shprehte Duçes “ bindjen ndaj qëllimeve të reja dhe më të larta, me të cilat ai do të drejtonte Atdheun Fashist…”, (po aty).

Duke pasur ideale të thella fashiste, ishte pikërisht Federconi që më 1941 i shkroi Musolinit një letër, në të cilën theksonte se “Akademia duhej të ishte fashiste dhe se askush nuk kishte të drejtë të zhvillonte veprimtari të kundërt me fashizmin, duke mënjanuar uljen e masës së vlerës së këtij institucioni të rëndësishëm të regjimit”. (“L’Accademia d‘Italia, un vanto del fascismo”, (“Akademia e Italisë, lavdi e fashizmit”, di Alberto Perconte Licatese, sipas zërit “Accademia d’Italia”, në internet, google),1)

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se anëtarët e Akademisë së Italisë ishin fashistë, edhepse miratuan rekomandimet e mësipërme të kryetarit të saj, Federconi, dhe të veshur me uniformë të posaçme në ceremoni zyrtare, ishin të detyruar të bënin nderimin fashist, të quajtur “romanamente”. Pra, as edhe emra personalitesh në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe letërsisë, duke përfshirë edhe ata që kam renditur më sipër, nuk ishin fashistë. Ndër ta, për mendimin tim as edhe Fishta.

A bëri mirë Fishta që pranoi të nisej në Itali me nje delegacion të përbërë nga eksponentë të shitur fashistë, kur ai vetë, siç e përmenda më sipër, kur ai ishte dhe klerik i njohur dhe shumë i respektuar midis besimtarëve katolikë, por edhe myslimanë dhe ortodoksë?

Por, edhe nëse pranojmë se qëllimi se përse Fishta bënte pjesë në këë delegacion, nuk ishte politik, por artistik, se ai, poeti më i madh kombëtar, po nderohej me titullin e lartë -akademik i Italisë, nuk qëndron. Fishta kishte plot arsye të argumentonte se nuk ishte i denjë për këtë titull, për arsyen shumë të thjeshtë: Ai nuk ishte qytetar italian dhe deri atëherë kjo akademi, siç përmenda më sipër, nuk kishte bërë anëtar të saj asnjë shkrimtar a shkencëtar të huaj.Veç kësaj, sado që disa këngë të poemës së tij ishin botuar në Itali në vitin 1937, nuk mund të themi se falë këtij botimi Fishta njihej në mjediset artistike dhe gazetareske italiane, aq më tepër nga lexuesi i thjeshtë italian. Kurse me këtë titull të lartë dhe aq të lakmueshëm, emri i tij vihej radhazi emrave të shkrimtarëve, artistëve dhe shkencëtarëve të njohur italianë , jo vetëm në Itali, por edhe në botë, disa prej të cilëve citova më lart.

A mundet pra, për këto arsye Fishta të mos e pranonte këtë titull? Vështirë, po të marrim parasysh se në vend që këtë veprim ta bënte Akademia e Italisë, që do të ishte krejtësisht e natyrshme, e bënte….Musolini, kryeminstër fashist, i cili kishte miratuar edhe vendimin se cilët duhej të ishin anëtarë të Akademisë së Italisë, të themeluar prej tij.

Dhe të refuzoje një vendim të një diktatori të tillë aleat i Hitlerit, do të thonte të ishe në gojën e ujkut.

Duhet të kemi parasysh se kjo akademi, që në mënyrë tendencioze u krijua në vitin 1929 nga Musolini dhe zëvendësoi Akademinë Kombëtare të Italisë, (Accademia dei Lincei), pati vetëm 15 vjet jetë dhe më 1944 u shkri, duke ia lënë vendin akademisë sipërpërmendur, themeluar në vitin 1603.

Prandaj, edhe lexuesit tanë, në Shqipëri, Kosovë dhe në Diasporën Shqiptare kanë të drejtë të krenohen me veprën e Fishtës, por jo me titullin “Akademik i Italisë”, vetëm e vetëm për arsyet koniukturale politike që përmenda më sipër.
Të përfytyrojmë për një çast se Fishta do të ishte gjallë dhe vetë Hitleri pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator të vitit 1943, të ftonte në Berlin një delegacion të njejtë me delegacionin e mësipërm qeveritar shqiptar, i cili më 3 qershor të vitit 1939 shkoi në Romë, që të sanksiononte pushtimin fashist , dhe në fund të takimit, ashtu si Duçja, edhe Fyrheri ta bënte Fishtën akademik të Gjermanisë, të një akademie që ta kishte krijuar ai vetë, duke zevedësuar Akademinë gjermane , të themeluar në vitin 1700, (!?)…

A do të krenoheshim me këtë veprim të Hitlerit, kur, ashtu si veprimi i Musolinit, ai bëhej vetëm për arsye politike dhe aspak letrare?

Nuk besoj.

Së fundi, ai ishte i bindur Fishta se emri i tij meritonte të renditej midis emrave të kolosëve të mendimit shkencor, artistik dhe letrar të Akademisë së Italisë, me famë botërore, madje edhe nobelistë, si Gulielmo Markoni, Enriko Fermi dhe shkrimtari i madh Luixhi Pirandelo?..

Vështirë të japësh përgjigje.

Për veprimtari të shquar në fushën atdhetare dhe veçanërisht letrare, gjatë jetës së tij, Fishta është vlerësuar me shumë dekorata të larta. Ndër to përmendim, Klubin ”Gjuha Shqype” që për merita të veçanta në fushën letrare i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi, Mbretëria Austro- Hungareze e vlerësoi me dekoratën “Ritterkreuz”,(1912); për ndihmesën e tij në fushën e kulturës në Shqipëri, po për këtë veprimtari një vit më vonë qyteti i Beratit i dhuroi një pupël të artë. Dekorata i janë dhënë Fishtës edhe nga papa Piu XI, (1925), Urdhëri Franceskan, (1929) si dhe shteti grek, që më 1931 e vlerësoi dekoratën “Feniks” (1931).

Këto janë vlerësimet që e nderojnë Fishtën dhe letërsinë shqiptare dhe jo tituli “Akademik i Italisë”.

Shpjegime
1) Il 22 maggio 1940 alla vigilia dell’entrata in Guerra l‘alto consesso approva all’unanimita’ un messaggio dhe esprime al Duce “La certezza delle nuove e piu’ alte mette che egli condurra’ la Patria Fascista”.
2) Nel 1941 infatti, Federzoni scrisse a Mussolini per ‘” affermare che l’Accademia dovesse essere fascista e che nessuno potesse svolgere attivita’ contrario al fascismo, evitando che si abbassasse la misura dei valori di questa importante istituzione del regime”. (“L’Accademia d’Italia, un vanto del facismo”, di Alberto Perconte Licatese).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat