Jusuf Gërvalla, Faridin Tafallari dhe atdhetarizmi shqiptar

Kultura

Jusuf Gërvalla, Faridin Tafallari dhe atdhetarizmi shqiptar

Nga: Baki Ymeri Më: 5 gusht 2022 Në ora: 08:49
Kopertina

Atdheu është një dashuri e cila vdes kurrë. Pasuria më e madhe që kemi është gjuha dhe përkatësia kombëtare, vlerat e një komuniteti dhe të tokave, ujërave, ndërtesave, historive, të historive me heroizmat dhe tradhtitë e saj, madje edhe e përrallave për të fjetur fëmijët! Jemi të lidhur me komunitetin dhe tokën, me gjuhën dhe  zakonet apo traditat, qofshin ato edhe fetare, sepse ashtu siç janë, janë tuajat dhe tonat! Dhe të gjithë ju japin sigurinë, qoftë e pasigurtë, të së sotmes dhe të së nesërmes! Këto janë pjesë e pasurisë së një patrioti të devotshëm që militon për Bashkimin Kombëtar.

            Vetëm patriotët e vërtetë, siç  është Zt. Faridin Tafallari, dinë të dëshmojnë se janë bijtë e një kombi kreshnik dhe legjendar. Faridini është krenaria e shqiptarizmit. Prindërit, pronat, paraardhësit tanë dhe traditat tona janë atdheu ynë. Ata që flisnin të njëjtën gjuhë, që kishin të njëjtën mall, të njëjtat vuajtje, aspirata, janë atdheu ynë i vërtetë! Prandaj patriotizmi është ndjenja më sublime e brezave të tanishëm që i bekon   prindërit, pasuritë dhe paraardhësit, gjuhën, traditat dhe flamurin, duke qenë gjithmonë të bashkuar në kujtesën e së shkuarës.

            Zt. Faridin tërë jetën ia kushtoi atdheut dhe atdhedashurisë. Atdheu nuk është toka në të cilën jetojmë rastësisht, por toka e brumosur me gjak dhe e forcuar me kockat e të parëve tanë. Kur e përmendim Kosovën dridhemi, harrojmë veten dhe jetojmë vetëm me ata që dikur ishin ushtarë, dëshmorë dhe heronj. Kështu e kupton Zt. F. Tafallari idenë e patriotizmit. Atdheu nuk vjen nga dheu, as nga ndonjë punë e fushës, as nga ndonjë abstraksion, por nga një nocion konkret, nga prindërit, gjyshërit dhe paraardhësit tanë, gjithmonë të gatshëm për ta dhënë jetën për komb dhe atdhe.

Mëmëdheu është vendi i origjinës dhe vendi amë. Atdheu është koncepti i vendit ku një identitet kulturor, kombëtar ose racial është formuar. Përkufizimi mund të nënkuptojë gjithashtu thjesht vendin e lindjes. Kur përdoret si një emër, atdheu, si dhe ekuivalentët e saj në gjuhë të tjera, shpesh kanë konotacione etnike nacionaliste. Atdheu gjithashtu mund të quhet edhe mëmëdhe, vendlindje ose vend amë, varësisht nga kultura dhe gjuha e kombësisë në fjalë. Çdo vit, më 28 Nëntor, populli shqiptar feston ditën e tij kombëtare. Rast i përshtatshëm për deklarata të zjarrta, të shoqëruara me ngjarje të ndryshme që shënojnë festën. Disa nga vëllezërit tanë mbajnë flamurin kombëtar, të tjerë marrin kohë për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara nga qeveria në nivel qendror ose lokal.

Atdheu është brenda nesh dhe ne e marrim me vete nëpër toka e dete dhe vetëm kur jemi larg e vetëm dridhemi duke kujtuar se ku u ndamë dhe ngushëllim gjejmë vetëm në pikëllim e në lot. Mëmëdheu i referohet një vendi amë, domethënë vendi i lindjes, vendi i paraardhësve, vendi i origjinës. Edhe para Zotit, Hyjnësia më e çmuar mbetet ardheu dhe vendlindja. Jemi të gatshëm për ribashkimin e trojeve shqiptare dhe për të sakrifikuar veten. Kjo don të thotë se duhet të keni një komunitet unik dhe një grup vlerash të forta e të bashkuara. Bashkimi kombëtar është ide për një proces për të bashkuar të gjithë trevat shqiptare me qëllim të krijimit e një shteti shqiptar.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një proces politik i rigjallëruar, pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Kjo ide është e lidhur me konceptin e bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, ngase rreth 95% të Kosovarëve janë Shqiptarë etnikë. Pas pavarësisë së Shqipërisë, kufinjtë e shtetit shqiptar u caktuan nga 2 komisione ndërkombëtare, një për kufirin me Mbretërinë Jugosllave dhe një tjetër për kufirin me Mbretërinë Greke. Gjatë protestave të vitit 1981 në Kosovë, Jugosllavia pati frikë nga një potencial i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në fillim të viteve 1990, politikanët shqiptarë patën deklarata kontradiktore në lidhje me çështjen e bashkimit. Aktivisti i shquar Ukshin Hoti, themelues i Partisë shqiptare të Bashkimit Kombëtar, i vrarë nga policia serbe në vitin 1999, ishte mbështetës i zëshëm i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Nga shtatë veprat voluminoze të Zt. Faridin Tafallari, kuptojmë se për të njëjtën ide, të Bashkimit Kombëtar, qenë likuiduar (18 janar 1982) Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe. Jusuf Gërvalla (Dubovik, 1 tetor 1943 - Shtutgart, 18 janar 1982) ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar. Ka qenë themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Jusufi u lind në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimin e lartë e vijoi në Prishtinë e Ljubjanë. Më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë.

Jusufi ishte një nacionalist i zëshëm që hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992,  Sabri Hamiti. Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

           Nga Wikipedia dhe veprat e Zt. Faridin Tafallari, kuptojmë se zëri i tij poetik I Jusufit ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë e butë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978), poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri".

Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

            Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur më 17 janar 1982 në Untergrupenbach (Gjermani). Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllave dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundërshtarë të pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil si duket qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës. Atentati ka ndodhur kur drejtuesi i makinës (BMW 316, targa:HN CY 353) po nxirrte makinën nga garazhi, duke drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.

Në mot me borë, diku në 40 metrat e para makina ka ndaluar pasi nga një vend ndërtimi në anë të djathtë të makinës një person nga një distancë pre 3 metrave ka gjuajtur në veturë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur në veturë dhe i është afruar asaj për të vërtuar qe ja kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të friksuar nga krismat shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur. Makina ka mbetur e ndezur pasi drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalen e gazit. Si pasojë makina ka vazhduar të ecë deri sa përplaset me një garazh. Gjatë kësaj kohe drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori.

          Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, shtetas jugosllav i goditur nga 6 plumba, bashkudhëtarët e tij Kadri Zekën, i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe vëllain e drejtuesit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje, me plumba.  Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre : "jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë Shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit" dhe vazhdon me tutje mbi autorët e vrasjes.

           Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: "Ka qenë UDB-ja" - shërbimi sekret jugosllav (Sluzba Drzavne Bezbednosti). Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat të kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: "E tëra i ngjan një ekzekutimi". Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i Siegfried Hübner - duhet qëlluar me katër plumba "tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse".

          Koha dhe atentatit ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në ato vite. Gjatë asaj kohe, shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjajshme. Shteti gjerman asnjëherë nuk u prononcua, se kush e vrau dhe se si agjenturat jugosllave vepronin në Gjermani aq hapur. Donika Gërvalla-Schwarz në një aritikull në gazetën kosovare “Koha Ditore”, më 19 Janar 2012, shkruan që e njeh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane dhe apelon që deri tani duhej të ishte thyer heshtja së bashku. (Bukuresht, Gusht 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat