Një trashëgimi e vlefshme letrare e kulturore

Kultura

Një trashëgimi e vlefshme letrare e kulturore

Nga: Ajete Zogaj Më: 5 gusht 2022 Në ora: 17:45
Kopertina e librit

55 vjet veprimtari botuese e shkrimtarit Hasan Hasani - Përloka, janë përmbledhur në një Katalog i cili përfshinë botimet e viteve 1967- 2022.

“Hasan Hasani – Përloka Katalogu i Botimeve 1967 – 2022”, sheh dritën e botimit, pas kalimit në amshim të autorit Hasan Hasani – Përloka, përgatitur me shumë kujdes nga Butrint Hasanaj – Përloka, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë, 2022.

Botimi i këtij Katalogu thënë figurativisht është një ‘bibliografi më vete’ që shpërfaq rrugëtimin letrar të njërit prej autorëve më të dëshmuar në shumë fusha të dijes e kulturës shqiptare dhe jo vetëm.

Duke shfletuar me kujdes Katalogun e botimeve letrare të Hasan Hasanit – Përlokës, krijojmë profilin e autorit ndër më të realizuarit në letërsinë shqipe, qoftë si autor, gazetar, redaktor, hartues i veprave leksikografike, autor monografishë, tregimtar e kritik letrar.

Hartuesi i këtij Katalogu, Butrint Hasanaj – Pëloka, ka ndjekur dy parime: Parimin kronologjik dhe parimin e ndarjes sipas gjinive letrare.

Përmes këtij Katalogu studiuesit e veprës së Hasan Hasanit – Përlokës, do të kenë mundësinë të njohin në mënyrë kronologjike gjithë krijimtarinë e tij letrare, por edhe punën e tij të vyer shumëdimensionale, deri në kalimin e tij në amshim. Botimi i këtij Katalogu, i hapë rrugë, njohjes më të plotë të veprës së tij, duke e bërë të pavdekshme, veprën dhe shëmbëlltyrën e një njeriu me vlera të larta njerëzore e intelektuale, të mbledhura brenda shënimeve bibliografike.

Së këndejmi, përmes këtij katalogu, njohim autorin e lërimit të pothuajse të të gjitha gjinive letrare.

Katalogu është hartuar në 10 kapituj, ku shpaloset krijimtaria letrare 55 vjeçare e Hasan Hasanit: I . Poezi për të rritur; II. Poezi për fëmijë; III. Tregime për të rritur; IV. Romane për të rritur; V. Kritikë letrare; VI. Monografi; VII. Vepra publicistike; VIII. Vepra leksikografike; IX. Vepra letrare 1-15; X. Të tjerët për shkrimtarin.

Katalogu i botimeve 1967-2022, është një katalog model, i cili do t’u shërbejë të gjithë atyre që duan ta njohin të plotë veprën e Hasan Hasanit – Përlokës.

Ajo që e bën të veçantë hartimin e këtij Katalogu, është rëndësia letrare, faktografike e bibliografike.

Mund të themi me bindje të plotë se, botimi i këtij Katalogu, është një ‘abazhur drite’ që ndriçon në secilën faqe të librave të tij, për të depërtuar deri tek lexuesit e studiuesit e veprës së tij. Është një homazh përkujtimi e nderimi i përjetshëm për Të dhe veprën e tij!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat