Ku mbeti kujtimi për librarinë nobel!?

Kultura

Ku mbeti kujtimi për librarinë nobel!?

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 19:06
Foto ilustrim

Kur bëhet fjalë për kulturën shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk ka gjasa të befasohet, aq më tepër kur vjen në shprehje inferioriteti. Vetëm inferiorët nuk mund as të befasohen, mbase te të tillët, çështjet që s’kanë qenë brenda kornizës së interesimit të tyre, as si kujtime nuk arkivohen.

Si kujtim nuk mund ta gjeni as Librarinë “Nobel” që pas dy vite përballje me peripeci të shumta, më në fund “dha shpirt”. Krejt kjo ndodhi në Shkupin e shqiptarëve, në Shkupin e mijëra studentëve shqiptarë, e mijëra arsimtarëve e profesorëve shqiptarë, e mijëra nxënësve shqiptarë, në Shkupin që dikur ishte qendra kryesore e Vilajetit të Kosovës, në Shkupin e shumë shkrimtarëve shqiptarë, aktorëve shqiptarë, piktorëve shqiptarë e kështu me radhë.

Dhe Shkup, prapë mbeti pa librari të mirëfilltë. Mbeti pa librari, sepse të paktë ishin ata që e vizituan apo blenë ndonjë libër, ndaj dhe ishte e pamundur ekzistenca e mëtejmë dhe në fund ishte i pashmangshëm dryni. Kjo që ndodhi është për keqardhje, por edhe flet shumë për nivelin intelektual të shqiptarëve të Shkupit dhe më gjerë.

Ata më të vjetrit e dinë se dikur në Shkup, përkatësisht në Çarshinë e Vjetër, për shumë dekada ka funksionuar libraria e “Rilindjes” së Prishtinës, që vazhdimisht furnizohej me botime artistike. “Rilindja” në Shkup u mbyll vetëm atëherë kur u mbyll “Rilindja” në Prishtinë. Ndonëse shqiptarët ishin në një gjendje të vështirë për shkak të politikave shoviniste sllave (ishte kohë e komunizmit), atëherë lexohej shumë. Lexoheshin edhe librat e ndaluar që përcilleshin dorë më dorë. Pikërisht për shkak të librave të ndaluara nga komunistët jugosllav, shumë shqiptarë e pësuan rëndë, por megjithatë kurrë nuk iu ndanë.

Po sot, çfarë po ndodh sot?

Ka shumë përgjigje, por një është e vërtetë: na mbyti injoranca, të cilën e sollën keqpërdoruesit e vlerave të demokracisë, që rrënuan gjithçka që u doli para e që kishte të bënte me kulturën dhe arsimimin. Sot, fatkeqësisht, sistemi i arsimimit të shqiptarëve është një sistem hibrid (në të cilin janë përmbledhur të gjitha shëmtitë e mundshme), i cili prodhon vetëm analfabetë të certifikuar, të cilëve nuk “u premton” koha për t’i mbajtur gjallë vlerat shpirtërore të shqiptarëve. Sot këta analfabetë i ke gjithandej të sistemuar, përfshi edhe institucionet kulturore, por që në fakt, janë vetëm si një dekor për politikat ditore. Libraria “Nobel” tashmë është një çështje e harruar, pavarësisht faktit se ka me mijëra e mijëra injorantë që as edhe e kanë ditur se për dy vjet me radhë Shkupi ka funksionuar një librari me mijëra tituj. Shumicën e përbëjnë pikërisht këta injorantë, fatkeqësisht.../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat