Shpirti shqiptar është mbushur me mëkate

Kultura

Shpirti shqiptar është mbushur me mëkate

Nga: Sulejman Mehazi Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 13:08
Sulejman Mehazi

Të na falni e kërkojmë ndjesë!, i dashuri ynë Mit'hat (Lumo Skëndo) Frashëri, për shkak padrejtësisë e moskujdesjes ndaj veprimtarisë suaj politike, kombëtare, edukative, arsimore, kulturore, publicistike e artistike! Duke u munduar t'i rrisim e t'i bëjmë të mëdhenj e të autoritetshëm komunistët e vegjël, minodinakët, harruam autoritetin tuaj dhe të Hafiz Ali Korçës!? 

Sa cinikë, sa të poshtër e mohues kemi qenë ndaj teje dhe Ballit Kombëtar. Sa keq, kemi lexuar e mësuar gabimisht, kemi humbur kohë me ideologjitë e huaja marksiste-leniniste-komuniste. Në plan-programet tona arsimore shkollore e universitare kemi futur shkrimtarë me mentalitete artistike sllave, komuniste pa shije kombëtare, në anën tjetër, qëllimshëm juve ju kemi harruar sikur s'keni egzistuar kurrë.

Turpi më i madh kulturor, letrar, artistik e politik është për ne të mos ua kishim lexuar veprat tuaja, i nderuar Mit'hat, ashtu jemi ne, ani se jemi shitur me ideologji komuniste, ama për inat të babai tënd Abdylit dhe xhaxhallarëve Samiut dhe Naimit s'ju kemi lënë edhe juve të prezentoni Ballin Kombëtar, ua kemi mohuar idealet kombëtare, nacionale shqiptare. 

S'kemi ç'të bëjmë, ashtu jemi, shpirti shqiptar është mbushur me mëkate që nga koha parahistorike e deri më sot, mëkatet s'na lejojnë të mendojmë e punojmë mbarë, por vetëm mbrapshtë. 

Shenja e mëkateve djallëzore shqiptare shihet, duket, preket për shkak përçarjeve tona mijëvjeçare. Ne e duam bashkimin, stemën, flamurin e popullit tonë me të jashtmen arsye, e kurrsesi me të mbredshmen zemër e shpirt. Metafora e mëkateve tona është mendo mirë, e bën keq, e mira vjen nga jashtë, e keqja e mëkateve tona nga brenda, arsyeja e jashtme e të menduarit na çon në të mirë, brendia e mëkateve të zemrave tona në të keqija. Me arsye duam të bashkohemi, mirëpo mëkatet djallëzore në brendi të zemrave tona s'na lejojnë këtë bashkim. Përherë e çdoherë e kemi dashur paqën e lirinë, por mëkatet tona kurrë s'na kanë mundësuar këtë paqe e liri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat