Sefë Koshares syri vërr s'i bën

Kultura

Sefë Koshares syri vërr s'i bën

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 8 prill 2023 Në ora: 07:44
Sylejman Salihu

Shihmëni!

Unë rri në degë të lisit,

Shikoj, vëzhgoj,

Dhe syri vërr s' më bën.

Era e jugut ma lëmon ballin dhe mustakun e djegur,

Edhe blozën e zezë shekullore nga plisi ma heq,

Teksa kolovitem lehtas,

Përpara këtij peizazhi kodrinor.

Ju mos u trembni,

S' është ndonjë lajm i zi,

Detyrën time po bëj,

Se kapedan jam për Shqipëri.

Mbase e keni marrë vesh,

Sapo më erdhi një Dervish nga Stambolli,

Dhe më takoi me pabesi,

Ç' mund të prisje më shumë nga ai që vjen natën nga Anadolli,

I gjori nuk e njihte zakonin e vendit,

Prit, i thashë, sa të ngjitem lart këtu majë  lisi,

Se pirg kushtrimi e kam,

T' i thërras njëherë që të më shohin:  kulla dhe fisi.

S' është ndonjë lajm i ri,

Sa herë të tillë Dervishë ardhur kanë me topa,

Përmbi ta  hedhur janë të tjerë plisabardhë, Mbirë nga dheu dhe toka.

Mos më trazoni fare,

Unë rri dhe vëzhgoj,

Syrin dylbi e kam,

Kushedi, mbase përtej malit matanë edhe ndonjë tjetër është nisur,

Të më takojë.

Shikoj, vëzhgoj,

Ç' peizazh i bukur që është përpara syve të mi,

A nuk ia vlenë të rrish këtu lart dhe të shikosh këtë  bukuri?

Nuk është kurrfarë sekreti t' ua them,

Se përtej malesh mbuluar me borë  kalërojnë kalorës të tjerë hipur mbi kuaj të bardhë,

Që shkumë nga goja qesin,

Duke ardhur  të më takojnë edhe sihariq të më sjellin:
Kapedan, mos e prish terezinë,

Rri atje në majë të lisit,

Ne vijmë  pas teje që ta bëjmë siç e deshe Shqipërinë.

Ndaj s' keni pse hamendeni,

Lermëni këtu në këtë pirg kushtrimi të lartë lisi,

Që mbirë ka dikur këtu në një pellg gjaku të këtij fisi,

Pse jo, edhe një këngeje majekrahu t' ia them,

Të rri e të vëzhgoj,

Se mesazhe të reja po më vijnë,

Gri, kuq, zi,

Por edhe të bardha,

Që në këtë fllad prilli pranveror,

Dua juve  t' jua çoj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat