Radio Ulqini kremtoi 36-vjetorin e themelimit

Kultura

Radio Ulqini kremtoi 36-vjetorin e themelimit

Nga: Esat Mehmeti Më: 17 korrik 2023 Në ora: 08:43
Esat Mehmeti

Para 36 vitesh, Radio Ulqini ishte radio e vetme lokale në këtë mjedis. Gjatë kësaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra, kështu që edhe përkundër disa çalimeve, ne sot krenohemi me atë që është arritur. Andaj, në këtë përvjetor, këtë shkrim e nisi me një falënderim të veçantë për Ju dëgjues të nderuar, sepse Ju e meritoni, sepse gjatë gjithë kësaj periudhe na qendruar besnik.

Fillimiet e Radio Ulqinit

Historiku i Radio Ulqinit fillon, më 13 korrik 1987. Pikërisht kjo datë shënon përurimin dhe transmetimin e parë radiofonik në Ulqin.Korriku i atij viti shënoi një ngjarje të madhe jo vetëm për Radio Ulqinin, por në përgjithësi për jetën artistike të këtij mjedisi. Themelues i këtij institucioni informativ është pushteti vendor. Asokohe, Radio Ulqini punën e vet e nisi me 6 orë program në ditë. Sot, Radio Ulqini emiton 16 orë program në ditë, në dy gjuhë (shqip dhe serbo-malaz.), kuptohet, relativisht, në proporcion me popullsinë e këtij mjedisi. Dëgjohemi në dy frekuenca, në Mozhur, në 102.6 MHz dhe në Pinjesh,në 91.3 MHz FM stero.

Viti ‘90-të ishte koha e ndryshimeve të mëdha

Vitet ’90-ta, sollen ndryshime jo vetëm në skenën politike, por edhe në Radio Ulqin. Era e ndryshimeve, solli më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin Radio Ulqinin si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin vendin. Në këtë mjedis, një tjetër forcë demokratike, padyshim ishte edhe Radio Ulqini.

Gjatë atyre viteve në Radio Ulqin nisën të punonin gazetarë të rinj, imend të paktë në numër, por ishin të parët që dinin me dashuri të përcjellin vlera në të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në këtë mjedisin e asaj kohe, duke synuar të jemi mbi të gjitha, profesionistë. U munduam t’i japim një frymë të dukshëm probleme politike, ekonomike e sociale në redaksinë e informacionit.

Kjo gjeneratë kolegësh të ndodhur në kapërcyell mes dy epokave, duke pranuar e moderuar mendimin ndryshe, vijuam me vlerat e traditës të përshtatura ndaj modernitetit.

Çdo reformë e bërë në Mal të Zi dhe më gjërë, çdo moment historik, çdo konflikt social apo ngjarje artistike, është përcjellë nga Radio Ulqini. Radio Ulqini nga themelimi e këndej ka qenë dhe është faktor i rëndësishëm i shoqërisë.

Radio Ulqini është dëshmitare, por edhe protagoniste e rrjedhave të kohës. Ishin punonjësit e saj që e bënë Radio Ulqinin tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor në këtë mjedis .

Ndryshimet në programin e Radio Ulqinit arriten një hap të dukshëm cilësor.Nga një kolektivi i vogël bëheshin përpjekje për pasurimin e programeve me rubrika të reja. Në strukturën programore të radios nisën transmetimet e drejtperdrejta të emisioneve të ndryshme radiofonike. Programet e para të Radio Ulqinit kanë qenë të shkurtra, por të larmishme. Programet muzikore zinin vënd kryesor.

Në mikrofonin e kësaj radioje kanë kaluar zëra të njohur të artit, kulturës, politikës dhe të gjitha shtresave të këtij mjedisi dhe më gjërë. Radio Ulqini, në dy dekadat e para ka qenë "Akademia" e parë e gjuhës letrare shqipe, duke e ruajtur dhe kultivuar vlerat kombëtare. Përmes emisioneve të saj informative njohëse, edukative dhe kulturore, ajo ka luajtur një rol të pa zëvëndësueshëm në përçimin e vlerave kulturore të popullit të këtij mjedisi dhe me gjërë. Veç vlerave të saj artistike dhe kulturore, kjo radio përmban në vete një vlerë të shtuar kombëtare.

Për dëgjuesit, Radio Ulqini ka mbetur i pashlyer

Radio Ulqini përcjellë ngjarjet me rëndësi, si një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë më shumë hapësirë dëgjuesit. Qëllimi i veprimtarisë të këtij institucioni, ishte të sigurojë dhe të mbulojë sa më mirë ngjarjet e ndodhura, duke bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve, shoqëroro- politike, arsimore, kulturo- artistike, sportive etj.

Gjatë kësaj periudhe Radio Ulqini kishte marrë pamjen e një radioje moderne në kuptimin e plotë të fjalës. Në përgjithësi emisionet e Radios të kësaj periudhe moren rrugën e mbarë, në mënyrë që sa më natyrshëm e bukur të tingëllojë fjala e gjallë, fjala e lirë shqipe.

Radio Ulqini sot është një kompleks i organizuar që trasmeton programe në dy gjuhë (gjuhën shqipe dhe gjuhën serbo-malazeze ).Radio Ulqini vijon në një pjesë të madhe të emisioneve te saj ta shoh dëgjuesin si protagonist, çka do të thotë ; jo vetëm të jetë pranë gjithçkaje, por ta bëj atë pjesë aktive, duke kërkuar nga ai bashkëpunimin, në studio të hapura, bashkebisedimin, si dhe në hapësirat e komunikimit për të plotësuar preferencat e mberritura direkt për shoqërinë.

E tashmja dhe e ardhmja e Radio Ulqinit

Radio Ulqini, relativisht me një përvojë 36-vjeçare, nga themelimi e këndej, falë zhvillimit teknologjik, ka qenë dhe është urë- lidhjeje mes radiove, si në rrafshin kombëtar, ashtu dhe atë ndërkombëtar. Me zhvillimet teknologjike, radio edhe tek ne ka pësuar ndryshime. Zhvillimi i teknologjsë dhe platformave të reja për shpërndarjen e përmbajtjes nuk e zbehin rëndësinë e radios, përkundrazi i ndihmojnë asaj të arrijë me lehtësi audiencat.

Falë zhvillimit të teknologjisë, me vemendje të posaçme përcillen aktivitetet e pushtetit vendor, ato qeveritare dhe më gjërë, si nga lëmia e ekonomisë, politikës, kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe aktivitete të tjera. Radio në përgjithësi ka evoluar në mënyrë të vazhdueshme. Radio gjendet jo vetëm, në shtëpitë tona, por ato nuk mungojnë as në automjetet tona.

Por, në anën tjetër, Radio Ulqini ka vite që përballet me problemet e trashëguara finaciare, çka dukshëm vështërson punën dhe ekzistimin e tij normal ?!!!

Mirëpo, edhe përkundër premtimeve nga ana e themeluesit, pushtetit aktual, Radio Ulqini, po përballet me probleme të mëdha si ; kadrovike, teknike dhe ato financiare dhe punët po shkojnë gjithnjë me avazin e vjetër. Çuditërisht, ilaçi për shërimin e kësaj plage të vjetër ende s’po gjindet dhe secila “ garniturë “e pushtetit vendor, këtë agoni po e kalojnë symbyllas.

Struktura e të punësuarve në këtë medium është jo e kënaqshme. Por edhe përkundër, vështërsive ky medium është i hapur për të gjithë.

Edhe përkundër gjithë këtyre vështërsive, falë vullnetit të mirë dhe angazhimit të vetë të punësuarve, Radio Ulqini, serish ka arrijtur të mbijetojë. Procesi i punës zhvillohet pothuaj normalisht, me përjashtim të disa emisioneve të reduktuara.

Sot, Radio Ulqini ka nevojë më shumë se kurrë. Andaj, nese themeluesi e sheh nevojën e duhur dhe me një përbashkëpunim më të mirë dhe me një qasje tjetër ndaj këtij institucioni informative, Radio Ulqini mund të jetojë. Përndryshe ,vaj halli !.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat