Promovohet libri “KTHIMI I TRURIT” nga autori Ramiz Selimi

Kultura

Promovohet libri “KTHIMI I TRURIT” nga autori Ramiz Selimi

Nga: Dafina Selimi Më: 18 maj 2025 Në ora: 07:02
Ramiz Selimi

Në praninë e një audience të gjerë që përfshinte figura nga kultura, arsimi, diaspora, krijues, miq e bashkëpunëtorë, si dhe institucionet lokale, në ambientet e Kuvendit Komunal të Klinës, u mbajt promovimi i librit më të ri publicistik “KTHIMI I TRURIT ” nga autori, analisti dhe veprimtari i mirënjohur, Ramiz Selimi.

Me pjesëmarrje promovimin e nderuan vet Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, me stafin e tij drejtues, të drejtorëve: Binak Syla, Enver Berisha, Faruk Smajli, si dhe Driton Bardhecin, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë që ishte angazhuar personalisht në mbarëvajtjen e këtij evenimenti, përmes njeriut që punon shumë në prapavijë zotit Alban Gashit.

Nga folësit ky botim u vlerësua si kontribut domethënës në pasqyrimin e përpjekjeve për të lidhur trurin e shpërndarë me zhvillimin e vendit. Vepra sjellë, ese, opinione, intervista me personalitete të ndryshme, nga diplomat dhe politikan evropian, si dhe intelektual dhe përfaqësues të biznesit.

Ishte një aktivitet i organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës zotit Prof. Dr. Zenun Elezaj, në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë dashamirëse, përballë figurave të njohura akademike, intelektualëve të rajonit dhe dashamirëve të librit.

Vepra “KTHIMI I TRURIT ” është një libër publicistik me karakter reflektues dhe angazhues, i cili trajton temën e diasporës shqiptare dhe potencialin e saj për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, arsimor dhe diplomatik të Kosovës. Në thelb, “Kthimi i trurit” është thirrje për reflektim mbi potencialin e pashfrytëzuar të mërgatës shqiptare. Është platformë mendimi që nxit debat, vetëdije dhe bashkëpunim për një të ardhme më të ndriçuar për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Promovimin e udhëhoqi moderatorja e re Agnesa Vishaj.

Fjalimet e panelistëve, reflektime mbi vlerën e veprës[

Në panelin promovues morën fjalën disa personalitete me peshë, të cilët ndriçuan vlerën e librit dhe rolin e autorit në jetën publike:

Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi lart kontributin e autorit jo vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në jetën shoqërore, kulturore dhe atdhetare. Ai theksoi se Komuna e Klinës gjithnjë do të mbështesë nismat e tilla që kanë për synim ngritjen e vetëdijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. “Ramiz Selimi është një zë që i duhet shoqërisë sonë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se “Kthimi i Trurit” është një pasqyrë e vërtetë e kohës që po jetojmë.

Prof. Safet Gerxhaliu, një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore në Kosovë, foli për rrugëtimin jetësor dhe profesional të autorit. Ai e përshkroi Selimin si një figurë, si urë ndërmjet diasporës dhe institucioneve vendore, që ka dhënë shembullin e bashkëpunimit konkret për zhvillimin e Kosovës. “Ramizi është dëshmi e asaj se diaspora nuk është vetëm burim financiar, por edhe burim i mendjes, përvojës dhe ideve të mëdha,” tha Gerxhaliu.

Prof. Prend Buzhala, recensent dhe redaktor i librit, analizoi strukturën dhe përmbajtjen e veprës me një qasje kritike dhe përkushtim profesional. Ai evidentoi temat kryesore që trajton libri: analizat politike, sfidat e mërgimtarëve, intervistat me personalitete të rëndësishme dhe ngjarjet me peshë historike. Ai vlerësoi gjuhën e autorit si të qartë, të komunikueshme dhe të angazhuar, që arrin të ndërtojë ura mes lexuesit dhe realitetit. “Kjo vepër është më shumë se një libër, është një apel i sinqertë për kthesë kulturore dhe morale,” theksoi Buzhala.

Z. Esat Loshaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, në kumtesën e tij u ndal tek dimensioni qytetar i veprës. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” e tejkalon sferën e publicistikës dhe hyn në fushën e angazhimit të thellë intelektual. “Në çdo faqe të këtij libri ndjehet zëri i një njeriu që nuk pranon të heshtë përballë deformimeve sociale dhe humbjes së idealeve,” tha Loshaj. Në shenjë mirënjohjeje, ai i dhuroi autorit një dekoratë për kontributin e çmuar në letërsi dhe në promovimin e vlerave shqiptare.

Fjalimi i autorit, një rrëfim përkushtimi dhe shprese

Në fjalën e tij falënderuese, autori Ramiz Selimi vuri në pah se libri është ndërtuar mbi përvojat e tij personale në mërgatë. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” nuk është vetëm një përmbledhje analizash apo shkrimesh të rastit, por një përpjekje për të zgjuar ndërgjegjen kolektive dhe për të rikthyer besimin në forcën e mendjes shqiptare.

Selimi solli në kujtesë përvojat e tij nga jeta në mërgatë, ku për vite me radhë ka ndërtuar ura bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve vendore. Ai ndau një ngjarje domethënëse: organizimin e një vizite të delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Austri në një kohë kur vendi nuk kishte ende ambasadë në Vjenë. Ai tregoi me emocion për pritjen zyrtare që delegacioni mori nga autoritetet austriake, duke përfshirë kryetarin e Landit të Austrisë së Epërme, Josef Pühringer, dhe takimet me kryeparlamentaren Barbara Prammer dhe ministrin e jashtëm austriak, ngjarje që shënuan një hap të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.

Por përtej vizitave politike dhe ceremoniale, autori theksoi edhe përpjekjet konkrete për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Kosovës, ku organizuan vizita të shumta në kompani të ndryshme për të parë mundësitë e partneritetit në fusha të ndryshme ekonomike. Sipas Selimit në bashkëpunim me ndërmarrësit austriak u identifikuan mundësi konkrete investimi, u përgatitën propozime të strukturuara. Megjithatë përpjekjet mbeten vetëm në letër, pasi men ndërrimin e qeverive gjithçka kthehej në pikën zero.

Një pjesë e rëndësishme e librit është edhe analiza e modelit irlandez të kthimit të trurit, ku ish-presidentja Mary Robinson ndërmori politika konkrete për të ndalur emigrimin dhe për të rikthyer në atdhe miliona irlandezë. Ky model, sipas autorit, duhet të shërbejë si frymëzim për Kosovën, që ende përballet me ikje masive të kuadrove dhe rinisë intelektuale.

Mbyllja e ceremonisë, një premtim për vazhdimësi

Në përfundim të aktivitetit, të gjithë të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e librit, si simbol mirënjohjeje dhe si nxitje për ta përhapur mesazhin e tij më gjerë në shoqëri. Ceremonia u mbyll mes duartrokitjesh të ngrohta, me ndjenjën se kjo vepër nuk do të mbetet vetëm në raftet e bibliotekave, por do të jetojë si kujtesë dhe frymëzim për një epokë të re mendimi e veprimi kombëtar.

“Kthimi i Trurit” nga Ramiz Selimi, është më shumë se një libër, është një lëvizje mendore, një betejë paqësore për kthimin e mendjes dhe moralit në trungun shqiptar. Dhe kjo betejë, me nisma të tilla, është vetëm në fillim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat