Emrin e Mërgim Bekteshit lexuesi e takon në portalin ObserverKult. Ky autor ka botuar vëllimet «Shkrime për drejtësinë dhe letërsinë» dhe «Kundrime letrare». Kjo njohje e fillimit me shkrimin e tij dëshmon një gamë më të gjerë të angazhimit të tij letrar dhe intelektual. Nga ana tjetër na shfaqet si autor që nuk kufizohet vetëm në recensimin e librave, por gjithashtu shqyrton dhe diskuton tema më të thella, siç janë drejtësia dhe lidhja e saj me letërsinë. Ajo që bën përshtypje, është përqendrimi i Bekteshit në recensionet e veprave të autorëve të ndryshëm të letërsisë shqipe, duke ofruar një këndvështrim të thelluar dhe të nuancuar për secilin autor. Meqë autori e përdor nocionin kundrime letrare, ai ka parasysh një analizë, reflektim ose reagim ndaj një vepre të lexuar, një autori, ideje apo tematike që janë trajtuar në një tekst letrar. Kundrimi letrar është një formë e reflektimit të kritikës që sfidon, kontraston ose ndihmon në thellimin e kuptimit të një vepre letrare. Pra, autori shfaq vlerësime, analiza të menduara, me qëllim që të shtrojë pyetje, që të ofrojë një këndvështrim të ri, ose për të arritur në një përfundim të ndryshëm nga ajo që është paraqitur fillimisht. Një element që është i rëndësishëm në kritikën e tij është se ai nuk shqyrton veprat e shkrimtarëve vetëm përmes një pikëpamjeje të ngushtë, por edhe i lidh ato me zhvillimet më të mëdha, si dhe me historinë dhe traditat e letërsisë shqipe.
Bekteshi ofron njohuri të thelluara për tekstet, por gjithashtu hap mundësi për një dialog të gjallë midis veprës dhe lexuesit. Ajo që mund të jetë veçanërisht tërheqëse për lexuesit është fakti që ai nuk është kritik pasiv; ai bën një përpjekje për ta shtyrë lexuesin të reflektojë më thellë mbi atë që po lexon dhe mbi mënyrën si letërsia e paraqet realitetin shoqëror dhe kulturor.
Bekteshi është përqendruar në autorët dhe veprat më të reja të skenës letrare shqipe, Emrat që përfshihen këtu janë Virion Graçi, Gëzim Aliu, Emin Z. Emini, Dije Demiri-Frangu dhe të tjerë – që janë të njohur për lexuesit që ndjekin letërsinë shqipe dhe janë autore që kanë sjellë një risi në fushën e letërsisë.
Kur flet për romanin Stina e Hijeve të Virion Graçit, ai na jep një analizë shumëdimensionale të veprës, duke u përqendruar jo vetëm në përmbajtjen dhe zhvillimin e ngjarjeve, por edhe në atmosferën dhe mesazhet më të thella që autori synon të transmetojë. Virion Graçi, sipas autorit, ka një aftësi të jashtëzakonshme për të paraqitur një panoramë dramatike të jetës në Ballkan, duke i lidhur ngjarjet me periudha të errëta historike dhe sociale. Stinët e vitit, për të cilat ai shkruan, nuk janë vetëm elemente natyrore, por një metaforë për një shoqëri të shthurur dhe të turbullt, që është e thelluar në mjerimin dhe vuajtjet e popujve të Ballkanit. Kjo përqasje e errët dhe pesimiste e autorit pasqyron realitetin e shumë individëve që jetojnë në këtë rajon, ku jeta është shoqëruar nga lufta, varfëria, emigrimi dhe paqartësitë shoqërore. Një nga temat kryesore që dalin në pah është emigrimi dhe pasojat që ai ka mbi individët dhe familjet. Jeta e emigrantëve, sidomos e një babai të varfër dhe vajzës së tij, është një nga ngjarjet që ndihmojnë në formësimin e dramës sociale që Graçi përshkruan. Ai
Dy autorë tjerë që I merr në lexim letrar, janë dy vepra tjera, romani "Në klubin e të shëmtuarve» i Gëzim Aliut dhe libri poetik "Fjalë të bukura » i Emin Z. Eminit. Leximi kritik i Bekteshit na sugjeron se Gëzim Aliu trajton kontrastet e shoqërisë, të bukurës dhe të shëmtuarës, përdor elemente të realizmit dhe fantazisë për të shpërfaqur ecejaket e njeriut në një shoqëri që është e tensionuar nga moraliteti dhe amoraliteti. Teksa trajtohet tematikën mbi njerëzit që përpiqen të bëjnë një balancë midis normave shoqërore dhe dëshirave të natyrshme, Aliu paraqet një analizë të thellë të psikologjisë njerëzore, e cila prek tabu dhe aspekte të dënueshme të jetës, si incesti dhe varësitë erotike. Po të shkojmë tek poezia e Emin Z. Eminit, ajo del si një krijim me përmasa të thella filozofike dhe shpirtërore.
Në librin e autorit Imer Topanica, "Këpucët e vdekjes", ndeshim një ndarje të thellë dhe të pasur të realiteteve historike dhe sociale, përmes një stilistike të pasur dhe ngarkuar me ndjenja. Bekteshi arrin që leximin e tij letrar ta drejtojë kah zbërthimi i tregimeve që ngërthejnë ngjarje të ndryshme në periudha të ndryshme kohore dhe hapësinore e që janë të përshkuara me një sens të thellë tragjedie dhe reflektimi mbi ekzistencën njerëzore dhe luftën për mbijetesë. Ndërkaq, te libri i Emine Maliqit “Kuqmi flokët e thimë”, e ndjek një tjetër lloj vlerësimi artistik dhe stilistik. Poetika e Emine Maliqit është e pasur me ndjeshmëri të thellë ndaj jetës, kujtesës, dhe natyrës njerëzore. Përmbledhja e “Kuqmi flokët e thimë” është gjithashtu një reflektim mbi proceset e brendshme të autores për ta kuptuar dhe pranuar kalimin e kohës, si dhe për ta përjetuar një lloj melankolie për gjërat e humbura.
Më tutje vijnë kundrimet për dy romane të rëndësishëm nga autori Ardian Haxhaj dhe Veli Karahoda, dhe qartëson shumë nga temat që ata ballafaqohen përmes ironisë dhe sarkazmës. Letërsia e Haxhajt, veçanërisht në romanin "Mirë se vini zoti Ambasador", përdor një qasje shumë të fuqishme, duke e paraqitur shoqërinë post-luftë të Kosovës në një dritë të errët dhe cinike. Në të njëjtën linjë, Karahoda në romanin "Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit" trajton dramën e individëve dhe sistemeve autoritare, veçanërisht të periudhës jugosllave. Ai e përdor temën e spiunazhit dhe korrupsionit për të nxjerrë në pah mosfunksionimin dhe mizoritë e regjimeve që kanë qeverisur Ballkanin.
Ky vëllim pëtfshin po ashtu një analizë të pasur për dy libra të veçantë poetikë: Qumështi i Poezisë nga Dije Demiri-Frangu dhe Murana Fjalësh nga Majlindë Sinani-Lulaj. Të dyja këto vepra ofrojnë një pamje të pasur të shpirtit njerëzor dhe një shkrim të ndërlikuar që përfshin tema të ndryshme historike, sociale dhe personale.
Për Skënderbeun, autori Bekteshi zgjedh librin "The State of Scanderbeg, Institutions and the Applied Law" nxjerr në pah një aspekt të rëndësishëm të periudhës së tij: jo vetëm si një strateg ushtarak i suksesshëm, por edhe si një lider shtetëror dhe jurist që organizoi sistemin e drejtësisë dhe administratës në Shqipërinë e mesjetës. Skënderbeu ndërtoi një shtet të drejtësisë, duke përfshirë ligjet e lashta shqiptare dhe ato të huaja, ndërsa angazhimi i tij për të mbrojtur popullin shqiptar nga dy kërcënime të mëdha – pushtimi osman dhe agresioni i shteteve të tjera – është thelbësor për historinë shqiptare.
Në lidhje me romanin e Adil Ollurit, "Bartësi i shpirtrave të përzënë", kritiku Bekteshi shfaq reflektimin tragjik mbi vuajtjet dhe pasojat e dëbimit të shqiptarëve gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Olluri përdor narracione të fuqishme për ta paraqitur tmerrin e deportimit dhe gjenocidit, përmes një strukture romani që ndjek një udhëtim shpirtëror dhe fizik të personazheve të tij. Në fund vjen autori Lutfi Lepaja, i cili në krijimtarinë e tij, sjell një dimension të thellë të jetës shqiptare përmes poezive që ngërthejnë simbolikën e dhimbje. Lepaja i jep një zë të fortë asaj që është e heshtur në shoqërinë shqiptare: ndjenjat, humbjet dhe kompleksitetet e individëve dhe familjeve, të përshkruara në një gjuhë që është e thjeshtë dhe e qartë, por mbart shumë domethënie.
Diskursi kritiko-letrar dhe i nocioneve që përdor Mërgim Bekteshi, është ai i procesit të analizës dhe vlerësimit të veprave letrare, i cili na ndihmon që ta kuptojmë thelbin, strukturë dhe funksionin e një vepre. Kritika merr forma të ndryshme, si analiza estetike, ideologjike, sociologjike, historike, etj. Kritika letrare përdor një diskurs të përcaktuar për të interpretuar veprat dhe për të nxjerrë në pah mesazhet e autorëve dhe ndikimet që ato kanë tek lexuesi.
Ky diskursi kritiko-letrar i kiëtij autori mbështetet gjithashtu në teori të ndryshme letrare që kanë formuar një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të kritikës letrare. Një aspekt i rëndësishëm është roli i interpretimit që përfshin edhe mënyrën se si ky autor e krijon kuptimin për një vepër, duke u mbështetur në idetë e autorit, por edhe në përvojat dhe perceptimet e tij
Neudorf, Maj 2025