Në një atmosferë magjike dhe plot emocione, zhvillohet mbrëmjen e kësaj të diele finalja e madhe e “Miss Universe Albania dhe Kosova 2025”.
Spektakli do të transmetohet LIVE në Tv Klan, duke sjellë për publikun një natë të paharrueshme ku bukuria, talenti dhe inteligjenca e vajzave shqiptare bëhen protagoniste.
25 konkurrente nga Shqipëria dhe Kosova garojnë për kurorën e shumëdëshiruar, ndërsa në skenë do performojnë artistë të njohur si Pandora, Stine, Aleksandër Gjoka, Era Rusi, si dhe fitues të talent-show më të njohur X Factor Albania Alis & Rigersa.
“Këtë vit, me grupin realizues kemi menduar që të rrisim pak edhe argëtimin, duke sjellë sfilatë përmes muzikës live, nëpërmjet orkestrës që kemi në Pallatin e Kongreseve dhe me disa prej këngëtarëve më të mirë të muzikës shqiptare”, thotë drejtoresha artistike, Kozeta Kurti.
Juria, e përbërë nga emra të njohur të artit dhe medias, do të shpallë dy fituese që do të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë dhe Kosovën në eventin ndërkombëtar “Miss Universe 2025”, që këtë vit do të zhvillohet në Tajlandë më 21 nëntor.
“Ne premtojmë një spektakël të mirëfilltë televiziv, me shumë të ftuar specialë, me një juri mbreslënëse, emrat më të shquar të showbiznesit shqiptar, dhe një të ftuar speciale në cilësinë e presidentes së jurisë, që është Morena Taraku. Na prisni sonte në televizionin Klan”, u shpreh Albert Dumani, drejtor i programacionit në Tv Klan.
“Do të mbetet gjatë në memorien time, jo vetëm si titull, por për eksperiencën që ka lënë në jetën time”, deklaroi Miss Universe Albania 2024, Françeska Rustem.
“Është një përgjegjësi dhe një privilegj që të transmetohesh nga një ndër mediat më të forta të Shqipërisë. Duhet të bëjmë më të mirën për të dhënë maksimumin në këtë show”, tha producenti Eduart Deda.
Një natë e jashtëzakonshme me shumë yje të ftuar që kremton bukurinë shqiptare, e cila pritet të mbahet mend gjatë!