Rikujtesë, për të mos e harruar të kaluarën

Kultura

Rikujtesë, për të mos e harruar të kaluarën

Nga: Ajete Zogaj Më: 17 korrik 2025 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Qëndresa dhe sakrifica e popullit tonë gjatë viteve u bë frymëzim për shumë gjenerata, për t’i rrëfyer e për të mos i harruar kurrë, padrejtësitë historike dhe luftën e drejtë për liri. Ky rrugëtim i vështirë shpaloset edhe në faqet e librit të arsimtarit Kamer Zogaj, “Vite qëndrese e mbijetese : (fletëza ditari)”, për t’i sjellë lexuesit vitet e rënda të robërisë dhe luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës të viteve 1997-1999.

Janë ngjarje, dhimbjeje e tortura, vrasje e dëbime, shkatërrime e tmerre që autori Kamer Zogaj, në formë ditari pothuajse të përditshëm, i shkruan ato vite të rënda, kur luftohej për jetë a vdekje. Realiteti i atyre viteve është dhënë pa hijeshime e zbukurime, në një ambient ku jeton autori, në vargmalet e Berishës, të cilat me të drejtë mund të quhen malet e pathyeshme të rezistencës.

Fletëzat e ditarit të Kamer Zogajt janë fletëza të sakrificës së shqiptarëve të Kosovës në luftën e pabarabartë me agresionin serb deri në fitoren e lirisë. Janë fletëza luftimesh e granatimesh në Prekaz, Abri, Reçak, Gllogjan, Pejë, Gjakovë, Podujevë, Grykë të Llapushnikut, Kleçkë, vargmale të Berishës... Në secilën faqe të këtij ditari ka ngjarje të cilat e kthejnë lexuesin në kohë dhe në secilën prej tyre frymon optimizmi se qëndresa dhe lufta e drejtë do ta sjellin lirinë. Libri “Vite qëndrese dhe mbijetese : (fletëza ditari)”, me thjeshtësinë dhe modestinë e shtjellimit të ngjarjeve të atyre viteve, na sjell në rikujtesë, për të mos e harruar kurrë, atë që përjetuam si popull dhe si komb.

Të nderojmë deri në përulje sakrificën e të gjithë atyre që vendosen gurthemelet e shtetit të Kosovës ndër vite. Lavdi dhe nderim të rënëve për liri! Ky libër është i një rëndësie të veçantë dhe mund të shërbejë në shumë fusha studimore për dokumentim të kujtesës historike të popullit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat