Gjakova

Kultura

Gjakova

Nga: Agron Shabani Më: 21 korrik 2025 Në ora: 16:21
Autori Agron Shabani

Unë nuk e urrej, por e dua shumë Gjakovën trime, martire dhe heroike. Po për besë!

Gjakova, apo kryeqyteti i njohur mendor, shpirtëror dhe kulturor i Kosovës, në realitet, plotësoi një detyrë të madhe ose kolosale.

Ajo la gjurmë të thella e të pashlyera në analet e historisë shqiptare ose kosovare.

Ky kontribut mund të çmohet dhe vlerësohet gradualisht, me zhvillimin e shoqërisë njerëzore ose qytetare në Kosovë.

Duke menduar në thesarin e saj mendor, intelektual, shpirtëror dhe kulturor, në jetën e saj, ekskluzivitetin, autenticitetin, individualitetin, spontanitetin, intimitetin, integritetin, integralitetin, kulturën dhe zhvillimin e saj, nën hijen e sundimit të huaj për shumë shekuj e dekada me radhë, gjatë të cilave Gjakova ishte qendër drite dhe shprese, vend i shkencës, artit dhe kulturës, prej nga ku shpërndahej drita e njohur e shkencës dhe diturisë në tërë Kosovën.

Parimi i lirisë së ndërgjegjes dhe arsyes, i cili përbën gurin themeltar mbi të cilin qëndron madhështia e vërtetë e çdo kombi dhe shteti, ishte shumë i vlerësuar, madje gati i shenjtë në Gjakovë. Mos harroni!

Nga viti 1972 e deri në fundshekullin e kaluar, kur njerëzit ose fshatarët e ndryshëm të Kosovës binin në gjak, vriteshin si qen dhe silleshin ndaj njëri-tjetrit si pjesëtarë klanesh ose fisësh të egra: Elitat e njohura shkencore, intelektuale dhe kulturore të Gjakovës dhe qyteteve tjera kosovare, me dritën e mendjes dhe shpirtit të tyre inovator dhe humanist, e kishin nxitur dhe stimuluar procesin e madh të edukimit (arsimimit) dhe emancipimit të madh, jo vetëm në Gjakovë, por gjithandej Kosovës.

Ndaj, nëse ka diçka inteligjente, racionale, morale, njerëzore ose humaniste te njeriu i ditur, njeriu i thellë, intelektual dhe patriot, ajo patjetër do duhej të zbriste ose të ulej në fushën ose terrenin e njohur të arsyes dhe ndërgjegjes së lartë njerëzore ose qytetare. E sidomos ndaj vlerave dhe thesarit të madh intelektual, kulturor, luftarak dhe patriotik të gjakovarëve.

Shumë e çuditshme, paradoksale, reaksionare dhe anakronike është tendenca ose hipokrizia e sëmurë, violente, infantile dhe patologjike e personit ose individit për të baltosur ose pluhurosur Gjakovën trime, martire dhe heroike, e cila kombit, atdheut, shkencës, kulturës, arsimit, luftës dhe patriotizmit të shqiptarëve gjithandej, u ka ngritur përmendore ose lapidar të përjetshëm.

Të gjithë ata që nuk e njohin dhe mohojnë luftën dhe lëvizjet e tjera çlirimtare dhe patriotike për lirinë (çlirimin), shtetin dhe pavarësinë e Kosovës: E mohojnë, prolongojnë ose anashkalojnë rolin, angazhimin, kontributin dhe misionin kolosal dhe titanik të elitës së njohur shkencore, intelektuale, kulturore, ushtarake (luftarake) dhe patriotike të Gjakovës në lirinë (çlirimin), shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe nga kjo, edhe përngjasimet, paralelet ose analogjitë e ndryshme mes Gjakovës dhe Vajmarit (Weimar) duhet kuptuar, perceptuar dhe konceptuar jo si të rastësishme, sipërfaqësore ose egocentrike, por si fakt dhe realitet objektiv dhe subjektiv.

Se këndejmi, kur tërë Kosova ishte zhytur në errësirën e paditurisë dhe kërkonte edhe përmes vrimës së gjilpërës dritën e shkencës që të gjallërohej, në Gjakovë shkëlqente dhe brilonte një dritë e madhërishme për Kosovën dhe shqiptarët.

Ndërkaq, në kohën kur edukata, kultura, arsimimi, emancipimi, morali dhe disiplina e njohur shkencore, intelektuale, kulturore ose akademike, së bashku me librat dhe bibliotekat, për politikanët dhe "diplomatët" e ndryshëm kosovarë nuk nënkuptonin ose nuk përbënin asgjë: Njeriu habitej me zellin dhe përkushtimin e madh me të cilin gjakovarët e urtë dhe dinjitozë iu qasën ose rrekën studimit dhe analizës, duke mos iu shmangur për asnjë çast traditës së njohur kulturore, intelektuale dhe patriotike.

Ndonëse, në Kosovën e kontrasteve dhe paradokseve të shumta, çështjet ose aspektet e njohura të rubikonit ose grafikonit të rënies dhe ngritjes së inovacionit, kreativitetit ose "prodhimtarisë" së përgjithshme shkencore, intelektuale, morale, fetare, kulturore, politike, diplomatike dhe të tjera, janë të varura dhe të ndikuara nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Ndërkohë që jetën ose skenën e përgjithshme shtetërore, nacionale, kushtetuese, institucionale dhe politike të Kosovës gjithmonë ose vazhdimisht e kanë dominuar ose karakterizuar tensionet ose ashpërsimet e vazhdueshme ose permanente të marrëdhënieve dhe raporteve të gjithëmbarshme kontradiktore dhe polarizuese mes blloqeve ose taborëve rivalë dhe antagonistë me njëra-tjetrën.

Mbase, acarimi dhe tensionimi i qëndrimeve, pikëpamjeve dhe koncepteve të betonuara, detronizuara, fortifikuara ose çimentuara nëpër trashe, rrogoze ose istikame të ndryshme fetare, kulturore, rajonale, krahinore, partiake, politike, konceptuale, ideologjike dhe të tjera, të cilat sigurisht se janë shfaqur, reflektuar ose interferuar drejtpërdrejt ose në forma dhe profile të ndryshme eksterne ose eksplikative edhe në gjendjen ose botën e brendshme shpirtërore, emocionale, mendore dhe psikofizike të individit dhe kolektivitetit, me tendenca të hetueshme ose tepër transparente për t’u shfaqur ose manifestuar dikur më vonë ose vazhdimisht në formë krizash të rënda globale ose kolektive me pasoja të paparashikuara (fatale, kolaterale dhe multilaterale) për Kosovën dhe shqiptarët.

Kështu që jeta, bota ose panorama e gjithëmbarshme shkencore, intelektuale, kulturore, institucionale ose politike në Kosovën e para- dhe pasluftës, shpeshherë ose vazhdimisht i kanë ngjarë një klinike ose spitali ku çdo pacient sikur ka qenë i udhëhequr ose zotëruar nga ideja përverse, amorale dhe bizantine për të ndërruar shtratin (krevatin), karrigen (fotelën) dhe personelin e klinikës me një shtrat, karrige (fotele) dhe personel tjetër – të përkthyer në aleat ose partner shteti dhe pushteti.

Ndërkohë që ajo situatë e rëndë dhe tepër deprimuese sikur i ka bërë të vuajnë ose lëngojnë nga e njëjta sëmundje ose diagnozë, edhe pacientët, edhe personelin mjekësor të klinikës.

Me fjalë të tjera: Gjakova dhe gjakovarët, për shqiptarët e pastër e të vërtetë, janë diçka e shenjtë, hyjnore ose profetike. Amanet i madh, dekalog dhe testament i përjetshëm.

Kjo për faktin se Gjakova dhe gjakovarët i kanë ngritur, projektuar, mbrojtur, kultivuar, afirmuar dhe avancuar 7 (shtatë) gjëra dhe aspekte të rëndësishme: artin muzikor, kulturën, traditën, luftën për liri ose çlirim kombëtar, historinë, arsimin dhe shkencën – që përkojnë me aspiratat dhe interesat e larta të kombit dhe atdheut.

Ndaj, në "peizazhin" ose "mozaikun" e rrënimit (shkatërrimit) të përgjithshëm, nderi, morali, virtyti dhe saktësia, sipas Samuel Beketit dhe Anatole France-it, janë vetëm sinonim ose "pseudonim hyjnor" ose "profetik" të cilin Zoti (Hyji) nuk deshi ta nënshkruajë.

"Pasi e përfunduan luftën gjigantët, viganët, aktorët, protagonistët ose heronjtë e saj kryesorë, atëherë ia nisën luftës xhuxhat, horrat, maskarenjtë e ndryshëm ose matrapazët!" – do thoshte dikur (në një kontekst tjetër) Winston Churchill-i.

Ndryshe nga kjo, duke i parë ose kujtuar nga largësitë ose distancat e ndryshme kohore dhe gjeografike nënat gjakovare, të bëhet sikur e sheh ose takon sërish diku Maria Magdalenën para kryqit ose varrit të Jezu Krishtit.

E sidomos njerëzit ose qytetarët e njohur shqiptarë nga Gjakova gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke i tejkaluar rrathët e ferrit të Dantes, si dhe duke i zbritur shkallët e fundit të asaj apokalipse të madhe të fundshekullit të përgjakshëm.

Nga kronikat e ndryshme të luftës së fundit në Kosovë, pos tjerash, i kemi njohur, kuptuar ose lexuar edhe sytë e nënës ose gruas së njohur gjakovare (shqiptare) që flasin në distancë dhe shkruajnë faqe ose kronika të shkëlqyera mbi luftën, heroizmin, vetëflijimin, sakrificën...

Sytë e saj që shohin diku thellë në kohë dhe hapësirë dhe brenda algjebrës ose alfabetit të tyre e kanë të bukurën, të mençurën, të lavdishmen, sublimen, madhështoren...

Dhimbjen, por edhe mburrjen ose krenarinë e luftës çlirimtare dhe patriotike të UÇK-së.

Edhe për gjuhën dhe gjakun e censuruar, zemrën, shpirtin, palcën dhe limfën.

Edhe për ato rropatje ose "përplasje indiferente" qerpikësh që mezi i presin rrezet e diellit – menjëherë pas shiut ose ylberit.

Kam lexuar, mësuar dhe kuptuar edhe për shumë numra, shifra, ngjarje dhe data.

Femrat ose gratë e mençura, të bukura, krenare dhe heroina, sipas Sigmund Freudit dhe Carl Gustav Jungut, janë simboli, udhërrëfyesi, lajtmotivi dhe fenomeni kryesor në psikikën ose psikologjinë e mashkullit ose të burrit.

Ashtu siç është mashkulli (burri) i fortë dhe i vërtetë ose ekselent në shpirtin dhe psikikën (psikologjinë) e gruas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat