Mitologjia personale e poetikës së Lulzim Logut

Kultura

Mitologjia personale e poetikës së Lulzim Logut

Dr. Sc. Migena ARLLATI Nga Dr. Sc. Migena ARLLATI Më 22 tetor 2025 Në ora: 06:48
Foto ilustrim

“Pikënisja e mëkatit” është një përmbledhje poetike që mbledh në vetvete trevargësha dhe pesëvargësha të autorit Lulzim Logu, një krijues që në këtë vepër shfaq ndjeshmëri të mprehtë lirike, gërshetuar me përjetime intime, kujtesë kolektive dhe një natyralizëm të thellë simbolik. Titulli sugjeron një reflektim ekzistencial mbi origjinën e dhimbjes, fajit, dhe njeriut përballë kohës që “vdes si zemër”.

Ky libër përbëhet nga një koleksion poezish me titujt “Koha vdes si zemër”, “Krisht i harruar”, “Zogu që s’ka lindur”, “Pikë mbi i”, “Ethet e lutjes” dhe “Simfonia e shiut”, ku përshkruhen në mënyrë të ndjeshme dhe simbolike tema të thella njerëzore dhe universale.

Krijesat poetike janë të shkurtëra në formë (tre dhe pesë vargëshe), por të ngarkuara me domethënie metaforike e simbolike. Kjo ekonomi fjalësh është e studiuar, si në stilin e haikut japonez, ku përmes një imazhi të vetmuar, aktivizohet një botë e tërë përjetimesh. Autori e dërgon më tej këtë traditë shkrimi, duke kaluar nga haiku te elegjia.

Në poezitë e librit trajtohet koha si një element që kalon dhe vdes, ndjenja e harrimit dhe dhimbja shpirtërore që lind nga vetmia dhe mungesa, si dhe përpjekja për të gjetur kuptim dhe shpresë në botë. Titujt e tillë si: “Krisht i harruar” dhe “Zogu që s’ka lindur” përfaqësojnë ëndrrat dhe vuajtjet njerëzore, ndërsa “Pikë mbi i” dhe “Ethet e lutjes” flasin për kërkimin shpirtëror dhe përkushtimin ndaj jetës dhe besimit. Nga ana tjetër, “Simfonia e shiut” është një sintezë metaforike ku natyra dhe emocionet njerëzore përzihen, duke krijuar një atmosferë reflektimi mbi mallin, shpresën dhe ndjenjat e thella që lidhen me kalimin e kohës dhe ndryshimin.

Në tërësi, libri është një udhëtim në botën e brendshme të autorit, ku koha, dhembja, lutja dhe natyra bashkohen në një poezi të pasur me figura dhe simbole, duke ofruar një pasqyrë të thellë mbi përjetimet dhe kërkimet e shpirtit njerëzor.

Logu operon mjeshtërisht me format e shkurtra poetike (trevargëshat dhe pesëvargëshat) duke përqendruar emocionin në një strukturë të ngjeshur e të ndjerë. Kjo formë i jep poezisë intensitet, lë vend për nëntekste dhe e lë lexuesin me një shije mallëngjyese pas çdo poezie. Struktura e vargjeve të shkurtër është përzgjedhur me kujdes dhe përshtatet natyrshëm me tonin elegjiak dhe meditativ të veprës.

Poezitë mbartin një ndjeshmëri të thellë lirike dhe një dhembje të heshtur që shpërthen në detaje të vogla. Ka një qetësi të tensionuar, një vuajtje të përmbajtur që zbulon me finesë brishtësinë njerëzore, qoftë kur flet për nënën, babain, dashurinë, qoftë për një molikë të mbjellë mbi varr apo një qiri që digjet natën, Logu është gjithnjë i përkorë dhe i kujdesshëm, duke e ruajtur dinjitetin e dhimbjes.

Autori ndërton një poezi që, ndonëse lidhet tematikisht me poetikën tradicionale shqiptare të malësisë, është e veçantë në zërin e saj, e përmbajtur, introspektive dhe moderne në ndërtimin metaforik. Vëllimi nuk ka poezi as folklorike, as deklarative; ato janë më tepër medituese dhe vizuale, shpesh të afërta me estetikën e haikut, me imazhe të prera, të kthjellta, por të ngarkuara me nënkuptime.

“Pikënisja e mëkatit” është një vepër që fton për lexim të ngadaltë dhe përsiatës. Në një kohë kur zhurma shpesh mbizotëron mbi thellësinë, kjo përmbledhje shfaqet si një zë i qetë, por i fuqishëm, që na kujton se edhe dhimbja ka artin e vet të heshtur. Logu arrin të krijojë poezi që nuk ngopet me fjalë, por ushqehet me ndjenja, dhe për këtë meriton vëmendjen e letërsisë shqipe bashkëkohore.

Kapitulli “Krisht i harruar” përbën një kulm shpirtëror dhe simbolik të gjithë përmbledhjes. Që në titull, autori vendos një paralele të fuqishme mes vetes dhe figurës së Krishtit, jo Krishtit shpëtimtar, të lavdishëm, por Krishtit të harruar, të braktisur, të kryqëzuar në vetmi dhe harresë. Kjo është një metaforë thellësisht ekzistenciale dhe dramatike për vetë qenien njerëzore përballë dhimbjes, dashurisë së humbur, dhe kuptimit të jetës.

Vargjet hapëse janë tronditëse në thjeshtësinë e tyre:

Hera-herës / Jam Krisht i harruar / Majë gozhdës...

Ky figuracion ngre poetin në një nivel simbolik universal: një shpirt që vuan, që mbahet pezull në gozhdë (në dhimbje), që është braktisur nga dashuria, nga jeta, ndoshta edhe nga Zoti. Kjo është më shumë se një figurë biblike; është një portret i njeriut modern, i rënduar nga kujtimet, i gozhduar pas dashurive të shkuara, dhe i harruar nga ata që dikur e deshën.

Poezitë e këtij kapitulli përshkuhen nga një dashuri e thellë, por që i përket së kaluarës. Ajo nuk është më e prekshme, por vetëm kujtim, shpesh e përvëluar si hiri i një puthjeje të dikurshme:

Tash veç hiri i puthjes / Feks hera-herës / Gaca kujtimi...

Dashuria është një zjarr i fikur që ende lëshon flakë të ngrohta në kujtim. Autori nuk na sjell dashurinë në kulmin e saj, por në fazën e saj pas shuarjes, ku mbetet dhimbja, mungesa, dhe mallkimi i ëmbël.

Në shumë poezi, natyra nuk është thjesht sfond, por shprehje e ndjenjës: Shi tetori, që është një korrigjim i kohës së vjeshtës, nuk është vetëm klimë por ndjesi.

Foleja që bie, ura që zhduket, veriu që përplas trungjet, bora që nuk lag, por vret, janë metafora të dashurisë së dështuar dhe vetmisë.

Bora bie si dhembje / Nuk lag / Por vret...

Kjo është një nga figurat më të forta të kapitullit, ku e ftohta nuk është fizike, por emocionale; është mungesa e ngrohtësisë, mungesa e dashurisë, mungesa e një kujtimi që të ngroh.

Ku të shkoj pa ty / Kam rrugë të gjatë / Pa busull...

Këtu, rruga pa busull është jeta pa dashuri, pa orientim emocional, ku gjithçka bëhet e pakuptimtë. Vargjet janë të thjeshta, por thonë shumë: pa tjetrin, pa “ti-në”, unë nuk kam ku të shkoj.

Ky kapitull nuk është vetëm për dashurinë romantike. Ai përfshin figura të tjera që bartin dhimbje:

Fëmija i humbur, një nënë që kërkon sytë e fëmijës në liqen: një pamje prekëse e dhimbjes njerëzore që s’ka fund.

Logu himnizon një homazh për Din Mehmetin: poeti që harroi të vdesë, ku letërsia bëhet vazhdim i jetës përtej vdekjes. Miku i ikur dhe poeti mbahen veç në thellësi të shpirtit.

Poezitë janë të pasur me toponime që krijojnë një topografi emocionale: Maja e Hekurave, Jezerca, Gjakova, liqeni, pylli, bora në maj, veriu në korrik… këto vende nuk janë vetëm vende reale, por hapësira simbolike të braktisjes, kujtimit dhe dashurisë së humbur.

Kapitulli “Krisht i harruar” është më tronditësi në gjithë veprën. Ky kapitull është një poezi e gjatë e braktisjes dhe përpjekjes për të mbijetuar përmes kujtimit. Është jo vetëm letërsi, por edhe dëshmi e vuajtjes njerëzore që kapërcen kohën dhe trupin.

“Zogu që s’ka lindur” është ndoshta kapitulli më i thellë emocionalisht në vëllimin “Pikënisja e mëkatit”. Në të, Lulzim Logu ndërton një botë të humbur, që jeton vetëm në kujtesë, përdor gjuhë të pasur në simbolikë natyrore dhe ndjesore, artikulon dashuri të papërmbushura, jetë të ndërprera, ndjenja të pangushulluara. Është poezi për çka mund të kishte qenë, por nuk ndodhi kurrë.

Që nga titulli, kemi të bëjmë me një metaforë të jetës së pamundësuar, një jetë që nuk ka marrë trajtë, një dashuri që nuk u bë dot, një kujtim që vjen si dhimbje e paplotësuar. Ky zog, që ende fle i palindur mbi telin e rrobave, bëhet figurë qendrore e gjithë kapitullit: shpresa e braktisur, ëndrra e shtypur, jeta e pezulluar.

Poeti i jep zë ndjesive që vijnë nga: humbja e dikujt të dashur, kalimi i pamëshirshëm i kohës, fëmijëria e thyer nga realiteti, dashuria e pamundur për t’u rikthyer, dhembja që është bërë e përditshme. Këto janë përjetime intime por universale, që secili mund t’i ndjejë si të vetat.

Që në vargjet e para: Si ta ruaj kujtim / Portretin tënd / Brof mëngjesi / Pa mbyllur sytë / Vonohet dielli... kemi një përplasje të ndjeshme mes kujtesës dhe kohës që kalon. Kujtimi është i lodhur, syri nuk mbyllet, dielli vonohet, nata nuk pushon. Është një ndërprerje e natyrshme e qetësisë: dashuria nuk është më ngushëlluese, por e padurueshme. Edhe koha sillet si armike.

Shkolla e vjetër / U shemb së fundi / Poshtë fletoresh të zverdhura / Palohet historia...

Rrëzimi i shkollës është më shumë sesa prishje e një godine, është zhdukje e një kohe, e një jete. “Fletoret e zverdhura” janë dëshmitarë të fëmijërisë, dashurive të para, ëndrrave naive, që tani zverdhen nën rrënojat e kujtesës.

Zogu si figurë qendrore dhe metaforë e dhembjes së pezulluar, përfaqëson shumë gjëra njëherësh:

jetën e munguar, ëndrrën që nuk u bë dot realitet, dashurinë e parealizuar, fëmijën e humbur.

Varur një rrobë dalë boje / Ku ende fle / Zogu që s’ka lindur...

Është një imazh që ngjall trishtim të thellë dhe reflektim. Një jetë që nuk arriti të jetë, dhe mbeti vetëm si potencial. Kjo është një prej metaforave më të forta poetike të gjithë vëllimit.

Poezitë janë plot me përjetime të një dashurie të largët, por që ka lënë gjurmë të pashlyeshme:

Të dua se s’mundem ndryshe / Të dua se s’mund të mbetem...

Poeti nuk mund të mos dojë. Dashuria nuk është zgjedhje, por pjesë e përbërjes së tij. Ajo që dikur ishte jetë, tani është hiri i puthjes, por ende djeg.

Lulzim Logu përdor elemente natyrore si projeksione të ndjesive të brendshme: shiu (përfaqëson mërzinë, vetminë, pastrimin e dhimbjes), era (sjell kujtime, plagë të vjetra, por edhe ndjenja të pathëna), pylli, mali, pluhuri (metafora për harresën, lodhjen, fundin e diçkaje).

Ka vargje që sjellin shuarjen e poetit, të nënës, të një kohe të ikur:

Nëna s’po ecën më si dikur / Kotet në djepin e kujtimeve...

Poetit ia prenë këmbët... shkruan përmendsh...

Poeti vetë e ndien që trupi po i shkon drejt shuarjes, por fjalët mbeten të gjalla, vazhdojnë të ecin, të vrapojnë në kujtim, në letër, në dashuri.

Poezia e fundit është shumë e fuqishme:

Një shqipe e vogël ka rënë prej foleje majë lisi... Ndërsa fati i saj shkapetet pa mëshirë tokës.

Kjo shqipe e vogël është e njëjta figurë me zogun që s’ka lindur. Është jeta që nuk arriti të fluturojë, fati i shuar, një dritë që u shua para se të ndizet plotësisht. Kapitulli përfundon me një ndjesi tragjike, por të bukur, një pranim të humbjes, por edhe një lavdi të heshtur të saj.

Ndalesa tjetër poetike, e titulluar “Pikë mbi i”, i referohet një detaji gjuhësor të vogël, por në nivel metaforik lidhet me gjërat e vogla që bëjnë ndryshimin, me atë që kompletohet ose mbetet përgjysmë, me një akt që pret përmbyllje, por që mbetet i pakryer.

Kapitulli flet për dashuri të mbetura pezull, për emocione që kanë rënë si gjethet në vjeshtë, për plagë që nuk mbyllen, dhe për jetë që nuk arrin të kompletohet pikërisht sepse mungon ajo “pikë mbi i”.

Kreaturat poetike dominohen nga vjeshta, e cila s’është vetëm stinë, por ndjesi. Varg pas vargu, vjeshta shfaqet si: kohë reflektimi, shuarje dashurie, ikje, pendesë, ngjyrë që venitet, shpirt që zbehet.

Trishtimi im shkon / Paralel me vjeshtën / Duke ndërruar ngjyrë…

Vjeshta tashmë ra / Besimeve të mia…

Vjeshta për poetin është gjendje shpirtërore, një mbi-motiv emocional që përfaqëson ikjen e të dashurës, pleqërinë që afrohet, kujtimin që s’mund të përmbyllet.

Logu përdor një stil poetik minimalist, por me fuqi emocionale të thellë dhe figuracion tejet të pasur me simbole, metafora, personifikime: Shiu e bëri qull / Portretin tënd / Në zemër...

Mermeri i lagur / Duket sikur qan / Te fotografia jote…

Flokët e tu si alga / Përdridhen pa pushim / Ujëvarë e blertë…

Kjo mënyrë shkrimi e bën poezinë vizuale dhe të prekshme, një galeri emocionesh në tablo natyrore.

Në shumë vargje, dashuria është e kaluara që ende djeg, por që nuk mund të rikthehet:

Dita shuhet shpejt / Si perde bie muzgu / Mbi aktin e pakryer…

Puthja është përjetim, por edhe mungesë e saj është dhembje fizike. Trupi reagon, zemra dridhet, muzgjet ndizen nga kujtimi i saj. Është dashuri që ka ndodhur, por kurrë nuk është plotësuar – një dashuri e ndërprerë para kulmit të saj:

Për një puthje tënden / E fal krejt stinën / Mbes dru i zhveshur…

Në disa nga poezitë më prekëse, përfshin edhe figurën e nënës, e cila është duke u mplakur, heshtur, zvogëluar:

Mezi mbledh brinjët / Nëna e mplakur / Të përcjellë vjeshtën…

Kam harruar të tregoj / Përrallat e fëminisë / Po plakem…

Poeti vëren si kujtimet zbehen, si jeta e kaluar bëhet peshë, dhe si malli digjet edhe në gjërat më të zakonshme, si gota e çajit apo aroma e një trupi që mungon.

Vargu përmbyllës: Gjithçka e ka fundin / Dhemb duke u shuar / Ende e pakryer… shpreh qartë moton e kapitullit: jeta është një seri dashurish, pritjesh, kujtimesh që nuk përmbyllen. Ato mbeten si fjali pa pikë, si i pa pikë, si zemër pa përgjigje.

Një kapitull i përshpirtshëm për dashuritë që ikin dhe shenjat që mbeten “Pikë mbi i”, ku poeti përpiqet të mbyllë disa kapituj të jetës së vet por pa sukses. Ai është një shkrim i mungesës, një poezi për hijet, për ndjenjat e pakryera dhe për aktet e ndaluara në mes. Edhe kur mundohet të vendosë “pikën mbi i”, shpesh e gjen veten mes fjaleve të grisura, vjeshtave që nuk kthehen, dhe dashurive që mbeten vetëm kujtim.

Titulli “Ethet e lutjes” është një oksimoron i fuqishëm poetik, që ngërthen pasionin, ankthin dhe shpresën në njëkohësi. Fjala “ethe” sugjeron temperaturë të lartë, zjarr të brendshëm, ankth dhe mall, ndërsa “lutja” është një akt i nënshtrimit, përulësisë dhe besimit. Pra, kemi të bëjmë me një kapitull ku dashuria dhe mungesa përjetohen si ritual shpirtëror, ku ndjenjat janë të dehura, trupi dhe shpirti luten për shërim nga një mungesë që nuk kalon. Është një lutje e zjarrtë për dashurinë, për praninë, për kujtimin, për kthimin.

Poeti e përjeton dashurinë si një përvojë të shenjtë. Ajo është besim:

Verbërisht të dua / Ani pse e di / Do humb sytë...

Është një udhëtim mistik, me stacione dhimbjeje dhe shprese:

Përditë lutem / Mbaj ndezur / Shpresën…

Ai e sheh të dashurën si një zotësi të përjetshme, që sado e largët, mbetet objekt lutjeje:

Shoh me zemër / Atë që ndiej / Diell maji…

Në këtë kontekst, kapitulli ngjan me një psalm modern dashurie, ku fjala është lutje, mungesa është provë, dhe ndjenja është besim.

Përmes figurave, krijohet një botë ku trupi, ndjenja dhe natyra janë të shkrira bashkë, si në këtë përshkrim sensual e fizik:

Gjinjtë e kërcyer / Shqyejnë pëlhurën / Piskat liria…

Kjo përzierje ndjesish me detaje të përditshme, e bën poezinë të prekshme, fizike, reale por njëkohësisht të përjetshme:

M’i mbyll sytë / Dora jote e zgjatur / Për lamtumirë...

Në shumë poezi, kujtimi është një forcë që përplas, që digjet si qiri por s’fiket dot.

Në sfond të kapitullit, ndjehet një faj që nuk emërtohet drejtpërdrejt, por që pikon në vargje:

Rastësisht / Kujtohem për ty / Mëkati im…

Duke të dashur tash / Shlyej ngurrimin / E dikurshëm...

Ky faj është shpesh i lidhur me ngurrimin e kaluar, ndoshta me mosveprimin, me fjalët e pathëna, dhe tani, përmes “lutjes” (pra përmes dashurisë që mbetet), poeti kërkon shpagim, falje apo kthim. Poeti Logu, përmes krijimeve të kësaj nëndarjeje, arrin të tregojë se dashuria nuk është vetëm gëzim, por proces i dhimbshëm rritjeje dhe pastrimi. Ky kapitull është një rrugëtim i brendshëm, ku shpirti ndjek hapat e dashurisë së humbur për ta gjetur veten. Vargjet janë jo thjesht poezi dashurie, por një liturgji e ndjenjës së munguar, një ritual shprese dhe pendese.
Këtu, dashuria nuk është thjesht ndjenjë, por është lutje e përditshme, temperaturë e zemrës, bekim që digjet dhe nuk fiket, faj i ëmbël që s’të le të qetë.

Ky kapitull i vëllimit “Pikënisja e mëkatit” është një nga më të thellët emocionalisht dhe filozofikisht, një diell i brendshëm që djeg pa u dukur, një lutje që nuk ndalet as kur fjala pushon.

Kapitulli “Simfonia e shiut” është një kompozim poetik që përmes imazheve natyrore dhe ndjenjave njerëzore lidh dy botë: atë të natyrës dhe atë të shpirtit, duke krijuar një harmoni të thellë mes tyre. Vetë titulli sugjeron një melodi të krijuar nga tingujt e shiut, një simfoni që nuk është vetëm muzikë, por edhe ndjesi, kujtim dhe shpresë.

“Simfonia e shiut” është një poezi që fton lexuesin të reflektojë mbi ciklin e jetës, lidhjet me natyrën dhe mënyrën se si emocione të forta si malli, dhimbja dhe shpresa bashkohen në një përvojë të përbashkët njerëzore. Kjo simfoni natyrore është një kujtesë për bukurinë që mund të gjejmë edhe në momentet më të vështira, si dhe për forcën shëruese të kohës dhe natyrës.

Poetika qëndron në lidhjen intime mes shiut dhe emocioneve njerëzore, veçanërisht mallit, mungesës dhe shpresës. Shiu paraqitet si një element natyror që përçon ndjenja të ndryshme: pastërti, trishtim, por edhe rigjallërim.

Shiu vjen si metaforë emocionale: Pikat e shiut, poeti i krahason me “rruaza të mëndafshta”, “gjerdan loti në qiell”, që i japin një dimension fisnik dhe delikat ndjenjave të përjetuara.

Shiu shpesh shoqërohet me mallin dhe mungesën e dikujt të dashur, duke e pasuruar metaforikisht mungesën me figura të natyrës, si gjethja që kullon pikëllimin apo lotët që përmbytin sytë.

Në mes të trishtimit, simbolika e ylberit dhe hënës së plotë në livadh, shfaqin një dritë shprese, një triumf ëndërrtar mbi vështirësitë.

Stili i poezisë është shumë imagjinativ dhe i pasur me figura artistike, që e bëjnë lexuesin të ndjejë dhe të shohë natyrën si një bashkëudhëtare të ndjenjave njerëzore.

Shiu, era, yjet dhe zogjtë marrin jetë dhe shprehin ndjenja si njerëzit, duke i afruar më shumë lexuesit me atmosferën e poezisë. Rrjedhshmëria e fjalëve dhe përshkrimet e zërit të shiut krijojnë një melodi të qetë dhe të ëmbël, që është në përputhje me temën e kapitullit.

Një nga pikat më të forta të këtij kapitulli është mënyra se si poeti ndërthur pamjet natyrore me ndjenjat më të thella njerëzore. Shiu që “përmbyt sytë e tu befas” është një imazh i fuqishëm i dhimbjes që pushton papritur. Mjegulla si “hija jote” tregon prezencën e kujtimit të dashur në momentet e vështira. Dallëndyshet që çelin me klithje në barin e lagur janë shenjë e rilindjes dhe vazhdimësisë.

I gjithë vëllimi “Pikënisja e mëkatit” ka strukturë të thyer, me poezi të shkëputura por të lidhura. Poezitë janë të shkurtëra, të thëna në një frymë, me pauza dhe heshtje midis tyre. Ato ngjajnë si copëza ditari, si fragmente kujtese, por së bashku krijojnë një narrativë të thellë për një shpirt që është i gozhduar pas së kaluarës. Është vepër që i flet lexuesit që ndjen dhe kujton, që ka humbur e vazhdon të dashurojë, që i flet zemrës pa e tronditur, por duke e dridhur. Poezia e Logut është një meditim për jetën si pendesë dhe kujtim, për dashurinë si mallkim i bukur, për vdekjen si pjesë e zakonshme e frymëmarrjes sonë.

Poezitë të strukturuara me njësi të organizuara në njësi numerike dhe tematike, krijojnë një ndjesi udhëtimi, një ecje përmes stinëve të jetës, nga fëmijëria, tek dashuria, humbja, vetmia, dhe prania e pakthyeshme e vdekjes. Kjo strukturë i jep lexuesit ndjenjën e një cikli që përsëritet, por që ndryshon gjithnjë ngjyrën e dhimbjes.

Poezia e Logut është poezi e humbjes që nuk klith, por pëshpërit. Është poezi e zemrës që nuk rënkon me patetikë, por pulson thellë, me dinjitet dhe përmbajtje. Koha, kujtesa, dashuria e humbur, fëmijëria, natyra dhe vdekja janë shtyllat tematike që mbajnë të gjithë trupin e kësaj vepre.

Edhe pse dominon lirizmi personal dhe intim, në disa poezi ndihen lehtë nota të një proteste të qetë sociale, të cilat e bëjnë veprën më të gjerë në kuptim, duke folur në mënyrë të tërthortë për padrejtësinë, harresën shoqërore dhe realitetin e përditshëm që braktis të dobëtit dhe të heshturit.

Në këtë vëllim, Logu krijon një mitologji personale, ku natyra dhe përditshmëria bëhen bartëse të ndjenjave më të thella njerëzore. Ai na dorëzon një univers të brishtë ndjenjash, një botë ku fjala s’është vetëm mjet shprehës, por një hapësirë e shenjtë meditimi, ku mallkimi i dashurisë, kujtimi i të shkuarës dhe humbja marrin formë përmes imazheve të përzgjedhura me kujdes.

Gjakovë, 10.10.2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat