Nuk e kam njohur më parë Reshat Sahitaj, por, kur më njoftoi me e-mail se do të vinte për promovimin e romanit të tij “Iliriana” në Panairin e Librit në Tiranë, sado i privuar shëndetësisht, shkova dhe e takova. Ishte me bashkëshorten, zonjën Behare Rexhepi, dhe, veç tyre, edhe botuesi i Shtëpisë Botuese “Emal”, zoti Astrit Muçi. Ishte një takim pak “vertikal”, sikur po më ndiqte dikush me shkop dhe, megjithatë, si fisnik që është, Reshat Sahitaj më dhuroi romanin e tij “Iliriana”.
Kurrë nuk shkruaj apo flas për njerëz apo ngjarje që nuk i njoh. “Darovia” e mikut nga Kosova ishte paksa e rëndë për mua dhe, si borxhli që ndihem, pasi e lexova romanin, dua ta them fjalën time.
Së pari, pa u sugjestionuar nga opinione të njerëzve me emër në fushën e letrave, unë kam mendimin tim. Nëse them se autori Reshat Sahitaj e ka “klonuar” Kosovën nga viti 1980 e deri më sot, prapë nuk jam shprehur plotësisht. Siç vë re, shumë të tjerë shkruajnë dhe janë shumë më të thellë se unë, si të huaj ashtu edhe shqiptarë, por unë nuk sugjestionohem nga askush—jo se jam mendjemadh, por dua të jem vetvetja. Unë lexoj dhe, nëpër rreshta, shoh si lëviz shpirti i autorit jo nga një iluzion (made in kuqezi), por nga një dashuri e pastër siç është ajo për atdheun. “Letërsia prodhon qytetari”, thotë Viktor Hygo.
Atëherë, kur thoshte Cezari: “Zaret u hodhën”. Do pyesni: po ku është qytetaria këtu? Shikoni protagonistin (a ka rëndësi emri? Letërsia përgjithëson), si i kapur pas një “iluzioni kuqezi”, bëhet pjesëmarrës i demonstratës për pavarësi e liri, dhe “ia nxjerrin” dashurinë kuqezi nga hundët. Sa qytetari ka kur pohon: “Nuk jam patriot!”? Nuk e bën gjoksin “vrimë” të një heroizmi që, ndoshta, edhe e meriton, por ai mbetet qytetar, jo sharlatan.
Më lart them që ai e ka klonuar Kosovën në këto gati 20 vjet. Por ma gjeni diku një autor që, pa e lodhur lexuesin, në pak faqe, nis e kërkon rrënjët e lashta të familjes. Adam Kelmendi (enkas e shkruaj me gërma të pjerrëta) nuk është thjesht origjina e familjes, por njëkohësisht e krejt Dardanisë në ato troje. Librthi i xhepit që gjendet në ato humnera të thella jo vetëm ta shqyen “xhepin” e kujtesës për ta pasur “mendjen në mësim” si lexues, por flet për një autor me kaq qytetari. Dhe thotë: “Unë nuk jam historian.” Jo, zoti Reshat Sahitaj, ti je sa shkrimtar, aq patriot dhe po aq historian.
Reshat Sahitaj flet për një realitet që e ka parë dhe, jo vetëm kaq, e ka paguar me shpirtin e tij. Por autori nuk është “fotograf”. Ai është njeri i penës dhe, siç shkruante Tolstoi, kur ke një penë, je në luftë. Në këtë luftë, Reshat Sahitaj jo vetëm është pjesëmarrës, por një luftëtar model që, po ta lexosh nëpër rreshta, duhet ndjekur.
Teksa i hedh një vështrim romanit nga fillimi në fund, nuk kam si të mos ndalem në mësimet që nxjerr:
“Lumturia apo shkatërrimi i vendit është në dorën tonë.”
Edhe jeta më e shkurtër bëhet më e gjatë, nëse jetohet me virtyte.
Asgjë e madhe në jetë nuk është përmbushur pa pasion, thoshte Hegeli.
Qytetaria dhe mesazhi më i bukur (në gjykimin tim) është dashuria. Nuk është blasfemi, thotë autori, që ti kosovar a shqiptar të dashurosh një komshie që është serbe. Nuk ka rëndësi nëse quhet Zoriça apo Jorgjiçe. Popujt janë miq mes vete; armiqësinë e mbjellin tiranët. Nuk ka nevojë për shembuj të shumtë. Radmilla shpëtoi një grup fëmijësh shqiptarë dhe e flijoi jetën—nuk ishte serbe? Edhe sot e ndiej dhimbjen e autorit, kur pyet: “Kush e vrau?!” Më tej: a nuk ishte serb ai që vrau shokun e tij, i cili donte të përdhunonte një vajzë shqiptare ende adoleshente? Këto janë mesazhe që e rrisin vlerën e romanit.
Dhe më tej: a gjeni një autor tjetër që të “zhvishet lakuriq” para lexuesit, duke treguar deri në përdhunim vetjak dhe më tepër—duke hyrë me guxim qytetar në caqe të mbyllura familjare? Unë, për vete, kurrë s’do guxoja të lakoja kaq “lakuriq” një pjesëtar familjar me kaq ngarkesë negative.
Me Reshat Sahitaj ka ndodhur ajo që thotë Gëte: “Të shprehesh me përpikëri, kjo është nisja dhe mbarimi i çdo vepre arti.”
Po të merrej parasysh mendimi im, ky roman është i denjë për një film. Aty, në ekran, përjeton vuajtjet, mundimet, “ikjen biblike” të kosovarëve nga trojet e tyre; përdhunimet dhe maltretimet e klikës serbe; por në anën tjetër, të shfaqen ata hetues që e kanë shitur lëkurën dikur dhe, për fat të keq, janë ende në pozita komode. Kosova në roman del ashtu siç e tregon autori. Sentenca është e qartë: lirinë e lumturinë mos i prit nga askush, por nga vetja.
Kur po e mbyll këtë shkrim, nuk kam si të mos nënvizoj një thënie të autorit: “Kosova është çliruar nga Serbia, por është pushtuar nga vetvetja!”. Kjo është fraza më tronditëse, që i bën “anamnezën” Kosovës në pasluftë.
Reshat Sahitaj, jo vetëm të falënderoj për “darovinë” tuaj të florinjtë dhe, nëse po ta kthej me “para pa vlerë”, më fal, se kaq janë dijet e mia. Shkrofsh, o mik, dhe pena të të bëhet plug për të çarë arat e letërsisë.