Intervistat dhe kritikat letrare si formë e krijimit letrar

Kultura

Intervistat dhe kritikat letrare si formë e krijimit letrar

Nga: Shefqet Dibrani Më: 4 shkurt 2026 Në ora: 09:22
Kopertina

Në vitin 2004, sa punoja redaktor në gazetë, më patën tërhequr vëmendjen intervistat e Ajete Zogajt, sidomos për përzgjedhjen e personaliteteve shqiptare dhe të huaja. Pastaj, dita-ditës, intervistat u bënë pasion gazetaresk i kësaj autoreje. Vite më vonë, kur u botua libri i parë "DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE", edhe pse disa sish i kisha lexuar më parë, në rilexim i kam përjetuar si vlera të domosdoshme për t’iu rikthyer e për t’i rilexuar. Me botimin e librit të dytë dhe të tretë, u ndërtua një trilogji duke kompletuar moza­ikun e kësaj qasjeje letrare. Mirëpo, nga koha kur janë botuar intervistat e gjer në botimin e vëllimit të tretë, e pastaj gjer tani, kur jam duke i kompletuar shënimet për këtë libër, disa nga këto personalitete nuk janë më në mesin e të gjallëve, prandaj trilogjia, parë nga ky këndvështrim, bëhet monument i vlerës kulturore.

Librat e Ajete Zogajt i kam lexuar me përku­shtim, madje ndonjëherë kam publikuar shënime si "Vitrinë e librit", apo ndonjë vlerësim më të plotë, por ajo që kam bërë janë skicat, shënimet dhe nën­vizimet nëpër faqet e librit, mendime, vlerësime të të intervistuarve, apo edhe dukuri gjuhësore e stilistike, që më kanë bërë përshtypje. Më pas, kam vërejtur se këto të dhëna në rileximin e këtyre ve­prave më kanë ndihmuar për ta ndërtuar konceptua­lisht qasjen, mbase, për mua krejt të re, në fushën e kritikës letrare. Megjithatë, le të mbetet një shembull i mirë si duhet të vlerësohet angazhimi në fushën e gazetarisë, e sidomos angazhimi në letërsi e kritikë letrare, që prej kohësh me shumë pasion e kultivon Ajete Zogaj.

Ky kontinuitet ka krijuar një diakroni, kraha­suar me punën e saj në gazetari. Shikuar në retro­spektivë, është një mundësi për t’u parë qasja e temave të asaj kohe, në mënyrë shumë pozitive, dhe brenda këtij intervali kohor, disa nga kërkesat nëpër intervista sikur janë abuzuar, prandaj vlerë­simi im është përqendruar në këtë diakroni, gjithnjë duke i kundruar ndryshimet sipas zhvillimeve nëpër etapa të kohës. Më saktësisht, midis një përshkrimi të një faze zhvillimore dhe një përshkrimi të ndry­shimit të atij zhvillimi. Kjo sinkroni e fuqizon diakro­ninë, qoftë si proces evoluimi në një etapë të caktuar, qoftë thjesht si vlera letrare e artistike, disa prej të cilave janë të paarritshme dhe të patejkaluara edhe në kohën e tashme.

Evoluimi[1], sinkronia[2] dhe diakronia[3], përbëjnë një proces në zhvillim, ndërmjet një përshkrimi të ngjarjes dhe fenomenit në një fazë të caktuar, që kërkon një vlerësim kritik, kundruar nga retrospek­tiva e këtyre realizimeve, të cilat, nëse nuk kanë për­jetuar ndonjë zhvillim dhe avancim, kanë mundur të stagnojnë, të thellohen, madje edhe të tjetërsohen.

Studimi që ka nisur nga shkaku

Në librin e parë të Ajete Zogajt, "DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE", është intervista me shkrim­ta­rin Kim Mehmeti, i cili, pos të tjerash, jep këtë këshillë: "Ne duhet që njerëzve meritat t’ua themi derisa janë gjallë", dhe shpreh habinë pse, "Ne vetëm të vdekurit dimë t’i çmojmë!"[4]. Natyrisht, shkrimtari e ka shtjelluar këtë temë mjaft mirë, duke treguar se sulmet që i bëhen njeriut për të gjallë, nga të njëjtit njerëz, në ditën e vdekjes e pas saj, dëgjojmë kur flasin fjalë të mira, madje duke treguar për afrinë dhe miqësinë që paskan pasur me të ndjerin(!). Ky fenomen është i ditur për secilin, sikurse edhe për mua, por mua më nxiti për të sajuar këtë libër, për t’ia vlerësuar dijet Ajete Zogajt dhe për ta inkura­juar atë për të vazhduar punën e saj krijuese, qoftë edhe në fushën e kritikës dhe të studimeve letrare. Pra, të mos presim për t’u bërë të gjithë të famshëm! Prandaj, e admiroj shkrimtarin që më nxori nga letargjia dhe më hoqi frikën për të sajuar këtë libër!

Përkufizimi i zhanrit

Në momentin që jam përpjekur për t’i dhënë një përkufizim konkret krijimtarisë së Ajete Zogajt, m’u bë e qartë se nuk ishte punë aq e thjeshtë, dhe kjo gjë, në fillim më vuri në siklet, duke sfiduar vet­veten, nëse do të arrija ta konkretizoja mendimin tim rreth konceptimit të këtij libri, i cili në shqyr­tim ka Pesë Veprat e saj, tri të parat nga fusha e gazetarisë dhe dy të tjerat nga kritika letrare. Por, pasi edhe trilogjia me intervista trajton kryesisht aspekte të gjuhësisë dhe të shkencave humane, munda të konkludoja se edhe veprat e Ajete Zogajt mund të kategorizohen si “Krijimtari letrare”, pasi gati çdo gjë lidhet me zhvillimet gjuhësore, letrare, historike e kulturore, që epiqendër kanë gjuhën shqipe dhe shqiptarët!

Veprat e Ajete Zogajt, kurdoherë shquhen për vlera estetike, komunikim me lexuesin, gjuhë të pasur e fjali të strukturuar.

Edhe pse janë shkruar vite më parë, fillimisht të publikuara në faqet e gazetave ditore të Kosovës dhe të ndonjë gazete jashtë Kosovës, e më pas edhe në trilogjinë “DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE”, mund të shihen si:

Diakroni: Gjurmë e vlerave, si pasqyrim karakteristik i një kohe

Sinkroni: Parim që pasqyron vlerat karakteristike të një kohe

Evoluim: Pasqyrim i vlerave karakteristike të një kohe

Pa dyshim, intervistat janë produkt kulturor i një pune dhe i një kohe që mund të shihen si dia­kroni, rikthimi në libër paraqet një etapë të kontro­lluar - sinkroni, që mund të përfaqësojë tërësinë e evoluimit të një procesi - mendimi, në një interval kohe të caktuar. Në trilogjinë me intervista “DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE (I-III)”, dallohen tri forma bazë të intervistimit.

Diakroni: Intervistat e strukturuara

Sinkroni: Intervistat gjysmë të strukturuara

Evoluim: Intervistat e pastrukturuara

Në pamje të parë:

Diakroni: Intervistë me personalitete: Autorja, ka sjellë njohuri rreth personit të intervistuar.

Sinkroni: Intervistë mbi çështjen: Autorja, ka sjellë njohuri rreth çështjeve (ta zëmë, albanologjike), duke i qartësuar ato zhvillime.

Evoluim: Intervistë për shprehjen e opinionit: Autorja gjithnjë ka kërkuar opinionin nga të intervistuarit për çështje të caktuara.

Në trilogjinë e Ajete Zogajt, përmes intervis­tave, është mbëltuar procesi krijues e letrar, që në thelb ka dijen dhe artin e fjalës, ngase, siç thuhet, ‘E para ishte fjala...’, si dhe kohën kur janë zhvilluar intervistat dhe aktivitetet kulturore e gjuhësore, pastaj botimin e librave të rinj etj. Me një fjalë, pro­cesi krijues i saj u bë pjesë e shqyrtimeve të shpe­shta letrare e kulturore për nevojat e gazetës.

Intervistat e botuara në trilogjinë, “DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE (I-III)” kanë prekur tërë historinë kulturore që lidhet ngushtë me gjuhën dhe letërsinë, duke vënë në fokus ndryshimet e mëdha, edhe ato në kulturë, letërsi, shkencë dhe gjuhësi. Autorja duhet lavdëruar për pozicionin e intervistave me autorë dhe individualitete të artit e të kulturës, që janë realizuar në formë artistike dhe më afër zhanrit letrar.

II. INTERVISTAT DHE KRITIKAT LETRARE

Në tekstet e tyre letrare, shkrimtarët kanë shpre­hur pikëpamjet e tyre për letërsinë dhe për zhvilli­met letrare, si dhe për dukuri e fenomene që shoqë­rojnë njeriun, në përgjithësi. Intervista [ˈɪntɐrvju’] si nocion është ‘një anglicizëm në gazetari’, është një formë e komunikimit që ka për qëllim nxjerrjen e informacionit nga i intervisutari, faketet dhe opi­nionet personale, të cilat janë forma më autentike e dialogut.

Termi "intervistë" është një shpikje në anglisht, që rrjedh nga gjuha frënge "entrevue" (takim i rregu­lluar) ose "entrevoir" (për t'u parë shkurtimisht) dhe mjaft shpejt u përvetësua edhe në gjuhë të tjera, gjer­manisht (interview), spanjisht (interviú). Megjithatë, në frëngjisht parapëlqehet më shumë termi "entre­tien", d.m.th.: bisedë - diskutim, bisedë - takim. Edhe në gjuhën shqipe përdoret termi "intervistë" dhe "bisedë", por në kuptimin esencial të nocionit janë pothuajse sinonime të njëra-tjetrës. Ajete Zogaj, në trilogjinë e saj, më tepër është pozicionuar nga shprehja “bisedë” (në trilogjinë e tretë), kurse dy të parat janë kategorizuar “intervista”

INTERVISTA SI NJË FORMË GAZETARIE

Intervista ka për synim që përmes bashkëbise­dimit (si formë e shkrimit gazetaresk), të paraqesë njo­huri, dukuri, ngjarje, zhvillime kulturore, gjuhësore e historike (në intervistat e trilogjisë së Zogajt). Bashkë­bisedimi (intervistat) janë realizuar me elokuencë, duke paraqitur njohuritë, opinionet dhe mënyrat më të përshtatshme të komunikimit me bashkëbise­duesin, duke ua përcjellë këtë bashkëbisedim le­xuesve të tjerë në mënyrë artistike.

Kjo e bën intervistën një formë të popullari­zuar në të gjitha mediat, e cila jo vetëm shërben për të paraqitur fakte dhe për të ofruar informacion, por edhe për të prezantuar njerëz dhe personali­tete. Edhe në këtë pikë, autorja ka arritur synimin e saj!

MATERIALE PËR NJË TEORI TË INTERVISTËS

Intervista është i vetmi zhanër teksti që u shpik në shekullin e 20-të. Ky përkufizim është dëgjuar më shpesh kohët e fundit - megjithëse pas dyerve të mbyllura. Ende mungojnë përshkrime dhe analiza që do të zbulonin dhe do të sistematizonin struktu­rën tekstuale të intervistave dhe kështu do të ofronin mundësinë e një justifikimi të bazuar për faktin se intervista qëndron e pavarur dhe ndoshta në një pozitë të barabartë me poezinë, romanin, esenë dhe dramën.

As ky tekst nuk do të jetë në gjendje të afrojë një justifikim të tillë. Përkundrazi, është një thirrje për një perceptim të diferencuar të intervistave, si një formë e shprehjes njerëzore, që duhet të për­shkruhet dhe të përkufizohet si bashkëbisedim me zë dhe në formë të shkruar.

Në këtë aspekt, intervista lidhet me dy zhanret e tjera të tekstit, që gjithashtu mund të paraqiten (në mënyrë polemike), si shpikje të vërteta të sheku­llit të 20-të. Ky kapitull, nga Ajete Zogaj, është plotësuar te libri IV dhe V, të cilët janë me kritikë dhe vështrime letrare.

PËRFUNDIM

Intervistat janë një përpjekje për të arritur au­tenticitetin maksimal në prezantimin e personalite­teve të intervistuara, nëpërmjet formulimit të pye­tjeve dhe përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe të atyre të kthyera në letër. Grafikisht, intervista e shkruar dhe ajo e folur, esencialisht kanë dallime të mëdha, sepse intervistat e shkruara dhe të botuara në libër, siç është rasti me Ajete Zogajn, kanë predispozita të bëhen libra letrarë, kurse intervistat e folura lehtë mund të bëhen banale.

Kthimi i autores nga kritika dhe studimet letrare, ka predispozita pozitive që edhe kjo “trilogji” me biseda të shndërrohet në vepër letrare!...

Prishtinë, 03.02.2026.

[1] Evoluimi: Ndryshimet dhe zhvillimet ngadalë e shkallë-shkallë, janë ngjarje që pësojnë evolucion duke kaluar nëpër një varg fazash, siç kanë evoluuar edhe intervistat e trilogjisë “DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE”, me autore Ajete Zogajn.

[2] Sinkronia: Gjendja e kësaj krijimtarie, e shikuar si mundësi vlerash, sepse është zhvilluar dhe ka kaluar nëpër një fazë të caktuar historike.

[3] Evoluimi: Është hulumtimi diakronik, që shqyrton se si janë zhvi­lluar këto intervista dhe si është ndërtuar trilogjia “DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE”, me autore Ajete Zogajn, prandaj, ndryshe nga sinkronia, evoluimi diakronik supozon aspekte të njëpasnjëshme, shpeshherë zëvendësuese, krejtësisht në një vijë horizontale.

[4] Ajete Zogaj, "DIJA SI ART DHE ARTI SI DIJE I.", faqe 157.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat