Bukli - një qendër e rëndësishme urbane e sociale e periudhës së Arbrit

Kultura

Bukli - një qendër e rëndësishme urbane e sociale e periudhës së Arbrit

Nga: Gjon Marku Më: 18 mars 2026 Në ora: 09:17
Gjon Marku

Gërmimet arkeologjike të kryera në kodrën e Buklit, nga Qendra Arkeologjike e Tiranës, në verën e vitit 1963, sjellin një lëndë arkeologjike mjaft të pasur, e cila jo vetëm vërteton ekzistencën e një vendbanimi të vjetër por edhe sjell një material ta pasur në të mirë të kulturës kombëtare shqiptare. Në kuotat 600-700 m mbi nivelin e detit, u hapën gjithsejt 53 varre (1), nga ku u nxorën të dhëna mjaft të rëndësishme. Këtu ranë në sy këto tregues të përgjithshëm: varret shkonin nga 1.80- 1.90m, gjatësi, gjërësia shkonte deri në 0.4 m dhe thellësia i kapërcente 3 m. Të gjitha këto varre janë të ndërtuara me rrasa të futura në tokë vertikalisht pa lidhje llaçi.

Në gjetjet arkeologjike që i përekasin periudhës së Arbërit dhe që janë gjetur në Bukël ndër më kryesoret janë:

Çift vathësh prej bronzi në trajtë drapër hëne, punuar me rrahje, me gjatësi 6,6cm; ( 2 )

Vathë bronzi të tejshpuar në formë drapër hëne, i punuar me derdhje e granuim, gjatësia 4.4 cm; ( 3 )

Vëthë bronzi në formë vile rrushi, punuar me derdhje, gjatësia 5.4 cm; (4 )

Vëthë bronzi në formë vile rrushi, punuar me derdhje, gjatësia 4 cm; (5)

 Po ashtu në Bukël janë gjetur edhe këto materiale të tjera të rëndësishme: dy latusha hekuri, disa rruaza qelqi. Po aty janë zbuluar më vonë edhe tri qafore me byzylykë, dy varëse dhe një vegëz si dhe disa rruaza qelqi e një sëpatë tjetër hekuri. (6) Në varre këto objekte në përgjithësi u gjetën pranë vendeve ku mbaheshin në trup ose në veshje; bëjnë përjashtim enët prej balte të pjekura, të cilat në më të shumtën ishin vendosur tek këmbët”. (7) Në Bukël janë gjetur objekte që nuk i ndeshim në Krujë e në Lezhë, kurse në Koman janë të shumta (8). Materialet e Buklit flasin se aty zhvillohej një veprimtari e madhe ekonomike. “Edhe në shek. e VI-të e te VII-të erës sonë, banorët e Buklit nuk e kishin humbur traditën e pirustëve si metalurgë dhe argjendarë të zotë”. Varret e Buklit, materialet arkeologjike të gjetura në to si dhe dekomentet që shoqërojnë këto materiale arkeologjike flasin qartë për një kulturë të mirfilltë shqiptare, e më së shumti ato vertetojnë se këtu kemi të bëjmë me pasardhësit direkt të Ilirëve. Kjo argumentohet nëpërmjet një vazhdimësie kulturash po të kemi parasysh dhe po të krahasojmë këto gjetje me ato të vendeve te tjera e në mënyrë të veçantë me ato të Komanit. (9)

Një rëndësi të veçantë për të përcaktuar vendin dhe peshën e kësaj treve në historinë tonë, e sidomos vendin e saj në periudhën e Mesjetës, e kanë edhe dekomentet arkivore. Duke u mbështetur në këto dekomente mund të themi se banorët e viseve shqiptare që kanë jetuar midis lumenjëve Drin e Shkumbin në periudhën e Mesjetës, janë quajtur Arbënon (Arbër) (10) dhe territoret janë quajtur Arbëri. Këtu gjendet edhe Blinishti dhe i gjithë territori i Mirditës. Këto territore u patën rezistuar me ashpërsi të madhe presioneve të ushtruara gjatë shekujve, sidomos sulmeve të njëpasnjshme sllave. Bile, të vetmit në të gjithë gadishullin, Arbërorët, pasardhësit e Ilirëve mundën të mbeteshin të pacënuar, (11) kjo për vetë faktin se Arbërorët, patën shpërndarje të madhe të kulturës latine, patën një ndikim të fuqishëm të fesë katolike e cila ishte predominuese në vendin e tyre. Kjo e fundit kishte rritur ndjeshëm edhe ndikimin e Papatit dhe të Perëndimit të cilët kishin interesat e tyre.

Pra kolonizimi sllav nuk u pranua në territoret e Arbërit e, për pasojë, as në territoret e Mirditës. Këtë gjë e faktojnë edhe më shumë materialet e kulturës së varrezave të saj, të ngjashme me ato të zbuluara në Koman (Pukë), që nuk ka kurrëfarë ndikimi të kulturës romake, bizantine, apo sllave. Kjo provon më së miri se gjatë shekujve të Mesjetës populli shqiptar, i rrudhur në krahinat malore, e ruajti kulturën të trashëguar nga koha antike, e pasuroi atë duke krijuar trajta të reja dhe i rezistoi asimilimit.  (12)

Burimet historike që flasin për periudhën e Mesjetës, për fillimet dhe shtrirjen e Principatës së Arbërit, janë ende të pakta, por ato tregojnë se Blinishti, ashtu si edhe Ndërfana, ishte pjesë e kësaj principate, qendra të rëndësishme të saj. Blinishti dhe Ndërfana që në shek. XII, me daljen e formacioneve të para arbëreshe, u përfshi në to duke bërë pjesë në principatën e Arbërit. (13) Gjithashtu materialet arkeologjike të gjetura në Blinisht, na japin të dhëna mjaft interesante për periudhën e Mesjetës. Blinishti e të ketë qënë këtë periudhë, një qendër e madhe me potencial të fuqishëm ekonomik e shoqëror. Banorët e Blinishtit, duke qenë të pranishëm mbi këtë territor në mënyrë të vazhdueshme, që nga lashtësia e deri në Mesjetë, krijuan aty kulturën e vet që është një kulturë e papërsëritshme. Mjeshtrit mirditas krijuan aty identitetin e tyre, kulturën e tyre.

Blinishti me lëndën arkeologjike për periudhën e Mesjetës, nga gjetje pothuajse të rastësishme, është bërë prej kohësh një zonë me interes të veçantë studimi për kulturën materiale dhe njëkohësisht për historinë e vet. Këto gjetje kanë shërbyer në saktësimin e mjaft të dhënave shkencore për principatën e Arbërit, madje për gjithë kulturën kombëtare të Mesjetës. Pikërisht gjetjet arkeologjike të Blinishtit, të depozituara ndër shekuj në territorin e këtij vendbanimi të lashtë, e sjellin këtë trevë në historinë tonë si një trevë me potencial, pasi pjesa më e madhe e gjetjeve janë zbukurime të veshjeve trupore të cilat vërtetojnë se ato përdoreshin nga një klasë aristokrate, ose së paku nga një shoqëri e nivelit të mesëm.

Gjurmimet arkeologjike të kryera për periudhën e Mesjetës kanë një rëndësi të veçantë, sepse aty është i lidhur si një nyje gordiane problemi i gjenezës së shqiptarëve. Trajtimi i këtij problemi në dritën e të dhënave arkeologjike u bë e mundur vetëm pas zbulimeve të bëra në varret e hershme mesjetare të Buklit, krahasuar kjo me gjetjet e Shurdhahut, të Lezhës dhe nga gjetjet e rastësishme të zbuluara në pika të tjera të Mirditës, si: Kaçinar, Malaj, Prosek, Perlat etj. 

Tabloja e kulturës së hershme mesjetare është interesante.Qytetet shqiptare të Mesjetës së Hershme, të shtrirë në një trevë të gjerë, tregojnë për një unitet kulturor, por dhe për një traditë të fortë ilire. Kjo gjë vërtetohet në stolitë metalike. Kjo është e lidhur pa dyshim edhe me traditën e hershme të trevës së Mirditës në përpunimin e metaleve. Qytetërimi i Mesjetës së Hershme trashgoi nga qytetërimet ilire edhe elemetë të tjerë. Por gjithësesi qyetërimet mesjetare pësuan një hop të ri, duke u pasuruar me forma të reja të cilat erdhën edhe si pasojë e kontakteve me qytetërimet rreth tyre, e në mënyrë të veçantë nga kontaktet me kulturën romake, bizantine dhe natyrisht, edhe si një kërkesë e re në marrëdhëniet social-ekonomike që u krijuan. Sidoqoftë gjetjet argeologjike të Mirditës që kanë të bëjnë me përiudhën e Mesjetës së Hershme janë argument i padiskutueshëm i trashigimisë kulturore ilire dhe kanë një identitet të tyre larg ndikimeve të drejtëpërdrejta të kulturave të tjera. Kronistët e kohës, sidomos ata byzantine, do të çonin te fisi i Albanëve.

Ky emër Alban ose Arbër u përgjithësua dhe u shtri në të gjitha ato treva, ku në Mesjetën e Hershme banonte popullsia e vjetër autoktone ilire.

Arbërit do të banojnë në trojet e tyre, do të ndërtojnë kështjellat e tyre, do të ngrenë principatën e tyre feudale me energji të reja e me dimensione të reja. Do të vazhdojnë luftërat për ruajtjen e territoreve të tyre, të kulturës dhe të identitetit të tyre. Për herë të parë në Principatën e Arbrit gjejmë të përdoret fjala “Komb”, gdhendur mjeshtërisht në monomentet e tyre. Arbërit kanë njësuar identitetin e tyre si një komb i lirë e i pavarur.

Mendohet se në periudhën e Mesjetës Blinishti ishte i përfshirë në formacionet administrative arbëreshe që në krijimin e tyre, madje jo vetëm kaq, por ai ka qenë qendër e rëndësishme e asaj principate. Në të mirë të këtij mendimi vijnë edhe disa dekomente historike. Kështu, duke gjurmuar mbi Principatën e Arbrit, gjejmë se Hekateu, emrin “Arbër” e shënon pesë shekuj para Krishtit si emër fisi afër detit Adriatik. Po ashtu si emër fisi në verilindje të Durrësit e shënon edhe Ptolemeu. (16) Një dokument tjetër për krahinën e Arbërit është dhe peshkopata që u njoh me emrin e saj. Kjo peshkopatë, me sa na kanë lënë të shkruar Marin Bizzi, Arqipeshkëv i Tivarit, më 1610 (17) e shtjefën Gaspri, vizitor i Dioçezave shqiptare më 1671, merrte krahinën e Arbrit dhe e shtrinte nga malet e Dukagjinit e deri në Kosovë. (18) Është tepër i rëndësishëm fakti që Peshkopata e Arbrit dhe ajo e Krujës kanë qënë peshkopata më vete.” Mirpo tash vonë është vertetuar mirë se dy peshkopatat kanë qënë më vete, e se gjithmonë atokanë pasur katedrale të veçanta. (19)   Në kohët e para si katedrale të Peshkopatës së Arbrit gjejmë Shën Mërinë në kështjellën që është në verilindje të Mamurrasit (20) . Mbasi u prish kjo kishë u bë Shna Premtja që gjendet më në Veri. (21) 

Klaud Ptolemeu shënon si kryeqendër Albanopolisin, qytet të cilin nuk mungojnë hartografët që e shënojnë në krahun e djathtë të lumit Mat nga veriu i Arbrit. (22) Milan Shyflay, duke pretenduar se Peshkopata e Arbërit dhe ajo e Krujës janë një, Albanopolin e kërkon në Krujë, (Serbërt dhe Shqiptarët). Përkundër tij Isambert, Hecquard, Gibert, A. Baldacci e kërkojnë në Elbasan ose në ndonjë vend tjetër. Të dyja këto mendime kanë rënë tashmë poshtë; sikurse është vërtetuar se Peshkopata e Arbrit s’ka qënë një me atë të Krujës, ashtu është vërtetuar tashmë se aty ku është themeluar Elbasani ka qënë Skampa e jo Albanopoli. Po ashtu emrin Krujë, i cili është një emër i mirëfilltë shqiptar, e gjejmë në dekomente që heret në vitin 789, e kështu nuk kishte nevojë të përdorej emri Albanopolisi në vend të emërit Krujë.

Le të kthehemi sërish tek hartat e Ptolemeut, sepse ai është i pari që e përdor këtë emër. Në hartën e Kodeksave të vjetër të kësaj gjeografie, që mbahen si më të besueshmet, si ai i Vatopedit të Malit të Shenjtë e i Urbinit nr. 82, Albanopolisin e gjejmë të shënuar në verilindje të Arbrit në bregun e djathtë të Lumit Mat, ku ishte dhe Shën Mëria, kishë katedrale e Peshkopatës së Arbrit. (23) Ndoshta të gjitha këto vijnë në mbështetje të mendimit se kjo katedrale gjendej diku poshtë Blinishtit në Ndërfanë, mendim i cili përforcohet edhe nga gjetja atje e mbishkrimit epigrafik dhe e Stemës së Arbrit, vendosur në portën e kishës së Shna Premtes, apo Shën Mërisë, siç e gjejmë të dekomentuar edhe nga Klaid Ptolemeu, apo të tjerë hartografë. Eshtë i rëndësishëm fakti, se edhe familja princërore e Blinishtëve kishte disa prej pinjojve të saj drejtues të Principatës së madhe të Arbrit, e cila në kohën e vet pati një rol tepër të rëndësishëm në historinë tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat