Sapo isha kthyer prej Tiranës në në shtëpin tim dhe lodhja më rrinte mbi supe si një rrobë e lagur që nuk thahet kurrë.
Nata kishte kaluar mbi mua si një lumë i errët, pa brigje, pa gjumë, pa prehje. Sytë më digjnin, por mendimet më rrinin zgjuar, edhe kur sytë më kërkonin gjumë.
Pasi bëra një dush, si për të shkundur pak nga ajo rëndesë, u ula në tavolinën time të punës, në mes të dhomës, ku heshtja kishte zënë vend si një mik i vjetër. Hapa një libër dhe sytë më ranë mbi një frazë të shkruar qysh herët për im atë.
E lexova një herë. Pastaj edhe një herë. Dhe sërish. Fjalët nuk rrinin më në letër; u ngritën e erdhën të më uleshin në shpirt, aty, në një cep të kujtesës.
Baba, që më kishte lënë kur isha veçse dhjetë vjeç. Unë ende çamarrok, me duar të vogla e mendje të paformuar, por me zemër që mbante gjithçka si në një arkë të fshehtë. Ai, kur vinte prej punës, gjithnjë më sillte diçka të gdhendur në dru, e unë kisha pra ato që mund të quhen lodrat e mia. E në atë arkë ishte edhe Lal Prenga.
“Shko, të pastë baba…” më thoshte zëri i tij, që sot më vjen si një jehonë nga një mal i largët. “Se lagjja jonë me të tyren e ka një copë udhë… thuaji Lal Prengës të vijë e ta kalojmë këtë natë zgjuar sonte.”
Unë vrapoja. Jo vetëm me këmbë, por me zemër. Si një lajmëtar i vogël që mbante mbi vete një fjalë të madhe. Trokisja dhe fjala hapej si një derë. Lal Prenga më shikonte, buzëqeshte lehtë, si një burrë që e njeh peshën e miqësisë, dhe më thoshte: “Prit…” Vishte rrobat dhe vinim të dy bashkë, si dy hije që e dinin rrugën pa e parë, krah për krah, drejt shtëpisë sonë.
Nën hijen e manit – ajo hije që sot më duket një copë e bekuar kohe, si një tempull i thjeshtë i jetës – uleshin baba dhe Lal Prenga. Lal Prenga nxirrte faqoren e rakisë dhe gotat mbusheshin si për të mbushur edhe boshllëqet e jetës, a si për të mbajtur gjallë një lidhje që nuk shkruhet në libra. Baba merrte një thikë dhe i thoshte: “Çohu, Preng…” e mua më thoshte: “Merre atë ftuen me lule në ballë e na e bie.”
“Jo këtë, bre…” kundërshtonte Lal Prenga, si për të ruajtur një bukuri të paprekur.
“Natë e gjatë, o Preng…” ia kthente baba, me një qeshje të butë, “e kam një gotë… e po e pimë… e kalamajtë kënaqen.”
Unë i shikoja. Nuk i kuptoja, por ndieja se aty kishte më shumë se raki e fjalë. Ishte një ngrohtësi që nuk mësohet, vetëm trashëgohet. Ishte një mënyrë për të mos qenë vetëm.
U ktheva sërish te libri. Fjalët e shkruara për babën më rrinin mbi tavolinë si një dritë e butë. U ngrita. Edhe pse nuk jam pijetar, mora një gotë verë dhe e vendosa përpara meje. Nuk ia di fort pijes së verës, por ajo gotë më dukej si një ftesë, si një kujtim që kërkonte shoqëri.
Po kujt t’ia falja? Si ta pija vetëm? Mërmërita:
“Bib Preçi në Gëziq e pinte me burra…” dhe fjala “burra” më tingëlloi si një kambanë e largët. “Dhe fytyra u ndriçohej kur u vinin miq…”
Fjala “miq” më mbeti në buzë si një mall i vjetër që nuk ikën kurrë.
E papritur, si një trokitje në ndërgjegje, më erdhi një tjetër kujtim. Baba, sa herë që vinte Gjon Marka Biba prej Livadhezve, i dilte përpara: “Mirëse të pruni e djathta e Zotit.”
E donin njëri-tjetrin fort, pse ishin djem tezesh. Kishin lindur në një ditë dhe kishin vdekur po në një ditë - më 3 prill. Një fillim dhe një fund i lidhur si me nyjë, sikur të ishin një.
Nuk e kuptoja pse më vërshonin këto kujtime.
“E mirë se erdhe,” i thoshte. “Po ta cokërrojmë nga një gotë… e po rrimë sonte e ta kalojmë këtë natë zgjuar.” I ndritej fytyra e shpirti i kënaqej.
Baba nuk ishte se shquhej që e pinte shumë rakinë; bile e pinte shumë rrallë.
Një herë e pyeta:
“Po pse don me e kalue natën zgjuet me Lal Prengën e Lal Gjonin? Pse nuk flini në krevate? Krevate kemi, shtëpi kemi…”
Baba kishte qeshur. Ajo qeshje më duket edhe sot si një përgjigje që nuk ka nevojë për fjalë.
“Hajt, të pastë baba… se tepër rritesh…” u ngrit dhe nga xhepi i jelekut nxori një shqiponjë të gdhendur bukur në dru frashëri. “Shko, të pastë baba, deri te kroi e ma mbush shtamën me ujë të freskët.”
Dhe unë vrapova, te ai shpatull guri, e mbusha ujë të freskët.
E mora gotën. E shikova gjatë. Brenda saj dukej sikur lëvizte koha. Pastaj e ktheva në shishe.
“Nuk pihet vetëm,” i thashë vetes.
As nuk urohet vetëm.
Dhe në atë çast, sikur nga thellësia e kohës, më folën bashkë Lal Prenga e Gjon Marka Biba - dy zëra që nuk janë më, por janë më shumë se kurrë:
“Hajde, mirë se të pruni Zoti… se po e kalojmë këtë natë zgjuar sonte…” thoshte baba kur i vinin dashamirë.
E afrova gotën te buzët.
Në xhamin e saj, për një çast, m’u duk sikur nuk isha vetëm.
Një hije u ul përballë. Pastaj një tjetër.
Nuk folën. Nuk kishte nevojë.
“Hajde…” u duk sikur tha dikush.
E vendosa gotën në tavolinë, pranë tyre.
Dhe nata vazhdoi, si dikur - e gjatë, e qetë, e mbushur…