Filxhani me bisht të këputur

Kultura

Filxhani me bisht të këputur

Nga: Gjon Marku Më: 28 maj 2026 Në ora: 11:59
Gjon Marku

Çesku dredhte një cigare mes gishtave që i dridheshin lehtë. Jashtë, shiu binte me një qetësi të rëndë dhe xhamat e kafenesë zverdheshin nga një dritë e zbehtë, si e lodhur nga nata që s’po vinte ende. Kishte kohë që rrinte i heshtur, me shikimin të ngulur diku përtej dritares së vogël, sikur përtej atyre gurëve të murit të mund të shihte ende jetën e saj që i rrëshqiste ngadalë nga duart.

Kisha qëndruar i heshtur për disa çaste, duke e vështruar në atë gjendje të palëvizshme, që prej kohësh i ishte bërë si një tjetër fytyrë e vetvetes. Dukej sikur diçka e brente pa pushim, një peshë e padukshme që nuk i gjente fjalë. Por nuk e kisha pyetur. Prisja që ai vetë të hapej, siç hapet ngadalë një plagë që nuk mund të fshihet më. E kur heshtja e tij u zgjat tepër, e pyeta pse ishte bërë ashtu, pse ishte mbyllur brenda vetes si një derë që nuk do të hapet më.

Ai heshti edhe disa çaste të tjera. Pastaj, duke dredhur cigaren me një lëvizje të lodhur, nisi të flasë.

- Jo, bre burrë… çfarë të them!

- Gruaja më solli deri në këtë ditë të zezë… orë e prerë.

Është gruaja e dytë. E para më iku ditën e dasmës, kur i vëllai i saj martonte djalin.

Në sytë e saj kishte hyrë gëzimi si zogj në një çerdhe të ngrohtë. Në ballkonin e shtëpisë qëndronte gjatë, duke vështruar dallëndyshet që çanin qiellin mbi gardhiqe. Ishte e lumtur në një mënyrë që s’thuhet me fjalë. As macet që zihen në oborr nuk i duronte dot më. Asnjë fjalë e rëndë nuk i dilte nga goja. Qielli dukej i kthjellët si qelibar, sikur kaltërsia e tij i kishte zgjuar shpirtit një dritë të brendshme. Dhe ajo dritë, në të vërtetë, kishte qenë gjithmonë aty.

Tingujt e këngës së saj dëgjoheshin kudo, si një jehonë e lehtë që s’pushonte kurrë. Dhe përditë, dy javë para asaj dasme, ajo nuk bënte tjetër veçse këndonte.

U ngrit herët dhe na bëri kafe të treve: mua, nënës dhe vetes. Ma solli filxhanin me një gotë raki pranë. Por nuk di si ta them… ndryshe nga herët e tjera, rakinë nuk munda ta pi. I thashë ta kthente mbrapsht.

Sapo zgjata dorën për filxhanin, bishti i tij u këput dhe më mbeti në dorë. Nëna u ngrit dhe bëri kryq.

- Mos e pi, bir, atë kafe, - tha ajo. - Ta bën nana tjetër.

Por unë, duke qeshur, i thashë:

- Lëri, moj nanë, këto gjëra…

Dhe e piva kafenë, që më la një shije të hidhur në gojë, si parandjenjë.

Atë ditë u nisëm për dasmë. Në mëngjes ajo ishte tjetër njeri: e heshtur, fjalëpakë, sikur e kishte lënë pas një pjesë të vetes. Dita po zbardhte ngadalë dhe në fund të livadhit, mes barit të njomë, ajo u kthye edhe një herë mbrapa, nga shtëpia, sikur të kishte harruar diçka që s’mund ta merrte më me vete. Krojet gurgullonin me një freski të ëmbël, ndërsa jeta zgjohej si një buzëqeshje e brishtë mbi tokë. Nga shkrepat, shqiponjat ngriheshin si hije të mëdha që vallëzonin në qiellin e pastër.

- Kujdes djalin, - na porositi nëna disa herë.

Ai sapo kishte mbushur shtatë vjeç.

S’kishim mbërritur as në gjysmë të rrugës, kur ajo m’u kthye dhe më tha:

- Më premto se do të kesh kujdes djalin… çfarëdo që të ndodhë me mua.

Unë qesha dhe i thashë se s’kishte asgjë për t’u frikësuar. Pastaj i kërkova faqoren e rakisë që e mbante në çantë, dhe pimë nga një gllënjkë te një krua që buronte nën lisa të vjetër, si një bekim i fshehur i rrugës.

Diku, ndër gardhiqe, u dëgjua një angullim qeni. “Të preftë ujku, çfarë po ndjell…”, mendova me vete. Por ajo nuk foli. Vetëm ma zgjati faqoren, thirri djalin dhe i tha të hante diçka.

Qielli digjte pa mëshirë. Ishte korrik; toka plaste nga vapa dhe ajri dridhej si i etur. Dielli rëndonte mbi gjithçka, ndërsa gjinkallat përvëloheshin në trungjet e qarreve.

Dhe pastaj… ajo dritë u shua.

Si një qiri që fiket pa zhurmë, jeta e saj u këput papritur, pa i lënë kohë askujt ta ndalonte. U këput si gjethja e plepit që bie pa u ndjerë, si bishti i filxhanit që atë ditë më kishte mbetur në dorë.

Ra mortja.

Ajo prehej në shtratin e fundit, me një bardhësi që nuk ishte më jetë, por kujtim. Arkivoli erdhi me një ritëm të rëndë, funebër, si një zemër që nuk rreh më. E unë mbeta si një zog i humbur në shkretëtirë.

Që nga ajo ditë, vetmia më rrinte te porta, si një rojtar i padukshëm. Dhe udhët e mia… u bënë gjithnjë të muzgëta.

I ra shkurt Çesku, të cilit zëri tani i dridhej.

- Si një pikë vese që mbërrin në skajin e fletës së gjethes, ashtu është jeta ime. Ditët njësoj të trishtuara dhe e sotmja njësoj me të djeshmen. Nuk është ky vetëm pikëllim. Çfarë të bëj unë me dhimbjen time ndër duar?

Kishte kaluar një vit e gjysmë dhe pranvera kishte ardhur. Pasi isha kthyer nga puna, isha ulur në një shtroje dhe rrija pranë oxhakut, duke pritur të vinte darka. Kur erdhi ajo orë, m’u ul pranë im bir.

- Eh, babë, si qe e mundur që nana vdiq ashtu, krejt papritur? - ia dha të qarit, duke më qarkuar me duar rreth qafës.

Unë nuk fola asnjë fjalë. E vështrova thellë në trishtimin e tij dhe e lashë të shprehej, duke menduar se ndoshta do të çlirohej nga ai duf që e mbante brenda. Qyqet vajtonin buzë mbrëmjes, diku përjashta.

- Dua, babë, të shkoj në një vend ku të mos ketë qyqe, - më tha. - Trishtohem aq fort sapo dëgjoj këngën e tyre. Më duket sikur ato fshehin diçka në mes të natës. Jashtë vajtojnë në këtë orë dhe nuk flenë, thua se kanë për të na thënë diçka.

Diku nëpër muret e kullës vajtonte një bulkth i padukshëm. Në bebëzat e tij të hapura tmerri ishte shtrirë dhe, që kur i kishte vdekur e ëma, ishte bërë i heshtur si një copë guri, pa thënë më asnjë fjalë. Kur e pyesnim për diçka, përgjigjej shkurt, por atë natë…

E përkëdhela dhe u mundova ta qetësoja, pa mundur të bëja atë që duhej. Edhe unë vetë mbaja një trishtim të thellë. Nana rrinte pranë oxhakut, përpushte me mashë zjarrin dhe përpiqej të fliste, por fjalët i ndaleshin në grykë; vetëm lotët i rridhnin në vend të tyre.

- Eh, babë, kushedi sa i rëndon gjithë ai dhe mbi varrin e saj. Më ka marrë malli e s’po duroj dot më.

Kishte kohë që kulla dukej sikur këndonte këngën e heshtjes. Fjala m’u lidh nyje në gojë dhe nuk po dija çfarë të thoja; vetëm fshija lotët. U ngrita dhe desha të dilja jashtë, por ai, duke qarë, m’u drejtua:

- Mos, babë, ku po vete?

- Do të marr ca dru për zjarrin.

- Jo, babë, tani është buzmbrëmje, nuk bën, - vijoi ai.

I habitur dhe i tronditur, e pyeta:

- Po pse, bir? Na duhen dru për zjarrin. Gjyshja është e moshuar dhe ndoshta ka ftohtë.

- Jo, babë, mos shkel mbi barin e njomë afër gardhit; a nuk e mban mend si na thoshte nëna? - nisi të fliste ai duke qarë.

- “Mos e shkelni barin! Mbrëmjeve aty xixëllonjat ndriçojnë, mikeshat e vogla të gardhiqeve. Për dritën e një xixëllonje ka nevojë bota dhe ato nuk i bëjnë kujt keq. Dhe trëndafilat vdesin në muzg, ndërsa xixëllonjat ndriçojnë gardhiqet. Të lutem, babë, mos i shkel; ndoshta ndriçojnë sadopak që nana të shohë në këtë terr nate.”

Vetja m’u duk si një zog shkretëtire pa flatra. E mora përdore dhe u kthyem brenda. U ula pranë votrës, ndeza cigaren në një thëngjill dhe humba në mendimet e së shkuarës. Atë natë askush nuk hëngri darkë, ndërsa nëna më tha të shkoja ta vija në gjumë tim bir, që lodhja i ishte ulur në vetulla dhe loti i ishte ngrirë në qerpikë.

Pasi e zuri gjumi, dola jashtë të merrja drutë, sepse nana ishte e moshuar dhe natën mund të kishte ftohtë. Kupola e qiellit prehej në qetësi. Përtej bregut, përballë kullës, më dukeshin dy hije që afroheshin. I shihja në rrugë, syngulur në lartësi; herë më shfaqeshin, herë zhdukeshin. Njëra më ngjante me ecjen e saj dhe, prej asaj kohe, gjumin e bëj i ngërthyer në ëndrra.

Kisha kohë që netëve mbetesha pa gjumë dhe ndër vesh më vinin, si nga larg, vajet e holla të vajtimoreve që qanin mortin e saj. E vështroja nënën, zemërplasur, që nuk flinte, por vetëm deneste pranë oxhakut. Vajin e kishte nisur ta thoshte thekshëm që nga ditët kur unë shkoja në punë. Im bir qante pranë saj dhe e dëgjonte, por nuk ia ndërpriste dot; vetëm i ndiqte fjalët me vëmendje, sepse ato ishin për të ëmën.

Ndoshta do të kisha mbetur gjatë duke vështruar ato dy hije që as vinin, as iknin, po të mos ishte shfaqur në derë nëna ime, e cila më thirri:

- Zjarri po fiket, mor bir, çfarë bën kaq gjatë jashtë këtë natë?

Sapo ajo foli, hijet u zhdukën.

Nana kërkoi në një dollap, pastaj në një hatull mori disa copa pishe, sepse zjarri po shuhej. Me mashë përziu hirin dhe, pasi nxori disa gacë, filloi t’u frynte derisa e ndezi sërish zjarrin në votër.

- Çfarë ke, mor bir? - më tha. - Je zverdhur krejt.

E priste të mësonte prej meje arsyen pse kisha ndenjur aq gjatë jashtë, por unë kisha heshtur dhe nuk kisha thënë asnjë fjalë. Nëpër mendje, s’e di pse, më vinte ai bishti i filxhanit që më kishte mbetur në dorë atë ditë kur nisesha për në dasmë. Do të kisha dashur të mos e kisha pirë atë kafe atë mëngjes dhe të kisha dëgjuar fjalën e nanës.

- A po ma bën një kafe? - i kisha thënë.

Dhe ajo, megjithëse kishte thënë se ishte shumë vonë, kishte marrë xhezven dhe filxhanët dhe na kishte bërë kafe.

I pimë ato kafe dhe kuvendi ynë filloi të rridhte monoton, si rrjedhë uji, me një tingull të ftohtë.

- Mos u trishto, - i them vetes, - por a mund të mos trishtohem kur shoh që yt bir ka nisur të tretet? - kishte nisur të fliste nëna me lot në sy. - Nëse më pyet ç’është trishtimi, unë do të të thosha: ka ngjyrën e kësaj nate.

Tri ditë me radhë qyqja vajtoi në degë të thata ato ditë vere, pasi vdiq jot shoqe. Dhe prej asaj kohe, moti kanë pushuar zogjtë nëpër drurët rreth kullës sime. Yt bir, ende fëmijë, po bëhet gjithnjë e më i heshtur. Vjen prej shkolle, qan e qan, pastaj ulet e bën detyrat, e fletoret e tij janë plot njolla lotësh. Nuk është ky vetëm pikëllimi i tij.

Ajo kishte zbrazur gjithë dufin e fjalëve mbi atë kafe atë natë të vonë.

- Nuk dua të vdes pa të martuar ty, mor bir. Ky qe fati: të drejtohesh dikujt dhe të gjesh një vajzë për shtëpi, që të kujdeset edhe për djalin e të shohë përpara. Mua shpirti po më lë përditë. Qysh kur vdiq jot shoqe, edhe kulla është bërë më e zezë, si një hije tmerri që e ka mbërthyer anë e mbanë.

E ndjeja në mëngjesin që më largohej se duhej bërë diçka. Shtrihesha të flija ato net pranvere, por zëri vajtimtar i qyqes dëgjohej pareshtur. Memece rrëshqisnin kohët. Mbrapsht kishte filluar të ecte gjithnjë e më shumë jeta ime.

- Kulla pret gruan tënde të re, si toka e etur pret ujin, - më thoshte nëna çdo mëngjes kur më përcillte në punë.

Një shqetësim i madh më rëndonte në zemër. U nisa për punë një mëngjes dhe, në cep të rrugës, gjeta një mik që më tha se po më priste.

U bë shkak ky mik që unë të martohesha për herë të dytë, dhe tani kam edhe një vajzë me këtë gruan e dytë. Por nuk ka gjë që e ndal këtë njeri me kokë të rënduar, që sapo i mbetet diçka në mendje, e nxjerr fjalën e rëndë prej goje. Gjithnjë, me shkak e pa shkak, më përmend faktin që kam qenë i martuar dhe se ajo ka ardhur në shtëpinë time dhe po më rrit djalin.

I thashë një ditë se do ta përcillja te njerëzit e saj, po të mos e mbyllte gojën dhe të sillej si njeri me mua, sidomos me nanën. Por ajo vijon të njëjtën gjë. Nëna ime hesht dhe nuk do t’ia prishë qejfin; e duron sa s’thuhet. Por ajo, edhe pse nëna sillet kështu, jo vetëm që nuk e respekton, përkundrazi.

E thirra në dhomën time dhe i thashë ta mbyllte gojën ose të shkonte në shtëpinë e saj. Por ajo s’e ndryshon sjelljen, as ndaj nanës, as ndaj djalit…

Më ka mbetur peng, sikur të mos e kisha pirë atë kafe në filxhanin me bisht të këputur…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat