Cikël poetik- 3 poezi kushtuar nënës

Kultura

Cikël poetik- 3 poezi kushtuar nënës

Nga: Vjollca Aliu Më: 25 qershor 2026 Në ora: 20:54
Vjollca Aliu

FOTOGRAFIA NË MUR

Ai shikim plot ëmbëlsi e urtësi
më rri çdo ditë ndër sy.

Në skaj të dhomës rri e varur fotografia
e ajo s'është më, iku në amshim.

E shikoj atë fotografi, atë fytyrë plot nur,
atë fytyrë të buzëqeshur ëngjëllore.

Shpesh e pyes, por s'më përgjigjet,
rri e shikon se si ecën koha, njerëzit.

Ajo fytyrë, ajo zemër përkëdhelëse
më është e nevojshme përjetë e mot.

Vendin e saj, urtësinë, madhështinë,
fisnikërinë, bujarinë dhe çiltërsinë e saj
s'mund ta ketë askush.

Ajo ishte e tillë, njeri ideal,
Ajo është NËNA ime me shpirtin kristal.

KRYEVEPËR E NJERËZIMIT 

Sa herë e pyeta hënën se,
a mos fshehet pas teje lodhja e nënës?
Edhe liqenin e pyeta se,
ëmbëlsinë e ujit
nga shpirti i nënës a e more ti?
Dhe, asnjëherë s'mora përgjigje.
Vetëm diellin nuk e pyeta fare,
sepse e dija,
rrezet e tij burojnë nga shpirti
e nga sytë e nënës rrezedritë.
Dhe, një ditë, krejt pa pritur
u shfaq një ylber,
ku me ngjyrat e tij shkruheshin
lodhja e fuqia e pamposhtur e nënës.
Shkruheshin ëmbëlsia, dashuria,
gëzimi i shpirtit të artë.
Shkruheshin dhimbjet, lotët, buzêqeshjet...
Shkruheshin emri, jeta dhe vepra e saj.
Shkruhej një kryevepër e historisë njerëzore,
dhe ajo mban kryetitullin: NËNË!


MALLI

Ende i ndiej ledhatimet e duarve
mbi flokët e mia të gjata,
kur m'i lidhnin gërshetë,
duart e nënës të arta.

Tallazet e flokëve kur m'i krehte,
m'i bënte si deti me valë,
vetullat e sytë e zi si m'i puthte,
ah, seç ndiej mall!

Ato duar s'më lëmojnë më,
e në ëndërr më shfaqet si hënë,
symbyllaz i ndiej puthjet e tua
kur vë kokën mbi jastëk, moj NËNË!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat