Lindi në fshatin Kërvasari,
komuna e ish-Suharekës, tani e Malishevës.
Rrjedh nga një familje atdhetare.
Qysh si fëmijë e ka dashur arsimin më shumë
se qumështin e nënës.
Edhe pse regjimi serb i kohës kishte ndaluar
që shqiptarët të shkolloheshin
në gjuhën e tyre shqipe,
për mësuesin Muhamet Sokol Bytyçi,
bashkëkohanikët e tij tregonin se
që në moshën 6-vjeçare,
edhe pse ilegalisht,
kishte arritur ta mësonte
alfabetin shqip.
Në biseda me të atin,
thuhet se thoshte:
“O Zot, a kam për të arritur të bëhem mësues
për t’i mësuar nxënësit shqiptarë shqip?”
Muhamet Sokol Bytyçi,
edhe pse në rrethana të vështira
ekonomike, sociale dhe politike,
arriti të bëhej mësues
dhe filloi t’i mësonte nxënësit
shqiptarë shqip,
fillimisht në disa fshatra të Drenicës,
aty ku regjimi serb i kohës
ndalonte komunikimin në gjuhën shqipe
në vende publike.
Më vonë, familja e mësuesit Muhamet Sokol Bytyçi
u shpërngul nga fshati Kërvasari
në Prizrenin historik,
dhe karrierën e tij si mësues
e zhvilloi deri në vdekje
në fshatin Zhur,
në një kohë kur në gjithë Kosovën
kishte shumë pak personalitete
me profesionin e mësuesit.
Për kontributin e mësuesit Muhamet Sokol Bytyçi flasin me admirim nxënësit e tij,
të cilët sot kanë tituj të lartë akademikë,
dhe nuk mund ta harrojnë kurrë
mësuesin e tyre patriot dhe arsimdashës,
i cili Kosovës i la në trashëgim
një plejadë dijetarësh,
që përhapin dijen, arsimin dhe kulturën shqiptare
anë e mbanë Kosovës.