Ngjarje e vërtetë: Më ndihmoi ta mposht kancerin, por priti ta heq shaminë

Life style

Ngjarje e vërtetë: Më ndihmoi ta mposht kancerin, por priti ta heq shaminë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 21:47
Foto ilustrim

Kush e di se si është në të vërtetë? Ndoshta është një ndër të çmendurit që përmes 'Facebook'-ut josh vajza? Gjithçka më shkonte në mend, por megjithatë i këmbyem numrat e telefonave dhe email-at. Zërin e kishte të këndshëm, po kënaqesha në bisedën me të. Shumë shpejt ma dërgoi fotografinë e tij. Më pëlqeu ajo që po shihja, e më së shumti buzëqeshjen e tij të ngrohtë. Edhe unë pa menduar shumë ia dërgova fotografinë time, po menjëherë fillova të mendoj. E çfarë nëse i pëlqej dhe dëshiron që të takohet me mua. Kisha frikë. Tomorit, në fakt, nuk i tregova se jam e sëmurë nga kanceri i gjirit. Fotografia ishte e vjetër dy vjet dhe në të ende kam flokë.

E tani eci me shami në kokë, sepse kështu e fsheh faktin që nuk kam fare flokë. Të gjitha frikët e mia ia tregova nënës. Nëse është i duhuri, do të kuptojë dhe do të të qëndrojë pranë deri kur të shërohesh - më tha. - E nëse nuk është? - Atëherë është mirë që këtë ta kuptosh menjëherë në mënyrë që të mos zhgënjehesh sërish! Nëna kishte të drejtë, por megjithatë e shtyja takimin. Tomori dëshironte që të vinte gjatë fundjavës, e unë gjithmonë e gjeja një justifikim për t'i thënë që të mos vijë. Dëshiroja që të kënaqem në bisedat tona telefonike, në romantikë dhe butësi që ndjehej në secilën fjalë. Më në fund më ndodhi që dikush të dashurohet në mua.

Nëse është iluzion, atëherë le të zgjasë edhe pak, i thosha vetes. Më la përshtypje jeta e Tomorit. Për shkak të humanizmit nuk kishte jetë personale. Ata njerëz të moshuar e kishin vetëm atë. Vetëm ai i dëgjonte dhe ua fshinte lotët. Përpiqej që t'u ndihmojë edhe financiarisht. Edhe atyre u kishte treguar se sa shumë e dëshiron dikë pranë vetes, e atëherë një plakë i kishte thënë: - A ke provuar përmes faqeve të ndryshme të internetit? Ka shumë të tilla. Aty bija ime është njoftuar me bashkëshortin e saj të tanishëm. -Mendoj se gjërat e tilla duhet të ndodhin vetvetiu. Ato agjenci e faqe të internetit janë për njerëz të zhgënjyer - i kishte thënë ai. -Ose për njerëz të zënë tepër me punë - e kishte inkurajuar ajo.

Edhe pse në fillim kishte refuzuar që madje edhe të mendojë për këtë, plaka ishte këmbëngulëse dhe pas disa javëve ai i shkroi fjalët e tij. Për fat të mirë që edhe unë, mes tjerash, i lexova ato. Mesazhet që i pranonte kryesisht e bënin që të qeshë. Disa vajza i shkruanin se sa para i presin nga ai në muaj për shoqërim, të tjerat ishin të martuara dhe kërkonin vetëm aventurë, e disa të tjera madje dëshironin që të martoheshin menjëherë. Mesazhi im ishte i pari, më tha ai, që i kishte lënë përshtypje. Por, unë isha e përmbajtur, e frikuar nga emocionet. Tomori për këtë arsye ishte i impresionuar. Më thoshte se jam shpirti i tij binjak, e unë vetëm qeshja. Megjithatë, nuk hiqte dorë, e as nuk e humbte shpresën. Nga mesazhi im i parë e dinte se me mua do ta kalojë jetën, më thoshte. Dhe, me tërë forcën përpiqej që të më bindë. -Jam i pikëlluar sepse nuk u përgjigjesh mesazheve të mia ashtu siç dëshiroj unë - më shkruante.

E si dëshiron ti? Nuk mund të të them se dëshiroj që të martohem me ty kur ende nuk jemi takuar. Përndryshe, po më duket se je duke kërkuar grua me çdo kusht - iu përgjigja unë. - Kjo nuk është e vërtetë. Po të doja martesë me çdo kusht, tashmë do të isha i martuar. Dua emocione të thella, besnikëri, dashuri, por si duket këto nuk do t'i gjej kurrë - më shkroi. -Edhe unë e dëshiroj të njëjtën gjë. T'ia lëmë kohës që ta bëjë të veten - shkrova në fund. Që nga ajo kohë kontaktonim për çdo ditë, por kur ma kërkoi numrin e telefonit mobil nuk iu përgjigja më. Kisha shumë frikë nga telefonata, sepse pas saj me siguri do të vinte kërkesa për njoftim. E më pas mendova se do të vinte edhe zhgënjimi i tij. Tomori në një e-mail ma kishte shkruar numrin e telefonit të tij mobil. Më tha se do të shkonte për disa ditë në një udhëtim jashtë shtetit. Nuk i telefonova, por mendova mirë për të gjitha.

E dija që e kisha tepruar me lojën, sepse shkruaja fjalë të mira, por që ende nuk ishim dëgjuar apo parë. Isha lëshuar në një aventurë dashurie në distancë, ndërsa po frikohesha, e kuptova, nga një telefonatë e thjeshtë. Në fund vendosa që t'i telefonoj. Tërë jetën do të pendohesha po të mos e kisha bërë një gjë të tillë. Biseda jonë e parë, zëri i tij i këndshëm, gjithmonë do të mbeten në kujtesën time, sepse falë tij i kishte ardhur fundi periudhës së vetmuar të jetës sime. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat