Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër

Life style

Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 12:52

Shikoj nga dritarja duke parë një ditë të zymtë dhe mendoj se si t'ia filloj rrëfimit tim. Mjegulla e shkurtit ka rënë në oborrin tim, sikur të donte të ma bënte me dije se jemi në dimër, stinë të cilën, bashkë me vjeshtën me shi, nuk i duroja fare. Prej se di për veten time, nga pak jam depresiv, i zymtë, i qetë dhe pa vullnet. Ndoshta i tillë edhe kam lindur, ndoshta në secilin prej nesh ekziston paraprirja për gëzim dhe hidhërim. Mund të jetë që të ketë ndikuar ambienti tek unë, meqë jam rritur në rrethana shumë specifike. Qysh prejse e mbaj mend veten, i kam pasur të gjitha: prindërit, miqtë, të afërmit dhe të njohshmit, shtëpinë, banesën, vilën dhe firmën, dorën në zemër, të babait. Koncepti i varfërisë, me të cilin shumë shokë të mi ballafaqoheshin për ditë, për mua ishte i panjohur.

Gjithmonë kisha pajisjet më të mira në shkollë, i pari i jepja paratë për ekskursion, jepja më së shumti kur mblidhnim para për dhuratë kujdestarit të klasës dhe blija dhuratat më të mira për prindërit. Ndokush mund të mendojë se, këto që i përmenda, mjaftojnë për ta pasur një jetë të lumtur, por unë, sidomos gjatë kohës së djalërisë, të gjitha këto të mira do t'i këmbeja pa hezitim me një buzëqeshje. Tani jam i vetëdijshëm se paratë mund të na kursejnë nga kokëdhembjet e tepërta dhe nga shqetësimet e përditshme, por e di se lumturia nuk blihet me para... Mund të pyetni se çka më mungonte mua, pasi që kisha tërë ato të mira dhe shëndetin, e unë, pa humbur kohë, do të filloj t'i numëroj.

Së pari, më mungonte ndonjë vëlla, apo motër, apo më saktësisht që të dy ata. Dëshiroja me gjithë zemër që në shtëpinë tonë të madhe të dëgjohej loja e fëmijëve, buzëqeshja, grindjet, krejt ato situata që i shihja në shtëpitë e shokëve të mi të shkollës. Nëna dhe babai ishin në gjendje që të kishin më shumë fëmijë, por nuk donin. Mu pas lindjes sime puna kishte filluar t'iu shkonte mirë, prandaj nuk donin që vitet më të mira të jetës t'i kalonin duke ndërruar pelena.

Herë pas here e pyesja nënën pse vetëm unë, nga të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, nuk kisha asnjë vëlla, apo motër. Edhe pse nuk më kujtohet përgjigja e tyre, mbaj mend shpjegimin të cilin ma dhanë në një rast, derisa ishin për darkë miqtë afaristë, të cilët po ashtu çuditeshin pse prindërit e mi ma kishin privuar të drejtën dhe kënaqësinë që të kisha vëlla, apo motër. Por, mua më mungonin edhe prindërit.

Punonin nga 12 orë në ditë, në mënyrë që unë t'i kisha të gjitha, sikur që më thoshin, të gjitha ato gjëra për të cilat fëmijët e tjerë vetëm mund të ëndërronin. E unë tërë kohën rrija me dado të të gjitha llojeve dhe moshave. Nuk isha i lumtur edhe pse ato e kishin për detyrë që të kujdeseshin vetëm për mua. Kishte edhe shërbëtore, si dhe një kuzhiniere, e cila pasi që mbaronte orarin e punës në një restorant, vinte që të përkujdesej për atë që do të hanim ne. Por, duhet thënë se as darka më e shijshme nuk të shijohet nëse e ha vetëm. Edhe kur ishin prindërit, ndihesha i vetmuar. Ata bisedonin vetëm rreth biznesit. Më duket se lakminë ma kishin vetëm njerëzit e panjohur në rrugë, meqë gjithmonë kisha një veshje moderne, me parfum të shtrenjtë dhe me stil aktual të flokëve. Zilinë e përmendi meqë ajo është emocion, e unë gjatë tërë jetës kisha dëshiruar që te të tjerët ta ngjallja ndonjë ndjenjë tjetër, pos indiferencës, të cilën e hetoja kryesisht në fytyrat e të të njohurve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat