Arsyeja psikologjike pse nuk ndaloni dot së shpenzuari për produkte bukurie!

Life style

Arsyeja psikologjike pse nuk ndaloni dot së shpenzuari për produkte bukurie!

Më: 31 janar 2023 Në ora: 01:00
Foto ilustrim

Ne jetojmë në një botë materiale dhe jemi vazhdimisht të ndikuar nga mediat që na thonë se kemi nevojë për më shumë për të qenë të lumtur. Në vitet e fundit, kemi përforcuar idenë e kujdesit për veten në shoqërinë tonë, dhe shumë njerëz po e çojnë në nivele joreale. 

Qoftë për t'u ndjerë mirë me veten apo për të shmangur emocionet e pakëndshme, ne kemi rënë pre e gënjeshtrës se do të jemi më të lumtur nëse kemi këtë apo atë.

Ndërsa përkëdhelja e vetes nuk është në thelb një gjë e keqe, bëhet problematike kur njerëzit nuk mund t'u rezistojnë dot blerjeve.

Justin Puder, psikolog, thotë se "kur jemi në procesin e blerjes, çlirojmë dopaminë". 

"Kjo ndodh sepse kur shikojmë artikuj të ndryshëm ose krahasojmë gjërat që mund të blejmë, truri ynë është duke parashikuar një shpërblim, duke rritur motivimin tonë për të blerë. Endorfina gjithashtu lirohet gjatë procesit të blerjes, gjë që shpjegon pse shumë njerëz ndjejnë një rënie të stresit dhe përmirësim të humorit pasi blejnë."

Problemi është se kjo kënaqësi e blerjeve të produkteve të bukurisë ka një jetëgjatësi dhe kur mbaron, ju riktheheni aty ku ishit, por me më pak lekë dhe ndoshta me më shumë borxhe.

Sigurisht, ky problem mund të ndodhë për çdo lloj blerjeje, por është më e theksuar te produktet e bukurisë. Njerëzit e kanë prioritet dukjen dhe shpenzojnë shumë për atë që atyre u duket - e bukur.

Arsyeja? Bukuria, në vetvete, është një formë kapitali: Hulumtimet kanë treguar se njerëzit tërheqës fitojnë rreth 15% më shumë falë një fenomeni të njohur si "diferenca e pagave të bukurisë". Në një botë ku pamja juaj mund të ndikojë në mundësitë dhe potencialin tuaj të fitimit, është e lehtë të shihet se si njerëzit mund të bindin veten se "ia vlen" të shpenzojnë për serumin më të fundit ose atë trajtimin që bën mrekulli.

Njerëzit janë kaq të dëshpëruar për ta trajtuar veten me produkte dhe procedura bukurie, sepse kultura e bukurisë, ashtu si kultura e dietës, nxit qëllimisht dëshpërimin.

Kur kompanitë lidhen me emocionet ose gjendjen mendore të klientëve, fitimi mund të jetë i madh.

Për më tepër, sa më shumë të normalizohet një standard bukurie, aq më e vështirë është të tërhiqemi prej tij si shoqëri apo si individë, pa u përballur me pasoja sociale ose ekonomike. 

Njerëzit po derdhin energjinë e tyre (dhe paratë) në produktet e bukurisë si një mënyrë për të arritur një standard të caktuar përsosmërie, por për shkak se ata po injorojnë shkaqet psikologjike pas sjelljes së tyre, blerjet në fund i lënë me një ndjesi boshe. Dhe më pas ky proces përsëritet, me shpresën për ta mbushur përsëri atë boshllëk.

Herës tjetër që do doni të bëni një blerje të panevojshme bukurie, pyesni veten: "Sa do zgjasë ndjenja e mirë që do të merrni? Sa kohë do t'ju duhet më pas që të punoni për të paguar koston e asaj ndjenje?".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat