Mbahet mbledhja e Bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës

Mitrovica

Mbahet mbledhja e Bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës

Më: 6 prill 2021 Në ora: 16:02
Pamje nga takimi

Nën kryesimin e nënkryetarit të komunës, Faruk Mujka, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.

Fillimisht në këtë mbledhje, nënkryetari Mujka bëri të ditur që nga nesër do të hyjnë në fuqi masat e reja në parandalim të virusit Covid-19, andaj është e rëndësishme që nga ekzekutivi dhe qytetarët të bëhet zbatimi i këtyre masave, në mënyrë që Komuna e Mitrovicës të bëhet shembull në respektimin e të gjitha masave.

Gjatë kësaj mbledhje drejtori i Arsimit, Ismet Ferizi, ka diskutuar lidhur me mundësinë e ri-funksionimit të ekipit komunal për vlerësime pedagogjike të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, me ç' rast u dha edhe mbështetja e ekzekutivit në ri- funksionalizimin e këtij komisioni.

Po ashtu nga drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj, u potencua se në Mitrovicë ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë posa të pranohet kontingjenti i dytë i vaksinave do të fillohet me vaksinimin e të moshuarve, ashtu siç parashihet me planin e Ministrisë së Shëndetësisë, por që qytetarët do të njoftohen me kohë.

Ndërsa, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, njoftoj ekzekutivin për premierën e shfaqjes, “Duke pritur Godonë”, me autor Samuel Becket e regji të Kushtrim Mehmeti, e cila do të shfaqet të enjten me datë 08.04.2021, duke filluar nga ora 19:00, kurse repriza do të shfaqet me datat 09 dhe 10 prill, gjithmonë duke i respektuar masat anti Covid-19, dhe me 20% të kapacitetit të ulëseve.

Në fund të mbledhjes së sotme, nënkryetari Mujka, ka njoftuar bordin për disa takime që ka pas me organizata të ndryshme, ku është diskutuar për trajtimin e qenve endacak, problematik kjo jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në qytetet tjera.

Ai më tutje ka shtuar se pritet të arrihet një marrëveshje me një shoqatë zvicerane e cila do t’i ndihmoj komunës lidhur me trajtimin e qenve endacakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat