​Testi i arritshmërisë në Mitrovicë, procesi vlerësohet i rregullt

Mitrovica

​Testi i arritshmërisë në Mitrovicë, procesi vlerësohet i rregullt

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Mbi 1100 nxënës të klasave të nënta në komunën e Mitrovicës, duke përfshirë këtu edhe shkollat shqipe të komunave veriore, i janë nënshtruar sot pjesës së dytë të testit të arritshmërisë.

Drita Kadriu, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, ka thënë për KosovaPress se procesi ka shkuar në rregull dhe pa ndonjë problem.

Sipas saj, kopjimi nuk është vlerë, andaj janë marrë të gjitha masat e duhura për të mos ndodhur një gjë e tillë.

Kadriu: Procesi ka shkuar mbarë

“Në Mitrovicë sot 1 mijë e 100 nxënës ju kanë nënshtruar testit të arritshmërisë dhe të gjitha përgatitjet për një proces të mirë e të rregullt janë bërë... Ka filluar me kohë, procesi është duke rrjedhur normalisht dhe duhet t’i presim rezultatet... Sigurisht, është urdhër edhe është etike, profesionale që ne duhet t’i përgatisim gjeneratat me vlera morale të larta. Kopjimi nuk është vlerë, prandaj kemi përcjellë urdhrat e ministrisë por edhe të Drejtorisë komunale të Arsimit përmes institucioneve, shkollave, kemi përcjellë mesazhe që kopjimi është rreptësishtë i ndaluar”, theksoi Kadriu.

Edhe Zybejde Gogolli-Latifi, drejtoreshë e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, njëra prej qendrave më të mëdha ku është mbajtur testi i arritshmërisë, ka konfirmuar se procesi i provimit është zhvilluar mbarë dhe pa ndonjë problem.

Ajo e ka quajtur ditën e sotme si ditë të madhe, ndërsa ka uruar sukses për të gjithë nxënësit e Kosovës që t’i arrijnë pikët, në mënyrë që të regjistrohen aty ku ata dëshirojnë.

Gogolli-Latifi: Nxënësit janë vendosur me kohë nëpër klasa

“Sot është një ditë e madhe, është dita e dytë e testit të arritshmërisë për semimaturantët. Krejt nxënësve të Kosovës ju uroj sukses ditën e sotme, t’i arrijnë pikët me qëllim që të regjistrohen në vendet ku ata dëshirojnë…Nxënësit janë vendosur nëpër klasa, pa telefona, sipas urdhëresave të MASHT-it, të gjithë administruesit dhe komisionerët janë në vendin e punës”, tha ajo.

Në anën tjetër, nxënësit që iu nënshtruan këtij testi, patën mendime të ndryshme rreth pyetjeve. Për disa ato ishin të vështira, ndërsa disa thanë se pyetjet kanë qenë të lehta, por që të dyja palët pranuan se nuk kanë mundur të kopjojnë.

Fatmir Selaci, nga shkolla “Ismail Qemali” në Mitrovicë, tha se pyetjet kanë qenë të vështira, ndërsa pranoi se ka qenë e pamundur për të kopjuar.

Selaci: Pyetjet kanë qenë të vështira

“Pyetjet kanë qenë të vështira… E pamundur (të kopjojmë), sepse te dera na kanë kontrolluar, dhe vazhdimisht na kanë vëzhguar…Telefonat na kanë marrë”, tha ai.

Ermal Kelmendi u shpreh se për ata nxënës që kanë mësuar pyetjet ishin të lehta.

Kelmendi: Testi nuk ishte i vështirë

“Mbarova testin, nuk ishte as shumë i vështirë e as shumë i lehtë. Kush ka mësuar ia qëllon, kush s’ka mësuar s’ka çka bënë…S’na kanë lejuar të kopjojmë, telefonat na i morën”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, Natyra Latifi nga shkolla “Migjeni” ka potencuar se pyetjet nuk kanë qenë të vështira dhe se ato i ka pasur të njohura nga mësimet të cilat i kanë zhvilluar gjatë vitit shkollor.

Latifi: Nuk është lejuar kopjimi

“Nuk ishte testi i vështirë, por të kopjojmë nuk na lanë sepse na i morën telefonat… Pyetjet ishin të lëndëve të cilat i kemi mësuar dhe zhvilluar në shkollë”, tha ajo.

Ndryshe, në këtë vit shkollor testi i arritshmërisë ka pësuar ndryshime sa i përket numrit të pyetjeve dhe kohës së mbarëvajtjes së tij. Testi është mbajtur në dy ditë, më 4 dhe 14 qershor, ndërsa ka pasur gjithsej 200 pyetje në pesë lëndë shkencore dhe katër lëndë shoqërore. Rezultatet do të publikohen më 21 qershor.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat