​“Nga lufta drejt paqes”, Martinsen: Serbia bëri gjueti ndaj shqiptarëve

Mitrovica

​“Nga lufta drejt paqes”, Martinsen: Serbia bëri gjueti ndaj shqiptarëve

Më: 25 prill 2023 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Sot, në universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt ligjëratë e hapur me temën “Nga lufta drejt paqes”, me ç’rast, u tha se Serbia ende nuk e ka marrë dënimin e merituar dhe se gjenocidi në Kosovë duhet të shpaloset, në mënyrë që t’i hapet rrugë paqes.

Eksperti nga Norvegjia, Josef Martinsen tregoi se në vitin 1999 është punësuar në UNHCR (Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët)për të pastruar puset e ujit në Kosovë, nga trupat e njerëzve e për këtë ka shkruar edhe libër. Ai tha se po bëhej gjueti ndaj shqiptarëve nga policia ushtarake dhe policia civile serbe apo jugosllave.

Martinsen: Serbia bëri gjueti ndaj shqiptarëve

“Më është dashur të pastroj ujin e puseve nga trupat e njerëzve për më shume se tetë muaj. Unë përfundova në mars të vitit 2000, pas tetë muajsh. Nga viti 2001 deri në 2005 kam dokumentuar dhe shkruar librin e parë për vrasjet e puseve. Më pas nga viti 2006 deri në 2010 filloi libri i dytë dhe një film që do të realizohej. Bëhet fjalë për historinë e rreth 10,600 fëmijëve, grave dhe burrave të gjetur në 400 varre masive që u vranë gjatë 18 muajve, nga janari '98 deri në qershor '99. Po bëhej gjueti ndaj shqiptarëve nga policia ushtarake dhe milicia civile serbe apo jugosllave. Nga viti 2013 deri në vitin 2018 kam qëndruar në Beograd dhe kam informuar njerëzit në Beograd, në Serbi për atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet '98-'99. Sepse qeveria në Serbi, ata nuk flisnin për këtë. Ata refuzuan të thonë diçka për atë që serbët dhe populli jugosllav po bënin në Kosovë në '98 dhe '99, thjesht i mbyllën. Ata pretendojnë se ishte e rreme, kjo është fjala e re sot, e rreme.”, tha ai.

Drejtoresha e Institutit shkencor kosovaro – suedez, Salihe Salihu deklaroi se gjeneratave duhet t’ju tregohet se gjenocidi në Kosovë duhet të shpaloset në tërësi, të ketë kërkim falje nga agresorët, në mënyrë që t’i hapet rrugë paqes.

Salihu: Duhet kërkim falje nga agresorët për me hapë një rrugë paqësore

‘Intenca ime dhe e Jozefit është që t’ju flasim gjeneratave dhe t’ju tregojmë se gjenocidi që ka ndodhur duhet të shpaloset, duhet kërkim falje nga agresorët, për me hapë një rrugë paqësore. Prandaj mendojmë se ndrydhja e historisë është shumë e dëmshme, sepse ndrydhje të tilla ka pasur edhe më parë gjatë historisë ndër popuj të tjerë’, tha Salihu.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për studime evropiane dhe globale, Jeton Halimi theksoi se përkundër të gjitha luftrave të shkaktuara në Ballkan, agresori, në këtë rast Serbia, ende nuk ka marrë dënimin e merituar.

Halimi: Ende Serbia nuk ka marrë dënim në opinion si agresor

“Ende Serbia nuk ka marrë dënim në opinion si agresor i të gjitha luftërave në shtetet e Ballkanit, me gjithë ato masakra, vuajtje, të cilat i ka shkaktuar familjeve qoftë në Sarajevë, Kroaci, sidomos në shtetin tonë Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Juridik në Mitrovicë, Islam Qerimi u shpreh se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare, sepse ka zhvilluar një luftë të drejtë, luftë mbrojtëse.

Qerimi: Kreu i UÇK-së konsiderohet, sipas tyre, që është një ndërmarrje kriminale

“Kreu i UÇK-së konsiderohet, sipas tyre, që është një ndërmarrje kriminale. Mirëpo, e drejta e brendshme, gjithashtu edhe e drejta ndërkombëtare, nuk ka hasur ndonjëherë një rast të tillë as s’ka precedent gjatë historisë së të drejtës, ku kreu i një organizate kriminale konsiderohet kriminel, ndërsa anëtarët e asaj organizate apo ndërmarrje konsiderohen se kanë pasur të drejtë të luftojnë sikurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në përgjithësi ka një prestigj, një imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare. Sepse kanë zhvilluar një luftë të drejtë, një luftë mbrojtëse, një luftë çlirimtare dhe kjo ka qenë arsyeja që bashkësia ndërkombëtare ka intervenuar në Kosovë për të ndalur gjakderdhjen e popullatës shqiptare”, u shpreh Qerimi.

Ndryshe, ligjërata e hapur “Nga lufta drejt paqes” u organizua nga Fakulteti Juridik në Mitrovicë në bashkëpunim me Institutin shkencor kosovaro-suedez dhe Institutin për studime evropiane dhe globale.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat