Semimaturantja e vetme në Bistricë të Mitrovicës

Mitrovica

Semimaturantja e vetme në Bistricë të Mitrovicës

Më: 23 maj 2023 Në ora: 23:22
Foto ilustrim

Rruga që e bën për në shkollë nuk është aktiviteti i vetëm që 14-vjeçarja Zana Murseli e bën e vetme gjatë një dite.

Zana është nga fshati Bistricë e Mitrovicës dhe është nxënësja e vetme e klasës së nëntë në shkollën e mesme të ulët “Kadri Bistrica” në këtë fshat.

Gjashtë orë mësimore në ditë ajo i zhvillon e vetme vetëm me mësimdhënësit, pa asnjë shok a shoqe të klasës.

Zana thotë se bashkë me mungesën e shokëve e shoqeve, ndjen edhe mungesën e një mendimi ndryshe brenda klasës.

Si nxënëse e klasës së nëntë, ajo shpeshherë e ndien edhe mungesën e konkurrencës, gjë e cila, sipas saj, do ta shtynte më tepër drejt thellimit në mësimet që merr gjatë ditës.

Kanë mbetur edhe pak javë gjer te dita kur Zana do të përshëndetet nga shkolla e saj, në të cilën ka ndjekur mësimet për 9 vjet, dhe për të nisur një rrugëtim tjetër në shkollën e mesme të lartë.

Dhe kjo gjë asaj i sjell gëzim e huti njëkohësisht, pasi Zana ka frikë nga ajo që e pret në të mesmen.

Ajo nuk e di se si do të shkojë e sa gjatë do t’i marrë asaj që të ambientohet në një klasë, ku nuk do të jetë më nxënësi i vetëm.

Arbenita Peci-Cena është mësuese e klasës së parë në këtë shkollë dhe këtë vit ajo dha mësim vetëm për një nxënës.

Dhe kjo, sipas saj, ka sfidat e veta sa i përket socializmit; e para vjen si pasojë e mungesës së klasave parashkollore në shumicën e fshatrave, gjë që ndikon te fëmijët e klasave të para, e problemi thellohet kur që në klasën e parë ata janë të vetmuar pa asnjë shok.

Si çdo problem që ka anët pozitive, edhe mësimdhënësja Arbenita Peci-Cena është e të njëjtit mendim, pasi, sipas saj, metodat e mësimnxënies bëhen më të lehta.

Fakti se shumë shkolla kanë mbetur me nga një nxënës në klasa, kryesisht lidhet me zhvendosjen e popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve, migrimin dhe uljen e natalitetit në përgjithësi.

Drejtoresha e shkollës së mesme të ulët “Kadri Bistrica”, Rudina Salihu, shkolla e së secilës ka vetëm 16 nxënës, për KIKS-in ka rrëfyer sfidat e drejtimit të një shkolle, ku numri i nxënësve vazhdon të bie nga viti në vit.

Duke qenë se për disa vite punoi edhe si mësimdhënëse në këtë shkollë, Salihu ka theksuar se problemi më i madh qëndron kur duhet të realizohen temat që kanë të bëjnë me punën në grupe, e të cilën nuk mund ta realizojnë asnjëherë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat