Në Mitrovicë diskutohet për ekstremizmin e dhunshëm, vlerësohet e rëndësishme ngritja e vetëdijes tek të rinjtë

Mitrovica

Në Mitrovicë diskutohet për ekstremizmin e dhunshëm, vlerësohet e rëndësishme ngritja e vetëdijes tek të rinjtë

Më: 23 maj 2025 Në ora: 08:44
Mbajtja e trajnimit mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, në Mitrovicë, më 22.05.2025

Gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë, organizata jo-qeveritare “EDU Task” ka mbajtur një trajnim mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Kjo temë bashkoi aktivistë të shoqërisë civile, analistë, pedagogë, kryetarë të këshillave të fshatrave, njohës të fesë dhe profesorë.

Temë kyçe ishte “10 vite pas luftës në Siri: A po i kanoset Kosovës ende rreziku nga ekstremizmi i dhunshëm?”, ndërsa rast diskutimi ishte dhe vrasja e policit në Kaçanik.

Analisti, Arben Qirezi ka thënë se rreth 300 qytetarë të Republikës së Kosovës kanë marrë pjesë në luftën në Siri.

“Tetë deri në dhjetë persona nga Mitrovica kanë shkuar në Siri për të marrë pjesë në luftë, ndërsa prej vendeve tjera ka pasur edhe më shumë. Rreth 300 persona me familje të tyre kanë shkuar në Siri, një pjesë e tyre janë kthyer, disa e kanë vuajtur dënimin me burg, disa janë lënë në liri. Shteti ka bërë përpjekje që ata t’i ri-integroj në shoqëri”, ka thënë Qirezi.

Ndërsa për mënyrën se si të parandalojmë përhapjen e ideologjive ekstremiste, aktivisti i shoqërisë civile, Mehmet Salihu u shpreh se duhet të ketë në vazhdimësi sesione informuese për të rinjtë mbi këtë çështje.

“Të gjithë ne si përfaqësues të lagjeve, përfaqësues të rinisë, ne do të kishim mundur të kemi ndikim direkt tek komunat tona. Për shembull tek Drejtoria e Arsimit, në korrikulat arsimore gjithsesi të lëshohet ndonjë lëndë për tolerancën ndërfetare, bashkëpunimin ndëretnik, ekstremizmin si term. Mund të ketë edhe sesione informuese, gjeneratat e reja të jenë të informuara”, ka thënë Salihu.

Qirezi ka vlerësuar se ngritja e vetëdijes tek rinia do të ishte një mënyrë për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në gjeneratat e ardhshme, e kjo me ndihmën e institucioneve shtetërore.

Ndërsa, sipas prijësit të Kishës Katolike, Don Beni, Policia e Kosovës do të duhej të kishte paga më të larta në mënyrë që të merrej me grupet ekstremiste.

Derisa ai vlerësoi se rrethi familjar dhe shoqëror “duhet t’i izolojë” personat që kanë sjellje ekstreme dhe sipas tij, në këtë formë ata do të vetëdijësohen dhe do të ndërrojnë sjellje.

“Atyre personave duhet t’i themi, shiko ti shok, ty të kam dashamir por tash e pas në shtëpinë time nuk mund të vish kështu, t’i izolojmë në këtë formë. Nuk jam duke thënë me rreh as vëllaun, tezakun ose dajën, por m’i thënë në shtëpinë time kështu nuk mundesh”, ka theksuar ai.

Mbajtja e trajnimit mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, në Mitrovicë, më 22.05.2025

Alberina Hajzeri, pedagoge në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë ka ndarë një situatë me të cilën është përballur me nxënësit.

“Të rinjtë në masë të madhe për të kryer ritualin e të premtës ose të xhumasë lëshojnë mësimin. Ka ndodhur kur kam zënë nxënës duke lëshuar mësimin, i kam futur në zyre, më kanë thënë se janë duke bërë një obligim ndaj Zotit”, ka thënë Hajzeri.

Hajzeri ka potencuar se koncepti i familjes në shoqërinë tonë ka humbur.

“Koncepti i familjes dhe idesë se si të mbahet një familje ka humbur tek ne. Nëse e thërret prindin e fëmijës që ka lëshuar mësimin dhe në prezencë të fëmijës thotë që ‘ti s’ki nevojë me ndalë në orën e shtatë se do të shkoj në xhuma’, çfarë do t’i thuash pastaj një 15-16 vjeçari”, ka vijuar pedagogia.

Lidhur me këtë çështje, analisti Qirezi ka kërkuar nga hoxhallarët të flasin me fëmijët e t’u thonë të mos shkojnë në xhuma, por në shkollë.

Të gjithë pjesëmarrësit ishin në dakordësi që të punojnë në vazhdimësi drejt parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Një trajnim me këtë tematikë në Mitrovicë, “EDU Task” e ka mbajtur edhe me datë 06.03.2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat