Fëmijët shqiptarë sfida të frikshme në TikTok, kush ha më shumë patatina djegës: Një 14-vjeçar vdiq në SHBA

Ndryshe

Fëmijët shqiptarë sfida të frikshme në TikTok, kush ha më shumë patatina djegës: Një 14-vjeçar vdiq në SHBA

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 23:26
Ilustrim

Një sfidë po qarkullon frikshëm në TikTok, ku fëmijët vihen në garë me njëri-tjetrin se kush konsumon më shumë patatina të rrezikshme.

Një sfidë e tillë i mori jetën 1 muaj më parë një 14-vjeçar në SHBA, ndërsa në Shqipëri, të miturit po garojnë se kush ha më shumë patatina Takis që mund të blihen lehtësisht pranë shkollave.

Harris Wolobah nuk mundi të mbijetojë pas konsumimit të tepërt të patatinave pikante Paqui gjatë një sfide me miqtë e tij, ndërsa sfidat më të reja po bëhen me patatinën Takis tashmë edhe në Shqipëri.

“Kjo është patatina për të cilën po flasim. Nuk tregtohet në të gjithë dyqanet e kryeqytetit, por është lehtësisht e gjindshme. Ky është paketimi i vogël, gjysma është bosh dhe kushton 225 lekë të reja, ndërsa paketimet më të mëdha kanë një çmim skandaloz, tepër të lartë.”

Ky produkt përmban acid, sheqerna, ngjyrues, natrium apo ekstrakt tepër djegës, duke u bërë sipas ekspertëve të huaj armiku numër një i stomakut.

Në raste se konsumohet shpesh, rreziku rritet, deri në kancer e diabet. Megjithatë një produkt i tillë shitet në markete pranë shkollave dhe mund të blihet lehtësisht edhe nga të miturit.

Report TV bisedoi me disa prindër të cilët shprehën shqetësimet e tyre.

“Kam dëgjuar për patatinat Takis sepse po bëhen shumë virale, por fatmirësisht fëmijët e mi nuk i konsumojnë”

“Jo asnjëherë, jo nuk e konsumon mbesa, patatina të tjera shumë rrallë”

“Thamë t’ia evitojmë këto patatinat dhe t’i japim vetëm gjëra të shëndetshme”

“Nuk i blejmë fare patatina”, thonë prindërit.

Paketimi i vogël i kësaj patatine kushton 225 lekë, apo 2.20 euro ndërsa paketimet më të mëdha kanë çmime më të larta deri në 650 lekë, apo 6 euro, çka bën që prindërit të mos ua blejnë shpesh fëmijëve.

Megjithatë, ata e gjejnë zgjidhjen duke blerë patatina më të lira, gjithashtu pikante e të dëmshme për shëndetin.

Sociologia Marsida Simo këshillon prindërit që të jenë më të përgjegjshëm me fëmijët e tyre.

“E mira është që prindërit të mund t’i parandalojnë këto ushqime fëmijëve që në momentet e para kur është i vogël, madje të munden që nxitjet që vijnë nga shoqëria apo interneti, t’i zëvendësojnë me ushqime të shëndetshme”, thotë sociologia.

Mediumi bëri dhe një vëzhgim në rrjetin social Tik Tok, nga ku vërejti se patatina të tilla jo thjesht reklamohen, por të rinjtë nxiten që t’i konsumojnë duke u bërë pjesë e sfidave të ndryshme. Fatkeqësisht ka edhe nga ata të rritur që ia japin fëmijëve me shumë vetëdije për t’i kënaqur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat