Vazhdon zvarritja e punimeve në rrugën kryesore në Veternik - Bota Sot
Vazhdon zvarritja e punimeve në rrugën kryesore në Veternik

Prishtina

Vazhdon zvarritja e punimeve në rrugën kryesore në Veternik

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 10:12
Punimet në Veternik

Rruga kryesore që lidh hyrjet-daljet e kryeqytetit ende po vazhdon të zvarritet. Përveç panoramës së bukur që të jep ajo pjesë tek hynë në Prishtinë, gjendja reale e rrugës së ‘Veternikut’ është bërë mjaft e rrezikshme. Rrëshqitja e dheut dhe prishja e murit mbrojtës, po bën që dy nga katër korsit e premtuara dhe pas rreth dy viteve të inagurimit të punimeve mos të shfrytëzohen.

Qarkullimi i madh i veturave në këtë zonë është mjaft i lartë dhe hapësira mes rrugës dhe rrëshqitjes së dheut, mund të maten me centimetra. Ndërsa, zvarritja e madhe që po ndodhë në këtë rrugë, ka bërë që qytetarëve t’iu humbë durimi  dhe të shohin me skepticizëm gjithë këtë projekt.

Për këto arsye, mjaft problematike këtë rrugë po e sheh, Arianit Loxha nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës. Ai shprehet se vendosja e gabuar e murit mbrojtës ka bërë që rruga atje të rrëshqet vazhdimisht.

Sipas tij, muri mbrojtës i deri tanishëm nuk është vendosur në baza të shëndosha të dheut, dhe siç thotë ai, nëse prapë vendoset në të njëjtën mënyrë dhe themelet nuk vendosen mirë, problemi do të përsëritet.

Loxha: Muri mbrojtës duhet të vendoset në baza të shëndosha të dheut

“Rrëshqitjet e dheut bëhen kryesisht mos përmbajtja e një dokumenti i cili duhet dorëzuar komunës, apo rastin konkret ministrisë i cili nënkupton planifikimin e gërmimit brenda një punishte. Kur të ndërtohet një objekt, apo një infrastrukturë ajo e ka një kufi të përcaktuar. Brenda atij kufiri, dorëzohet një dokument i cili është organizimi i punishtës dhe plani i gërmimit… muri mbrojtës mundet të vendoset, mirëpo varet se çka ka përfundi, nëse muri mbrojtës rrëshqet, atëherë themelet nuk janë vendos deri në soliditetin e mjaftueshëm të dheut, për këtë ai prapë do të rrëshqet. Muri mbrojtës duhet të vendoset në baza të shëndosha të dheut, i cili ka aftësi përthithëse të ngarkesave të cilat vendosen. Mund të jetë problem inxhinjerik, mund të jetë problem procedural…me siguri ka një defekt përderisa ndodhë një gjë e tillë”, thotë ai.

Përkundër se është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, Komuna e Prishtinës, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Adonis Tahiri thotë se ky projekt ka filluar pa lejen e tyre.

Tahiri shprehet se qysh në fillim të këtij projekti gjithçka ka shkuar keq, pasi nuk ka pasur asnjë konsultim me ta. Sipas tij, rrëshqitja e dheut do të ndodhë gjithmonë me murë masiv, mirëpo duhet të përdoren forma tjera.

Tahiri: Ky zgjerim i rrugës është bërë pa lejen e komunës së Prishtinës

“Ne e kemi ngritë këtë shqetësim qysh kur kanë fillu punimet atje, para se me rrëshqitë dheu për herë të parë atje, për shkak se nga qeveria e kaluar qendrore kanë filluar punimet pa projektin të cilin e ka pasur komuna e Prishtinës, pa asnjë konsultim me komunën e Prishtinës dhe pa leje nga komuna. Projekti jonë ka qenë shumë më i mirë, jo me murë masivë siç është tash, për shkak se muri aty nuk mund të qëndroj, por në forma të tjera të mureve të parenderuara të cilat përdoren tash në autostrada në gjithë botën…ne kemi bërë thirrje qysh nga fillimi që të ndërpritet ky projekt dhe të merret ai i komunës së Prishtinës…murë masiv aty nuk mund të vendoset sepse gjithmonë do të shkaktojnë probleme”, deklaron Tahiri.

Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu i ka hedhur fajin qeverisjes së kaluar, duke u shprehur se gjitha këto probleme që po shfaqen në këtë rrugë janë si pasojë e projektit të gabuar që kanë ndërmarrë ata.

Pavarësisht kësaj, Kadriu thotë se zgjidhja ideale, përkundër rrëshqitjes së vazhdueshme është muri mbrojtës. Mirëpo, përveç këtij të fundit, sipas tij, do të vendosen dhe pilota që do të forcojnë murin dhe ai do vendoset në tokë të fortë me themele të forta, që mos të rrëshqet më.

Afati më i afërt i përfundimit të zgjerimit të kësaj rruge, sipas zëvendësministrit, Kadriu është pranvera e vitit të ardhshëm.

Kadriu: Fundi i murit mbrojtës ekzistues nuk është bërë ashtu siç duhet

 “Aty ne kemi planifikuar të vendosim  pilota dhe murin e rinj mbrojtës, të cilën do të filloj në pranverë, jemi në fazën e fundit të ri projektimit të atij segmenti. Ndërsa, pjesa tjetër, ne jemi në procedura gjyqësore me kompaninë që e ka bërë dëmtimin e asaj pjese. Ky problem duhet të zgjidhet, është stërzgjatur, realisht është një fluks i madh i qytetarëve dhe i veturave që hynë në Prishtinë dhe del nga Prishtina...nuk mundesh ndryshe me zgjidhë atë problematik, po flas dhe si ekspert i fushës dhe unë. Nuk mundesh pa e zgjidhë me murin mbrojtës, mirëpo gabimi ka qenë se fundmi i murit ekzistues mbrojtës nuk është bërë aty ku duhet, është bërë në pjesën ku ka qenë mbushje. Rrafshi rrëshqitës e ka bërë të veten, kështu që me depërtimin e ujërave atmosferike ka rrëshqit ai mur, nuk është punuar ashtu siç duhet, dhe projektuar në fillim ashtu siç duhet”, deklaron Kadriu.

Kjo rrugë ka filluar për zgjerim në vitin 2017, nga qeverisja e kaluar dhe është paraparë që të jetë një rrugë me katër korsi në një drejtim, trotuar me ndriçim dhe shtegun për biçikletë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...