LDK akuzon Shpend Ahmetin për dështim në qeverisje

Prishtina

LDK akuzon Shpend Ahmetin për dështim në qeverisje

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 11:12
Konferenca e LDK-së

(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur skandaloze mos shpenzimin e buxhetit komunal në masën e duhur dhe bartjen e 25 milionë euro nga buxheti i komunës së Prishtinës, ndërsa rreziku më i madh që mund t’i ndodhë qeverisjes së Shpend Ahmetit, sipas kësaj partie, është kolapsi financiar si pasojë e proceseve gjyqësore të iniciuara nga qytetarët dhe bizneset për raste të ndryshme.

Asamblisti Shefqet Osmani në një konferencë për media ka reaguar ndaj deklaratave të të parit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, sa i përket shpenzimit të buxhetit, duke thënë se bartja buxhetore për vitin 2019 është 15 milionë euro është e pasaktë.

Osmani: Bartja buxhetore për 2019 është mbi 25 milionë euro

“Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2018, ishte 86 milionë e 387 mijë e 596 euro. Në këtë vlerë janë llogaritur edhe  bartja nga viti 2017, e që është përafërsisht gati 14 milionë euro, mjete të bartura. Në periudhën raportuese, Komuna e Prishtinës për vitin 2018  ka shpenzuar 61 milionë e 333 mijë e 960 euro. Mbetja e buxhetit për bartje, në  vitin 2019 është 25 milionë e 54 mijë euro. Bazuar në pasqyrat raportuese, shkëputur nga raporti financiar buxhetor i Komunës së Prishtinës, vlera e mjeteve të bartura është e saktë, me ç’rast reagimi i djeshëm i kryetarit se bartja është diku afër 15 milionë, është fare jo korrekte, sepse raporti  është i tij dhe është dokument zyrtar. Pra, ne gjithnjë po i referohemi versionit zyrtar të raportimit”, ka thënë Osmani.

Ai ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit për keqqeverisje, duke thënë se buxheti nuk është shfrytëzuar për investime në infrastrukturë shkollore dhe për ndërtimin e kolektorëve, duke ditur se shumë lagje janë të vërshuar nga ujërat e zeza.

Osmani: Dështimet e qeverisjes së kryetarit po vërehen në pasqyrat raportuese

“Nuk janë bërë investime  në infrastrukturën shkollore në kohën kur Prishtinës i mungojnë shtatë objekte shkollore. Nuk janë bërë investime, e në ndërtimin  e institucioneve parashkollore në kohën kur rreth 70 për qind e fëmijëve  të grup-moshave një deri në pesë vjeçar  nuk janë  përfshirë  në edukimin parashkollor. Nuk janë investuar  mjete për ndërtimin e kolektorëve  dhe rrjeteve të kanalizimeve  në kohën  kur  lagje të tëra  janë të vërshuar nga ujërat e zeza, siç janë Mati1 , Kalabri, Fusha e Pajtimit, fshati Llukar, gjysma e Hajvalisë, Prishtina e Re”, ka thënë Osmani.

Dështimi më esencial sipas tij është mos hartimi i hartës zonale për gjashtë vjet dhe vonesa e hartimit të planit të mobilitetit për të cilin sipas tij, është bërë shumë zhurmë.

Osmani po ashtu tha se komuna është e dëmtuar për rreth pesë për qind të mjeteve të inkasuara.

Osmani: Janë 738 lëndë  procese gjyqësore të iniciuara nga qytetarët për komunën

“Rreziku më i madh që mund t’i ndodhë kësaj qeverisje të Shpend Ahmetit, si kolaps financiar janë detyrimet kontingjente, procese gjyqësore të iniciuara nga qytetarët, bizneset, kompani të ndryshme. E që vetëm në vitin 2018 janë 738 lëndë, këto nuk po i shpikim janë në raport. Me një vlerë prej 38 milionë euro. Dukuri shqetësuese  dhe negative që po e përcjell kryetarin Shpend Ahmeti, është edhe numri i të punësuarve. Edhe viti 2018, në pasqyrat financiare janë raportuar 103 kontrate, me kontratë mbi vepër, ose shërbime të veçanta”, ka thënë ai.

Osmani po ashtu tha se i pari i komunës, Shpend Ahmetit nuk i intereson më komuna e Prishtinës, për shkak të obligimeve tjera që ka marrë në kuadër të dialogut me Serbinë.

***

Grupi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, në një konferencë për medie, ka kritikuar qeverisjen komunale, duke thënë se kryetari Shpend Ahmeti nuk është i fokusuar aspak në menaxhimin e komunës.

Duke diskutuar në lidhje me raportin financiar të Komunës së Prishtinës për periudhën janar-dhjetor 2018, asamblisti Shefqet Osmani, tha se qytetarëve të Prishtinës po u mungon qeverisje e mirëfilltë.

"Bazuar në raportin financiar, çështja  më skandaloze është bartja e mjeteve nga vitit 2018. Këtë fakt e mbështesim në buxhetin e vitit 86 milionë euro. Në periudhën raportuese komuna e Prishtinës ka shpenzuar rreth 61 milionë euro. Mbetja e buxhetit për bartje për vitin 2019 është mbi 25 milionë euro. Këto bazohen në raportin. Reagimi ynë është se qytetarëve të Prishtinës po u mungon një qeverisje të mirëfilltë. Prishtinës i mungojnë 7 institucione shkollore, nuk janë investuar mjete në rrjetet e kanalizimeve, nuk janë investuar mjete për furnizim me ujë të pijshëm. Nuk janë shfrytëzuar mjetet e subvencioneve. Pra, rreth 530 mijë euro të kodit të subvencioneve, kjo nuk do koment", tha ai.

Komuna është dëmtuar sipas tij pesë për qind nga mjetet e inkasuar. Rreziku më i madh është nga proceset gjyqësore të iniciuara nga qytetarët e Prishtinës.

"738 lëndë janë vetëm në vitin 2018, dukuri shqetësuese është numri i të punësuarve, mbi 100 persona në kontratë mbi vepër", ka thënë Osmani.

Mes tjerash, ai tha se kryetari nuk është i fokusuar aspak në menaxhimin e komunës.

"Shpend Ahmeti ka kaluar në nivel shumë më të lartë, nuk dëgjon më për komunën", ka thënë Osmani.

***

Konferenca e Grupit të asamblistëve të LDK-së në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat