Studentët e Fakultetit Filozofik hulumtim për 20 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve - Bota Sot
Studentët e Fakultetit Filozofik hulumtim për 20 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve

Prishtina

Studentët e Fakultetit Filozofik hulumtim për 20 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve

Më: 12 prill 2019 Në ora: 12:36
Foto

Në 20 vjetorin e dëbimit të qytetarëve të Kosovës, nga trevat e tyre, studentët e vitit të dytë të Departamentit të Sociologjisë, kanë prezantuar hulumtimin “Kujtesa përballë Harresës - 20 Vjetori i dëbimit nga Kosova 1999 – 2019”. Hulumtim ky, i cili është vazhdim i atij të 10 vjetorit dhe 15 vjetorit të eksodit shqiptarë.

Ardinesa Sylmetaj, studente dhe pjesëmarrëse në këtë hulumtim, ka ndarë disa nga rrëfimet e respondentëve, për përjetimet, që kishin aso kohe.

Sylmetaj:  Dëgjonim që po i dhunojnë femrat e reja në sy të tjerëve

“Dëgjonim se po i masakrojnë, po i dhunojnë në sy të tjerëve, familjarëve femrat e reja. Sidomos femrat e reja që në atë moshë që isha edhe unë. Më së shumti më shqetësonte se këtu isha me vëllezër, me djalin. Thosha çdo moment që kanë me ardh  me na i marr edhe me i vra para syve tonë. Atë e kam pas frikën më të madhe”, ka rrëfyer ajo.

Ndërsa, Fjolla Dumoshi po ashtu studente, thotë se një pjesë e madhe e njerëzve, të cilit gjendeshin në kolonë aso kohe, nuk e kanë ditur as se ku po shkojnë.

Dumoshi: Rrugëtimi ka qenë njëkohësisht pjesa më e vështirë e kohës së luftës

“Ky rrugëtim ka qenë njëkohësisht një prej pjesëve më të vështira të kohës së luftës, për shkak se gjatë këtij rrugëtimi qytetarët kosovarë kanë qenë të ekspozuar ndaj ngjarjeve, ndaj pamjeve të ndryshme dhe të rënda që kanë ndodhur në atë kohë. Rruga është dukur e gjatë dhe e pafund dhe ky rrugëtim simbolizon jo vetëm kalimin në një shtet tjetër, por njëkohësisht edhe kalimin drejt një jete të pasigurt me të ardhme të paditur”, tha ajo.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka inkurajuar te gjithë të rinjtë për aktivitete të tilla, duke thënë se ani pse si përkasin asaj kohe, duket të kujtojnë të kaluarën e Kosovës.

Dugolli: Njëzet vjet më parë këto ambiente kanë qenë në gjendje të jashtëzakonshme

“ Njëzet vjet më parë këto ambiente edhe në përgjithësi Prishtina ka qenë në gjendje të jashtëzakonshme, ku është luftuar për jetesë, mos të flasim për aspekte të tjera, të edukimit të arsimit, u luftua për jetesë, për mbijetesë dhe të them të drejtën ne që kemi qenë përjetues të atyre ngjarjeve thjesht jo që kemi humbur shpresën por kemi qenë me një shpresë të venitur se çfarë do të ndodh dhe a po e humbim krejt këtë vend, këtë të ardhme. Ndërsa, ju si gjeneratë që një pjesë e madhe ndoshta keni lindur edhe në luftë ose si refugjatë, mendoj që përmes këtyre aktiviteteve duhet ta kujtoni se sa e vështirë ka qenë rruga jonë deri te liria dhe sa duhet përpjekje që ky shtet i ndërtuar me mund dhe me vuajtje, sakrifica, duhet që të punohet për ta forcuar dhe zhvilluar”, tha Dugolli.

Ai ka inkurajuar studentët edhe të departamentet të tjera, që të bëjnë hulumtime të tilla, në mënyrë që të mos harrohet e kaluara e Kosovës.

Ndërsa, shefi i departamentit të Sociologjisë, Ardian Gola thotë se punime të tilla janë forma më e mirë e dokumentimit akademik, për këto dy dekada.  

Gola: Këto të dhëna mund të shërbejnë për hulumtuesit e shkencave sociale

“ Ky hulumtim është një formë shumë e mirë e dokumentimit akademik të kësaj periudhe të dy dekadave, e që ky dokumentim akademik, mund të shërbej si databazë e të gjeturave, të dhënave, të cilat mund të shërbejnë dhe në fakt duhet të shërbejnë për hulumtuesit e shkencave sociale, për të parë pastaj edhe ndryshimet shoqërore, kulturore për gjatë kësaj projektore kohore.  Gjithsesi ky hulumtim ndonëse është bërë nga Departamenti i Sociologjisë, ka emër dhe mbiemër, ata janë profesorët Shemsi Krasniqi dhe profesori Artan Krasniqi dhe mbi të gjitha janë studentët të vitit të dytë”, ka thënë ai.

E, Shemsi Krasniqi, i cili është profesor e po ashtu edhe udhëheqës i këtij hulumtimi, thotë se qëllimi i tij është ruajtja dhe arkivimi i kujtesës për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës.

Krasniqi: Ky hulumtim është vazhdim i atij të 10 vjetorit dhe 15 vjetorit

“ Hulumtimi për 20 vjetorin e eksodit të dhunshëm është vazhdim i atij për 10 vjetorin dhe për 15 vjetorin që kanë qenë më herët. Në të tri rastet hulumtimi është bërë në kuadër të lëndës, ky është hulumtimi i tretë për këtë temë, por i dhjeti në kuadër të kësaj lënde. Ideja që të përsëritet hulumtimi ka dalur prej vet rezultatit të hulumtimit. Kur e kemi parë herën e parë se ish-refugjatët kosovarë vazhdojnë t’i mbajnë lidhjet familjare me ish-mikpritësit e tyre, atëherë kemi dashur të dijmë se a do të vazhdoj ky trend dhe tashmë nuk është me u çudit sepse edhe herën e dytë kur e kemi bërë në 15 vjetorin, edhe herën e tretë tash më 20 vjetorin, përsëri është dëshmuar se lidhjet vazhdojnë të mbahen ende’, tha ai.

Për këtë hulumtim, Krasniqi tha se janë intervistuar 220 persona në 22 komuna të Kosovës.  E, përveç këtyre intervistave, ai thotë se janë shfrytëzuar edhe ditarë dhe rrëfime të ndryshme, të personave që kanë përjetuar luftën.

E, në hollin e korridorit të këtij fakulteti, Megzime Ibrahimi nga Fakulteti i Arteve ka sjellur artefakte që i përkasin periudhës së luftës, si fotografi, veshje të nuseve, e piktura të ndryshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...