Vozitësi i biçikletës kërkon më shumë se 12 mijë euro kompensim pasi u goditë nga vetura - Bota Sot
Vozitësi i biçikletës kërkon më shumë se 12 mijë euro kompensim pasi u goditë nga vetura

Prishtina

Vozitësi i biçikletës kërkon më shumë se 12 mijë euro kompensim pasi u goditë nga vetura

Më: 17 maj 2019 Në ora: 23:49
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka përfunduar procedura civile ndërmjet paditësit Rizah Asllani, dhe kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”, për kompensimin e dëmit të shkaktuar në aksident komunikacioni.

Paditësi pretendon se kishte marr lëndime të rënda trupore, kur ishte goditur nga një veturë, në vitin 2013, në Prishtinë.

Fillimisht është dëgjuar eksperti i komunikacionit Visar Bugjuku, i cili ka thënë se aksidenti ka ardhur për shkak të kthimit majtas të automjetit, e jo për shkak të shpejtësisë së madhe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Shpejtësia e automjetit nuk ka qenë e madhe për faktin se pas kontaktit ndërmjet biçiklistit dhe automjetit, biçiklisti vetëm është rrëzuar në tokë”, tha eksperti Bugjuku.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Blerim Syla, pas pranimit të ekspertizës së komunikacionit dhe dëgjimit të ekspertit Visar Bugjuku, e ka rritur kërkesëpadinë, ashtu që si shumë të përgjithshme për kompensimin e dëmit material dhe jo material ka kërkuar shumën prej 12.700 eurove.

Në seancën e së premtes, në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj.

Ai ka thënë se nga provat e administruara në këtë gjykatë është vërtetuar baza e kërkesëpadisë dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si e bazuar.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i të paditurës, Veton Robaj, në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar nga aksidenti në komunikacion, ka ofruar shumën prej 1.500 euro, me arsyetimin se është real dhe i përgjigjet natyrës së lëndimeve.

Gjykatësi i rastit, Lekë Prenaj, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar, ndërsa palët do t’i njoftojë me kohë lidhur me aktgjykimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 26 shkurt 2014, pretendohet se në korrik të viti 2013, në Prishtinë, është shkaktuar aksident komunikacioni, ndërmjet ngasësit të biçikletës, tani paditësit dhe një automjeti.

Bazuar në padi, paditësi si pasojë e këtij aksidenti kishte marrë lëndime të rënda trupore.

Në padi thuhet se deri te aksidenti kishte ardhur me fajin e ngasësit të automjetit, i cili duke mos i respektuar rregullat e  komunikacionit, merr kthim majtas dhe godet ngasësin e biçikletës, tani paditësin.

Sipas padisë, shkaktari i aksidentit kishte poseduar polisë valide të sigurimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që në emër të dëmit material dhe jo material ta kompensojë shumën prej 12,700 euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...