U liruan nga akuza për korrupsion, kërkohet të dënohen zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Prishtina

U liruan nga akuza për korrupsion, kërkohet të dënohen zyrtarët e Komunës së Prishtinës

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 16:22
Komuna e Prishtinës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të cilët ishin liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu, kjo prokurori ka kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg prej dy vjetësh të shqiptuar ndaj të akuzuarit për mashtrim, Naim Dushku

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 shkurt 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre, zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani.

Ndërsa, e kishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit, Naim Dushkun, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej dy vjetësh dhe dënim me gjobë, në shumë prej 3000 euro.

Por, e pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ka qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila përmes ankesës së ushtruar, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, dënimin e të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani.

Kjo pasi që sipas prokurorisë, gjatë shqyrtimit kishte arritur të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për te cilën janë akuzuar.

Prokuroria ka propozuar që aktgjykimi shkallës së parë të ndryshohet sa i përket pjesës liruese dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë, apo çështja të kthehet në rigjykim, derisa kjo prokurori ka kërkuar që ndaj të dënuarit Naim Dushku, të ashpërsohet dënimi, pasi që dënimi shqiptuar nga shkalla e parë është shumë i ulët.

I pakënaqur me vendimin e shkallës së parë ka qenë edhe i dënuari Dushku, i cili përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramiz Krasniqi ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ai ka atakuar vendimin e shkallës së parë mbi të gjitha bazat ligjore, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale, pasi që sipas tij, dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm, kundërthënës dhe në të nuk janë paraqitur arsyet lidhur e faktet vendimtare.

Krasniqi pretendon se me aktgjykimin e shkallës së parë nuk dihet cila është gjendja faktike dhe se me administrimin e provave nuk është vërtetuar gjendja faktike, andaj këto sipas tij, e bëjnë këtë aktgjykim të paligjshëm.

Ai shtoi se lidhur me këtë çështje është duke u zhvilluar procedurë kontestimore, duke shtuar se i mbrojturi i tij, asnjëherë nuk e ka kontestuar pronësinë e vëllait të tij në pronën në fjalë.

“Gabimisht zyrtarët e Kadastrit kanë regjistruar pronën e tij në emër të Naimit”, thotë në ankesën e tij, avokati Krasniqi.E gjatë seancës, Krasniqi deklaroi se ky aktgjykim duhet të prishet, sepse është i paqartë dhe kundërthënës.

“Në aktgjykim thuhet se Naim Dushku e ka regjistru pronën, Naimi nuk e ka regjistru pronën, pronën e kanë regjistru personat që kanë qenë të akuzuar, Naimi e ka bo një kërkesë e ka dorëzu kontratën e babës së tij dhe ka kërku regjistrimin e pronës së lënë nga babai i tij, Naimi nuk  ka thonë që prona e vllaut tij të regjistrohet në emër të tij” deklaroi Krasniqi gjatë seancës.

Ai tha se është bërë një gabim dhe se prona nuk është regjistruar nga i mbrojturi i tij.“Ka ndodh një gabim, është regjistru prona e vllaut të tij në emër tij, por Naimi nuk ka kërku kurrë që ky vendim  i Kadastrit të ekzekutohet, që vllau i tij të del prej shpije”, shtoi Krasniqi.

Ndërsa, i dëmtuari Pajazit Dushku, deklaroi se është i dëmtuar dhe se mbetët pranë deklarimeve të mëparshme.

Ndërkaq, përgjigje në ankesë kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarës Doruntina Peqani, avokati Blerim Destani, i cili ka propozuar që në raport me të mbrojturën e tij, ankesa e prokurorisë të refuzohet si e pabazuar, shkruan Betimipërdrejtësi.

Prokuroria e Apelit, ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të aprovohet si e pabazuar, ndërsa ankesa e mbrojtësit të Naim Dushku të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 shkurt kishte  liruar nga akuza zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, kjo gjykatë të akuzuarin për mashtrim, Naim Dushku, e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe tremijë euro gjobë.

Sipas gjykatëses Krasniqi- Jashanica është vërtetuar pa mëdyshje se Dushku ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Pala e dëmtuar që në këtë rast është vëllai i tanimë të dënuarit Dushku, Pajazit Dushku është udhëzuar në kontest civil.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri Mehmet Dushku, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit Mehmet Dushkut dhe të pandehurit Naim Dushku kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 05 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, Pajazit Dushku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat