Ish-mësimdhënësja kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Prishtinës e kundërshton

Prishtina

Ish-mësimdhënësja kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Prishtinës e kundërshton

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja Magbule Sanaja, po kërkon nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Arsim, kompensimin e pagave pas pensionimit, në shumë prej mbi dymijë eurosh.

Lidhur me këtë rast, në shqyrtimit kryesor është dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjygjëse.

Përfaqësuesi i paditëse, Blendar Shatri, në këtë seancë fillimisht e ka precizuar lartësinë e kërkesëpadisë, dhe atë për tri paga përcjellëse dhe një pagë jubilare ka kërkuar shumën prej 2,078.00 euro, duke shtuar se këtë kompensim e mbështet në Kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar.

Ai në fjalën  e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Shukrie Sekiraqa, në fjalën e saj përfundimtare e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses, me arsyetimin se ky kompensim nuk është paraparë me Ligjin e Punës dhe as Komuna e Prishtinës me rastin e përgatitjes së buxhetit nuk ka paraparë një linjë buxhetore për këtë kompensim.

Gjykatësi i rastit, Dardan Kadolli, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 23 gusht 2019, paditësja Magbule Sanaja, po kërkon nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Arsim, kompensimin e pagave pas pensionimit në vlerë prej 2,078.00 euro.

Në padi thuhet se paditësja kishte qenë e punësuar te e paditura, si mësimdhënëse deri në pensionimin e saj sipas fuqisë ligjore.

Në padi, ajo pretendon se sipas Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar, pas pensionimit i kanë takuar tri paga përcjellëse dhe një pagë jubilare.

Mbi këto rrethana, ajo po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e  bazuar dhe të detyrohet e paditura t’ia kompensojë pagat pas pensionimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat