​Kolonat në Prishtinë shqetësim për qytetarët, ky është plani i komunës për t’i larguar

Prishtina

​Kolonat në Prishtinë shqetësim për qytetarët, ky është plani i komunës për t’i larguar

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

Hyrja e mijëra veturave brenda ditës dhe bllokimi i disa rrugëve të Prishtinës që tani po përdoren si “shesh”, konsiderohet të jenë shkaqet kryesore për krijimin e kolonave të gjata. Derisa qytetarët kanë ankesa lidhur me kolonat, në Komunën e Prishtinës kanë dhënë detaje si mendojnë t’i largojnë ato.

Nga tri testimet që ka bërë komuna gjatë vikendeve në komunikacion, është vërejtur se 130 mijë vetura hyjnë në kryeqytetin e Kosovës, vetëm brenda një dite. Ky numër llogaritet të jetë ende më i madh gjatë pesë ditëve të punës.

Lidhur me kolonat, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se do të duhej të kishte një plan të detajuar se nga ta orientojë rrjedhjen e qarkullimit rrugor në mënyrë që të bëhet zgjidhje edhe automjeteve në qytet.

Krasniqi: Do të duhej të kishte një plan të detajuar se nga ta orientojë rrjedhjen e qarkullimit rrugor

“Unë mendoj që komuna paraprakisht ka bërë një vlerësim se çfarë impakti do të ketë mbyllja e kësaj rruge, në anën tjetër është mirë që është krijuar sheshi për shkak që t’iu mundësohet një shëtitje, një frekuentim më i madh i njerëzve të ecin dhe hapësira të tjera për fëmijë, mirëpo krahas kësaj, do të duhej që të kishte një plan të detajuar se kah ta orientojë rrjedhjen e qarkullimit rrugor në mënyrë që të bëhet zgjidhje edhe automjeteve, të cilat janë në qytet”, vijoi Krasniqi.

Zgjidhja më e mirë, sipas Krasniqit, është se duhet bërë matje në teren për të parë fluksin e automjeteve, se në cilët kohë dhe ditë janë kryesisht këto kolona dhe të ofrohet një zgjidhje se si mund të orientohet trafiku.

Drejtorit të Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave, në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi tha se shkarkimi kryesor i kolonave do të ndodhë kur unaza e qytetit të përmbyllet, unaza e brendshme e qytetit dhe nënkalimet e premtuara.

Xhaferi: Shkarkimi kryesor në kolona do të ndodhë kur ta kemi unazën e qytetit të përmbyllur

“Realisht ne jemi duke intervenuar në shumë pika që kolonat t’i ulim si të tilla, për shembull, kemi intervenuar në rreth-rrotullimin në Lakrishtë, jemi duke punuar në unazën e kryeqytetit, rruga A po ashtu është një investim që shkarkon kolonat, jemi duku punuar në rrugën “ Ekibe Kelmendi“, që po ashtu nuk e ngarkon rrugën kryesore, por kujtoj që shkarkimi kryesor në kolona, do të ndodhë kur ta kemi unazën e qytetit të përmbylltë, unazën e brendshme të përmbylltë, t’i kemi këto nënkalimet të cilat i kemi premtuar. Unë besoj që atëherë kolonat nuk do t’i kemi, duke shtuar edhe pjesën e Trafikut Urban me linja të veçanta brenda hapësirave dhe rregullimin e parkingjeve nëntokësore, të cilat i kemi premtim elektoral“, tha Xhaferi.

Xhaferi shtoi se janë duke punuar në unazën qendër mbi hekurudhë, dhe kur të përmbyllet kjo, sipas tij, 30 përqind e komunikacionit, do të shkarkohet sepse këto rrugë do të jenë njëkahëshe.

Xhaferi: 30% e komunikacionit brenda qytetit shkarkohen me unazë qendër mbi hekurudhë

“Ndërtimi i rrugës A, kyçja e rrugës së Veternikut me rrugën A dhe lidhja e nënkalimit nga Veterniku në drejtim të Kalbarisë, pra ajo e liron komplet pjesën e Prishtinës së Re. Kur ti hyn në Veternik dhe lidhesh direkt në rrugën A, nuk ke nevojë me shku tek rrethi i flamurit, ajo ta mundëson që komplet zhvendosjen e komunikacionit një pjesë të madhe të saj ta kalojmë nga Prishtina e Re. Pastaj vimë tek unaza qendër mbi hekurudhë, ne jemi duke punuar edhe sivjet, do ta përmbyllim fazën e parë të saj, faza e dytë është lidhja me rreth-rrotullimin e Lakrishtës, kur kjo të përmbyllet, unë kujtoj që 30% e komunikacionit brenda qytetit të shkarkohet sepse këto rrugë do të jenë pastaj njëkahore“, shtoi Xhaferi.

Për këtë problem ka folur edhe qytetari Halim Aliu, i cili ka thënë se kryetarë më të lodhët kurrë nuk ka pasur në Komunën e Prishtinës.

Kurse, Havzi Ajeti tha se kolonat janë të papërballueshme sepse njeriu më shumë humb kohë me veturë se sa në këmbë.

Ajeti: Njeriu më shumë humb kohë në veturë se në këmbë

“Mendimi im për kolonat, është i papërballueshëm, sepse njeriu më shumë humb kohë në veturë se në këmbë, kështu që mundohemi me i përfunduar krejt punët brenda ditës në këmbë, veç kur ka shi dhe është diçka urgjente me veturë”, vijoi Ajeti.

Për momentin unaza e jashtme e qytetit i kushton Prishtinës 350 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat