Haradinaj thotë se Qeveria është e fokusuar në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë - Bota Sot
Haradinaj thotë se Qeveria është e fokusuar në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë

Prishtina

Haradinaj thotë se Qeveria është e fokusuar në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 15:50
Ramush Haradinaj, mori pjesë në përmbylljen e fushatës humanitare “Dardani je vesh me Diell”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përmbylljen e fushatës humanitare “Dardani je vesh me Diell”, në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, QKUK, misioni i të cilës, në formën e Fondacionit është të ndihmojë fëmijët në nevojë, duke përfshirë jo vetëm kategorinë e fëmijëve të sëmurë, me qëllim përmirësimin e kushteve në mjedisin social ku ata jetojnë, kurohen dhe trajtohen, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Haradinaj falënderoi të gjithë ata që janë marrë me këtë fushatë, duke thënë se është një aksion i mirë humanitar, i cili ka mundësuar që pajisje të nevojshme dhe të duhura t’i dorëzohen Klinikës së Pediatrisë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që qasja ndaj pacientëve, fëmijëve, ndaj atyre që kemi përgjegjësi do të jetë profesionale. Ne e çmojmë dhe e mirëpresim këtë veprim tuajin”, tha Haradinaj, duke njoftuar po ashtu se Qeveria ka rritur buxhetin për shëndetësi për ofro 80 milionë euro, që është e jashtëzakonshme dhe që nuk ka ndodhur në të kaluarën.

Po ashtu, Haradinaj tha se Qeveria është e fokusuar seriozisht në përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë.

“Më vjen mirë që klinika që sot i gëzon këto pajisje na nxitë neve në rrugën dhe përpjekjet tona më tutje, për t’i ofruar shërbime shëndetësore pacientëve dhe për t’i siguruar të gjithë qytetarët e vendit tonë se të gjitha shërbimet shëndetësore do t’i marrin në vendin e tyre”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se kjo iniciativë u jep më shumë kurajë edhe atyre që jemi të veshur me petkun institucional.

“Ky është një projekt që ka peshë reale, është aparaturë, që u nevojitet profesionistëve tanë shëndetësore, që të bëjnë një diagnostifikim më të mirë”, tha Ismajli, duke thënë se ky donacion ngrit shërbimin shëndetësor në Kosovë.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha se, ky aktivitet është i qëlluar, duke llogaritur se është një ndihmesë mjaftë e madhe për një kategori, siç janë fëmijët. Duke shtuar se edhe ata, të cilët kanë kontribuar në këtë donacion, duke përmirësuar shëndetin e fëmijëve, u janë shumë mirënjohës, por gjithashtu edhe Qeverisë, që ka si prioritet shëndetësinë.

Ambasadorja e fushatës humanitare “Dardani je vesh me diell”, Anita Haradinaj tha se e gëzon fakti që kjo fushatë është përmbyllur me sukses, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë dhënë mbështetje kësaj fushate.

“Ndryshimet nisin nga vetja. Secili mund të bëjë diçka të mirë dhe të veçantë, mjafton vullneti dhe dëshira, atëherë çdo gjë do të ketë sukses”, tha Haradinaj.

Në përmbyllje të kësaj fushate, kryeministri Haradinaj vizitoi fëmijët e shtrirë në këtë repart si dhe pa nga afër aparaturat e dhuruara nga ky fondacion.

Si rezultat i kësaj fushate sensibilizuese janë blerë shumë aparatura të rëndësishme që ndihmojnë në trajtimin e fëmijëve të sëmurë. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zyrtarë të shumtë shëndetësorë, si dhe futbollisti shqiptar Lorik Cana. Fushata “Dardani je vesh me Diell” nisi në Kosovë në fundit të vitit 2017 që rezultoi me ngritjen e fondit prej 60 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...