Vrau babain e tij me thikë në Prizren, gjykata merr vendim ndaj djalit

Prizreni

Vrau babain e tij me thikë në Prizren, gjykata merr vendim ndaj djalit

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 12:23
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit M.H., për shkak të dyshimit të bazuar ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).

Gjyqtari i  procedurës paraprake– Xheladin Osmani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit  i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 25.12.2020 deri me datën 24.01.2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

Gjithashtu në seancën dëgjimore prokurori i shteti ka propozuar që ndaj të pandehurit M.H., të bëhet ekzaminimi psikiatrik. Andaj Gjykata duke vepruar sipas propozimit të prokurorit ka lëshuar URDHËRESË – për ekzaminim psikiatrik, që duhet të kryhet brenda afatit prej dy (2) javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit  M.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore  për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri M.H., me datë 25.12.2020, rreth orës 13:50 minuta, në Prizren, afër shtëpisë së të ndjerit, e privon nga jeta anëtarin e familjes – babain e tij F.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake i pandehuri merr një thikë në kuzhinë, mjet ky i përshtashëm dhe i rrezikshëm për rrezikimin e jetës dhe shëndetit, del në rrugë para shtëpisë së tij dhe në momentin që e vëren babain e tij që zbret nga kamioni, i pandehuri fillon ta godas disa herë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe në qafë në arterien ku si pasojë, i dëmtuari F.H., ndërron jetë në vendin e ngjarjes, e me këtë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat