​Komuna e Prizrenit nuk përfill vendimin e OShP-së, shpall fituese të tenderit kompaninë e njëjtë

Prizreni

​Komuna e Prizrenit nuk përfill vendimin e OShP-së, shpall fituese të tenderit kompaninë e njëjtë

Më: 10 prill 2021 Në ora: 23:07
Foto ilustrim

Edhe pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për anulimin dhe kthimin e kontratës në rivlerësim, Komuna e Prizrenit e ka shpallur fituese të tenderit për “intervenim në infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eliminimin e deponive ilegale” konsorciumin e kompanive “EuroVia” SH.P.K., “SEDTOURS” SH.P.K. dhe “ISA Petrol” SH.P.K.

Shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, i cili po ashtu, ka të ngritur aktakuzë për moszbatim të vendimit të OSHP-së nga Departamenti i Krimeve të Rënda për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka shkelur Ligjin e Prokurimit në tenderin me titull “Intervenimi në Infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eleminimi i deponive ilegale në Komunën e Prizrenit” me vlerë të parashikuar 1,500,000.00 euro

Zyra e Prokurimit në Komunën e Prizrenit ka shpallur fitues firmën e cila është gjykuar e papërgjegjshme në shumë aspekte nga Gjykata e Tenderëve – OSHP, e cila ka aprovuar ankesën e dy operatorëve ekonomikë të cilët ishin ankuar.

Organi Shqyrtues i Prokurimit më 12 mars ka vendosur për anulimin e vendimit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit dhe kthimin e rastit në rivlerësim duke e obliguar Zyrën e Prokurimit që gjatë rivlerësimit t’i përmbahet ligjit, pasi që herën e parë ka shpallur fitues kompani të papërgjegjshme e cila nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e AK-së dhe ka pasur çmime manipulative.

“ANULOHET, njoftimi për dhënie të kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Intervenimi në Infrastrukturë për rastet e fatkeqësive natyrore dhe eliminimi i deponive ilegale në komunën e Prizrenit” me nr. të prok: 622-20-4624-2-1-1, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – “KK-Prizren”, dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Në ankesën e kompanisë ankuese, “Trasing Group”, thuhet se kompania e shpallur fituese nuk kishte prezantuar certifikatën e auditorit të licencuar “sipas auditimit të pasqyrave financiare për vitet 2017 dhe 2018”.

Pretendimi i kompanisë ankuese është konfirmuar nga ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Paneli Shqyrtues sqaron se përmes kërkesës dhe dëshmisë dokumentare ka kërkuar nga OE-të që të prezantojnë: ‘Pasqyra e auditimit për tri vitet e fundit si dhe licenca e auditorit valide i cili ka krye auditimin e OE’. Paneli Shqyrtues sqaron se auditori i cili ka bërë auditimin nuk ka prezantuar në ofertë licencën e të njëjtit. Andaj, pretendimi i OE ankues është i bazuar”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Po ashtu, eksperti i OSHP-së ka vlerësuar se kur Komuna ka zgjedhur si kriter “çmimin më të ulet të peshuar”, është dashur të përjashtojë rregullat për çmime jo normalisht te ulëta, “pasi që qëllimi i poentimit është eliminimi i çmimeve jo reale dhe nxjerrja e ofertës më të lirë”.

Megjthatë, komisioni vlerësues në kuadër të komunës së Prizrenit, më datë 7 prill 2021, përsëri e ka shpallur fitues kompaninë e njëjtë e cila është e papërgjegjshme me vendim të OSHP-së të datës 12.03.2021.

“Paneli shqyrtues sqaron se tani e një kohe nuk jemi marrë me çmime kur autoriteti kontraktues vendos çmimet me poentim, por kjo po keqpërdoret nga Operatorët, ku kemi rastin konkret që OE i rekomanduar për kontratë ka vendosur çmime shume te ulëta dhe manipulative dhe kurrsesi asnjë operator ekonomik me këtë çmim nuk e realizon këtë pozicion, Paneli shqyrtues konstaton se këto pretendime të operatorëve ankues janë të bazuara”, sqarohet në vendimin e OSHP-së.

OE i cili është shpallur fitues nga zyra e Prokurimit në Prizren ka çmime në disa raste ekstremisht të ultë si për shembull 1 kubik Beton 10 cent, 1 kubik zhavorr me çmim 30 cent, 1m2 asfalt me çmim 10 cent, 1 m2 kubëza betoni 10 cent etj.

Po ashtu, ekzistojnë edhe shumë disproporcione në çmime, që janë konstatuar nga paneli shqyrtues, siç është furnizimi me zhavorr, ku operatori i shpallur fitues e ka paraparë ta furnizojë Komunën me zhavorr, së bashku me transport, me çmim komplet prej vetëm 8 eurosh për kamion; ndërsa largimin e mbeturinave e ka paraparë me një çmim shumëfish më të shtrenjtë – rreth 200 euro për kamion.

Kompania që kryeson konsorciumin e shpallur fitues nga Komuna e Prizrenit, në fillimin e këtij viti ka fituar një tjetër kontratë publike nga Komuna e Prizrenit, e cila po ashtu ishte përcjell me ankesa në OSHP.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat