Pas procedurave të shumta dhe marrjes së lejes nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, punimet për ndërtimin e objektit të bibliotekës pritet të fillojnë javën e ardhshme.
Kështu ka bërë të ditur drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren, Adem Morina.
"Është një projekt trevjeçar, i cili do të fillojë javën e ardhshme në këtë objekt. Mendojmë që ta përfundojmë para afatit trevjeçar, deri në fund të vitit 2026, të përfundojmë të gjitha punimet, të kalojë biblioteka si institucion në këtë vend, dhe të fillohet me punë ashtu siç e meriton biblioteka e qytetit", ka thënë ai.
Në fakt, biblioteka e qytetit është përshtatur në një lokacion tjetër dhe është funksionale, por qytetit të dytë më të madh në Kosovë, siç është Prizreni, i duhet një bibliotekë me kushte më të mira, jo vetëm për të marrë dhe kthyer libra.
"Nëse flasim për bibliotekat aktuale, forma e marrjes dhe e kthimit të librit është vetëm njëra nga variantet e punës së saj. Janë edhe shumë, shumë organizime dhe aktivitete të tjera që mund t’i ofrojë biblioteka, dhe huazimi ngelet vetëm një segment i punës së saj", ka thënë Sahadete Sadikaj, drejtoresha e bibliotekës.
Pavarësisht përparësive të këtij objekti të përkohshëm, drejtori Morina ka theksuar se një objekt i veçantë për këtë institucion ka qenë i nevojshëm.
"Uroj që ky monument që është edhe monument arkitekturor dhe objekti i ri që është duke u bërë të finalizohet, ndërsa qyteti i Prizrenit përfundimisht të ketë një bibliotekë me standarde bashkëkohore, ku çdo lexues apo studiues të gjejë vend për të marrë dije", ka thënë Shafi Gashi, arkeolog.
Projekti, i cili parasheh vazhdimin dhe përfundimin e punimeve, do të kushtojë 1.5 milion euro, ndërsa sipas drejtorit Morina, punimet pritet të përfundojnë deri në vitin 2026.