Dodë Gjergji, ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, është zgjedhur kryetar i konferencës ndërkombëtare “Shën Çirili dhe Metodi”, që përfshin dioqezat e Evropës Juglindore, përkatësisht të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Kjo në mbledhjen plenare të 43-të të Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare “Shën Çirili dhe Metodi” (KIÇM), e cila u mbajt më 27–28 janar 2026, në ambientet e Qendrës Pastorale “Papa Gjoni i Mirë” në Beograd.
Bëhet e ditur se ipeshkvinjtë në këtë mbledhje plenare reflektuan për disa pika të përbashkëta, siç janë: vazhdimësia e ecjes sinodale në dioqezat e tyre, i cili, në përputhje me moton “Bashkësi, pjesëmarrje, mision”, e cila synon ta vë kishën te detyra e saj parësore, që është shpallja e Ungjillit në botën bashkëkohore.
“Ky theks nënvizon dimensionin misionar dhe sinodal të Kishës, e cila, përmes ecjes së përbashkët, pjesëmarrjes së të gjithë besimtarëve dhe misionit, u përgjigjet sfidave të kohës sonë. Pika e dytë ishte shqyrtimi i dispozitave plotësuese që Konferenca Ipeshkvnore duhet të miratojë në përputhje me normat e përgjithshme të Kodit të së Drejtës Kanonike”, thuhet në njoftimin e Ipeshkvisë së Kosovës.
Në këtë mbledhje, vëmendje e veçantë u tha se iu kushtua përgatitjes së vizitës Ad limina Apostolorum, vizitë e ipeshkvinjve të KIÇM-së te Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV dhe Selia e Shenjtë, e cila do të zhvillohet nga 14 deri më 19 dhjetor 2026.