Nuk 'vuani' nga miti i tmerrshëm i matematikës, ka diçka tjetër që ju pengon

Shëndetësia

Nuk 'vuani' nga miti i tmerrshëm i matematikës, ka diçka tjetër që ju pengon

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 20:31
Ilustrim

Nuk jeni i destinuar për të qenë keq në matematikë. Ju thjesht duhet të merreni me 'mathefobinë'.

A jeni një prind që keni frikë të ndihmoni në detyrat e shtëpisë të matematikës? Në një restorant, a e urreni  llogaritjen e një fature? Nëse po, patjetër që nuk jeni vetëm. Kërkimet kanë treguar se në SHBA, 93% e të rriturve thonë se kanë një nivel ankthi në matematikë. Dhe nuk janë vetëm të rriturit: rreth 31% e 15 dhe 16-vjeçarëve thonë se bëhen shumë nervozë duke bërë problema matematikore, 33% thonë se tensionohen duke bërë detyrat e shtëpisë në matematikë dhe gati 60% thonë se shqetësohen se mesimet e matematikës do të jenë më të vështira. Sian Beilock, një shkencëtare dhe presidente e Kolegjit Barnard në New York, thotë se ideja që ju jeni natyrshëm i mirë ose i keq në matematikë, vazhdon në vendet perëndimore.

"Ju nuk i dëgjoni njerëzit të shprehen se nuk janë persona leximi apo shkrimi, por dëgjoni shpesh njerëz që shprehen se nuk kanë prirje në matematikë" ,- thotë ajo. Shumë prej jush, që mund të keni frikë nga matematika, ose keni krijuar idenë në kokën tuaj që jeni keq në matematikë, nuk e merrni as mundimin më të vogël për t'i përmirësuar disi gjërat.

Pra, çfarë është ankthi i matematikës dhe nga vjen ai?

Termi ‘Mathephobia’ u shpik nga matematicientja Mary de Lellis Gough, në vitin 1953, e cila pasi vëzhgoi studentët e saj që luftonin me matematikën, e përshkoi atë si një "sëmundje që rezulton fatale para se të zbulohet prania e saj". Ekspertë të tjerë e kanë përcaktuar atë si "paniku, pafuqia, paralizimi dhe çorganizimi mendor që lind tek disa njerëz kur u kërkohet të zgjidhin një problem matematikor dhe një frikë e përgjithshme e kontaktit me matematikën". Beilock dhe kolegët e saj kanë treguar se ankthi në matematikë mund të fillojë sapo nis hapat e para të arsimimit.

Përvojat e këqija në matematikë mund të lindin nga të pasurit mësues shumë autoritarë dhe të egër dhe kjo lidhet me ankthin e matematikës.

Dhe kur njerëzit kanë ankth në matematikë, ata priren ta shmangin këtë lëndë, tregon hulumtimi i vitit 2019. Shmangia e matematikës në shkollë mund të funksionojë për ata që zgjedhin të specializohen në lëndë të tjera. Por shoqëria humbet nëse shumë njerëz, përfshirë disa që në të vërtetë mund të jenë të mirë në matematikë, shmangin marrjen e kurseve universitare që lidhen me matematikën. Ekspertët po shikojnë për masat që mund të merren për të trajtuar ankthin në matematikë.

Adresimi i çështjes mund të fillojë në shtëpi. Prindërit mund t'i kalojnë ankthet e tyre kur i ndihmojnë fëmijët me detyra shtëpie në matematikë. Rregullisht duhet të organizojnë lojëra matematikore dhe kjo do t'i ndihmojë fëmijët të paraqiten më mirë në shkollë.
 
Sigurisht, gjithmonë do të ketë njerëz që do të duan të shmangin matematikën me çdo kusht. Por ata njerëz mund të përfitojnë më shumë nga trajtimi i ankthit të shkaktuar nga numrat, sipas Beilock. "Matematika është pjesë e jetës së përditshme," thotë ajo. "Nëse nuk i ndihmojmë ata që janë të shqetësuar në matematikë të trajtojnë aktivitetet që përfshijnë matematikën, do të jetë e vështirë të shohësh se si njerëzit mund të jetojnë në përputhje me potencialin e tyre."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat