Flini herët, jetoni shëndetshëm

Shëndetësia

Flini herët, jetoni shëndetshëm

Më: 30 janar 2021 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Të ngrihemi herët apo të flemë deri vonë? Një zgjedhje që ka të bëjë me shëndetin. Një studim ka treguar se ata që rrinë zgjuar natën janë më të prirur për të vuajtur nga sëmundje kardiovaskulare dhe diabet të tipit 2. Ja masat që duhen marrë për të përmirësuar gjumin.

Ka nga ata që në mëngjes kërcejnë nga shtrati gati për të jetuar plot me energji ditën e tyre dhe ka të tjerë që kanë marrëdhënie jo të mirë me zgjimin, mbase ngaqë në mbrëmje e kanë zakon të flenë vonë. Tik-taku që shënon kohën nuk është vetëm ai i orës, por edhe (veçanërisht) ai i orës biologjike brenda nesh që kontrollon shëndetin, funksionimin e trupit, kohën për proceset thelbësore fiziologjike dhe ndihmon organizmin për të mbajtur nën kontroll peshën.

Është ritmi 24-orësh që është i shkruar në ADN-në tonë dhe tregon kur duhet të flemë, të hamë, të bëjmë aktivitet fizik, duke na klasifikuar nëse jemi njerëz që zgjohemi herët apo nga ata që flemë natën vonë.

Dita duket që në mëngjes

Pavarësisht ritmit tuaj biologjik, ju leverdis ta zbatoni fjalë për fjalë thënien “dita e mirë duket që në mëngjes”. Një botim i fundit, i udhëzuar nga Nestlé Research, në bashkëpunim me docentët akademikë nga universitetet më prestigjioze, rezultatet e të cilëve u raportuan në revistën shkencore “Advances in Nutrition”, ka treguar se personat që flenë vonë kanë një rrezik më të lartë për të vuajtur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe diabet të tipit 2, krahasuar me personat që zgjohen herët, pasi kanë tendencë të ushqehen më pak shëndetshëm.

Ora biologjike

Ora biologjike është e sinkronizuar me sistemet metabolike për t’i bërë të efektshme dhe funksionale që të zgjohemi në mëngjes dhe për të pushuar natën. Nëse i kthejmë përmbys aktivitetet tona, krijojmë fenomenin e “chronodisruption” (çrregullimi kronik i ritmit cirkadian) që lidhet drejtpërdrejt me shqetësime të metabolizmit, obezitet dhe sëmundje kardiovaskulare.

Problemet e pagjumësisë

Një studim ka zbuluar se njerëzit që flenë shumë vonë, kanë tendencë të ndjekin një regjim ushqimor më pak të shëndetshëm, konsumojnë sasi më të madhe të pijeve energjetike, me sheqer dhe kafeinë. Në këtë mënyrë marrin një sasi më të madhe të energjisë nga yndyrnat. Jo vetëm, ata ndjekin vazhdimisht skema ushqimore më të parregullta, për shembull duke evituar mëngjesin dhe duke ngrënë më vonë përgjatë ditës.

Hiqni dorë nga zakonet e këqija

Sipas rregullit të duhur ushqimor, duhet të hamë më shumë në mëngjes, pak në drekë dhe shumë pak në darkë. Fatkeqësisht, ekziston tendenca për të bërë krejtësisht të kundërtën dhe darka, në mbyllje të ditës së punës shndërrohet kështu në vaktin kryesor. Studime të shumta kanë treguar se nëse e kthejmë përmbys ritmin ditor, kemi tendencë të vuajmë nga shqetësime metabolike dhe obezitet. Nata është për të fjetur, jo për të punuar, për të ngrënë, për të mbajtur dritat ndezur; të gjitha këto veprime që çrregullojnë ritmin biologjik.

Ora biologjike qendrore e vendosur në hipotalam, e cila rregullon të gjitha orët e organizmit, është e lidhur drejtpërdrejt me retinën dhe është në gjendje të kuptojë nëse e kemi dritën ndezur apo jo. Në bazë të kësaj, stimulohet prodhimi i melatoninës hormoni që shkakton gjumin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat