Debati: A ekziston apo jo Planeti i Nëntë?

Shkencë & Teknologji

Debati: A ekziston apo jo Planeti i Nëntë?

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 16:18
Foto ilustruese

Planet i Nëntë ka vdekur; rroftë Planeti i Nëntë? Për disa vite, shkencëtarët kanë debatuar mbi ekzistencën e një planeti të padukshëm,që është të paktën 5 herë më  i madh se sa Toka, dhe që ndodhen në pjesën e jashtme të Sistemit Diellor.

Tani, kjo hipotezë ka marrë një goditje nga një analizë e re e objekteve të largëta e të akullta, që vë në dyshim provat se ato janë nën tërheqjen gravitacionale të një planeti të madh. Gjetjet nuk përjashtojnë mundësinë e një planeti të nëntë që rrotullohet rreth Diellit.

Astronomët thonë se do të nevojiten më shumë të dhëna për t’i dhënë fund këtij debati.

Prania e Planetit të Nëntë u propozua në vitin 2016, kur astronomët Majk Braun dhe Konstantin Batigin të Institutit Kalifornian të Teknologjisë, vunë re se orbitat e 6 objekteve trans-Neptuniane (TNO) – pjesë e rripit Kiper, një koleksion i vogël trupash qiellorë që rrotullohen rreth Diellit përtej Neptunit – dukej që ishin grumbulluar bashkë.

Ky grumbullim, thanë ata, duhej të ndodhte për shkak të ndikimit gravitacional të një planeti të madh që fshihej diku në Sistemin e jashtëm Diellor. Ai duhej të ndodhet të paktën 400 herë më larg Diellit se sa Toka, ose rreth 10 herë më larg se Plutoni.

Nëse vërtetohet se ekziston, bota e largët do të ishte një zbulim i madh. Dhe një gjigant përtej Neptunit do të klasifikohej padyshim si një planet. Por jo të gjithë astronomët janë të bindur për këtë. Vëzhgime të tjera kanë hedhur dyshime nëse orbitat e objekteve trans-Nenptuniane ishin në fakt të grumbulluara pranë njëra-tjetrën, apo nëse thjesht dukej kështu.

Dhe kjo pasi studiuesit kishin kryer vëzhgime të hollësishme vetëm në drejtime të caktuara.

Një ekip i drejtuar nga Kevin Nepier, fizikant në Universitetin e Miçiganit, e ka çuar më tej këtë analizë. Duke kombinuar 3 vëzhgimet për të ekzaminuar orbitat e 14 objekteve trans-Neptuniane që rrotullohen përtej Neptunit.

Studiuesit zbuluan se orbitat e këtyre objekteve, mund të shpjegoheshin edhe pa praninë e një planeti afër. Pas llogaritjes të imtësishme, të dhënat sugjerojnë që këto objekte janë të shpërndarë në mënyrë uniforme nëpër qiell. Për të parë nëse objektet ishin vërtet të grumbulluara pranë njëri-tjetrit apo jo, ekipi i Nepier ndërtoi një model kompjuterik duke simuluar 10 miliardë objekte të shpërndara në mënyrë të barabartë në Sistemin Diellor të jashtëm, dhe pastaj llogariti shanset që vëzhgimi i një grupi të vogël të tyre të prodhonte rezultate që përputhen me vëzhgimet ekzistuese.

Ekipi arriti në përfundimin se nuk ka asnjë arsye për të menduar se objekte të tilla nuk janë shpërndarë në mënyrë uniforme, dhe se ka të ngjarë që objektet e vëzhguara të duken të grumbulluara, vetëm për shkak të paragjykimit të përzgjedhjes gjatë llogaritjeve.

“Kjo nuk do të thotë që Planeti i Nëntë nuk gjendet atje, por nuk është e nevojshme që të shpjegohen të dhënat. Ju duhet t’i përshtatni këto të dhëna me objektet qiellore që ndodhen realisht atje”- thotë Napier.

Ndërkohë, Braun nuk bie dakord më të. “Unë përdora të gjitha të dhënat e tyre mbi studimin tonë të vjetër, dhe arrita në përfundimin se aty ka një grumbullim të pazakontë. Nëfakt ka prova shumë të forta për Planetin e Nëntë” – thotë ai.

Gjithashtu Braun argumenton se studiuesit që e kundërshtojnë teorinë e tyre “po bëjnë një përzierje të teorive”, në një kohë që analiza e tyre merr parasysh objektet orbitat e të cilave mund të preken nga afërsia e tyre me Neptunin.Nepier thekson se ekipi i tij nuk përfshiu në analizën e tij 6 objektet origjinale të Braun dhe Batigin, për shkak se nuk ka të dhëna të mjaftueshme mbi vëzhgimet e bëra në fillim të këtij shekulli. “Ne duhet të dimë kur dhe ku ishte drejtuar teleskopi, dhe sa i largët ishte një objekt që ta zbulonte ai- thotë ai. Samanta Louler, astronome në Universitetin Mbretëror në Kanada, që ka punuar në Studimin e Origjinës së Sistemit të Jashtëm Diellor, bie dakord me përfundimet e ekipit, duke argumentuar se nuk ka nevojë për një Planet të Nëntë, kur shpjegimi më i thjeshtë është ai i paragjykimeve në përzgjedhjen e të dhënave.

“Nuk ka asnjë provë për ndonjë grumbullimi të orbitave të këtyre TNO-ve të largëta. Ato janë të shpërndara në mënyrë uniforme. Nuk mund të them që Planeti i Nëntë ka vdekur, por mund të them se nuk ka prova për të”-thotë Louler. / “Nature” – Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat