Qelizat njerëzore të rritura në embrione majmunësh nxisin debat etik

Shkencë & Teknologji

Qelizat njerëzore të rritura në embrione majmunësh nxisin debat etik

Më: 16 prill 2021 Në ora: 15:39
Qelizat njerëzore të rritura në embrione

Embrione majmunësh që ngërthejnë qeliza njerëzore janë zhvilluar në një laborator, ka konfirmuar të premten një studim.

Studimi, i ndërmarrë nga një ekip amerikano-kinez, ka nxitur debat të ashpër për etikën e eksperimenteve të tilla. Gjithçka ka nisur kur shkencëtarët kanë injektuar qelizat njerëzore – ato që kanë aftësi të zhvillohen në inde të ndryshme trupore – përbrenda embrioneve të majmunëve makaka.

Embrionet e zhvilluara janë studiuar për më shumë se 20 ditë. Në të shkuarën janë prodhuar edhe të tjera embrione të specieve të përziera, me ç’rast qelizat njerëzore janë vendosur tek embrionet e deleve dhe derrave.

Ekipi i shkencëtarëve të studimit të fundit është prirë nga profesori Juan Carlos Izpisua Belmonte nga Instituti Salk në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili në vitin 2017 kishte ndihmuar në zhvillimin e të parit hibrid njeri-derr. Punimi i ekipit mund të hapë rrugën për adresimin e mungesës së theksuar të organeve të transplantueshme, si dhe të ndihmojë në zbërthimin e zhvillimit më të hershëm njerëzor, avancimit të sëmundjeve si dhe mplakjes, ka thënë Belmonte.

“Qasjet e tilla mund të jenë përnjëmend shumë të dobishme në avancimin e kërkimeve biomjekësore, jo vetëm nga faza krejt e hershme e jetës, por edhe nga fundi i saj”, ka theksuar profesori. Ai ka këmbëngulur se studimi, i publikuar në revistën shkencore “Cell”, i ka përmbushur udhëzimet aktuale etike dhe ligjore.

“Në fund të fundit, ne i kryejmë këto studime për ta kuptuar dhe përmirësuar shëndetin njerëzor”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, disa shkencëtarë kanë ngritur shqetësime lidhur me eksperimentin, duke pretenduar se derisa embrionet në këtë rast janë shkatërruar në 20 ditë, të tjerët mund të tentojnë ta çojnë punën një hap tutje. Kësisoj, ata kanë bërë thirrje për debat publik lidhur me implikimet e krijimit të qenieve gjysmë njeri e gjysmë jonjeri.

Duke e komentuar studimin, Anna Smajdor, ligjëruese dhe studiuese e etikës biomjekësore në shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Norwichit në Angli, ka thënë se një gjë e tillë “përbën sfida të theksueshme etike dhe ligjore”.

“Shkencëtarët që qëndrojnë prapa këtij studimi pretendojnë se këto embrione ofrojnë mundësi të reja, ngase jemi në gjendje t’i ndërmarrim llojet e caktuara të eksperimenteve te njerëzit. Por, nëse këto embrione janë njerëzore apo jo, kjo mbetet një çështje e hapur”, ka shtuar ajo.

Profesori Julian Savulescu, drejtor në Qendrën e Uehiro të Oxfordit për Etikë Praktike dhe zëvendësdrejtoreshë e qendrës “Wellcome” për Etikë dhe Shkenca Humane pranë Universitetit të Oxfordit, ka theksuar se kërkimi “e hap kutinë e Pandorës”.

“Këto embrione janë shkatërruar në ditën e 20-të të zhvillimit, por është vetëm çështje kohe kur krijesat njeri-jonjeri do të zhvillohen suksesshëm, mbase si burim i sigurimit të organeve njerëzore. Ky është njëri prej synimeve afatgjate të këtij studimi”, ka shtuar ai.

Sarah Norcross, drejtoreshë e “Progress Educational Trust”, ka potencuar se derisa “avancimet substanciale” janë duke u bërë në rrafshin e kërkimeve në embrione dhe qeliza, të cilat mund të gjenerojnë përfitime thelbësore, “ekziston një nevojë e qartë për diskutim publik dhe debat rreth sfidave etike dhe rregullatore që këto studime i ngrenë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat