Gjykata Kushtetuese, Bushati dhe Haxhiu 'përplasin' argumentet pro dhe kundër

Shqipëria

Gjykata Kushtetuese, Bushati dhe Haxhiu 'përplasin' argumentet pro dhe kundër

Më: 5 janar 2021 Në ora: 21:17
Andi Bushati dhe Baton Haxhiu

Gazetari Andi Bushati shprehu rezerva lidhur me procedurën e ndjekur në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke thënë se janë shkelur rregullat që ishin përcaktuar ndërsa kritikoi dhe sjelljen e ndërkombëtarëve.

“Asnjë nuk është zgjedhur sipas parimeve. Vetëm Marsida Xhaferllari u zgjodh me garë mes tre vetave gjithë të tjerët janë zgjedhur pa garë”, tha ai.

Sipas tij plotësimi me 7 anëtarë nuk do të thotë se Gjykata Kushtetuese është plotësisht funksionale pasi çdo vendim do të duhet të votohet nga të paktën 5 gjyqtarë.

Z. Bushati shtoi se vakumi i krijuar me mungesën e kësaj gjykata i ka interesuar pushtetit, duke sjell si argument faktin se qeverisë “Berisha” i ka rrëzuar 40 ligje, kurse qeverisë “Rama” 12 ligje.

Kurse “entuziazmin” e ndërkombëtarëve dhe kryesisht të Ambasadës Amerikane, z. Bushati e ‘rrëzoi’ duke rikujtuar: Shembulli flagrant është se atë që hodhi poshtë Komisioni i Venecias, Ambasada Amerikane e duartrokiti.

Ndaj shtoi z. Bushati “ambasada amerikane i jep prioritet shpejtësisë dhe jo cilësisë”.

Kurse gazetari Baton Haxhiu tha se plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është një sukses dhe vlerësoi pastrimin e sistemit të drejtësisë nga procesi i vetingut.

“Përmes vetingut është eliminuar korrupsioni dhe kjo tregon sa i domosdoshëm ishte ky proces”, tha ai.

Ndërsa duke iu përgjigjur z. Bushati se gjyqtarët e rinj nuk kanë shumë eksperiencë, z. Haxhiu u shpreh: “Jam më shumë për gjyqtar që kanë më pak eksperiencë dhe janë të pastër”.

“Një njeri që vjedh është shumë i rrezikshëm. Në gjykatë ka dhe këshilltar, më mirë integritet moral se sa eksperiencë”, tha z. Haxhiu.

Ndërsa si për t’ia rrëzuar dhe këtë argument, z. Bushati solli në kujtesë “vetingun” e Sali Berishës në vitin 1992.

“Pastrimi nuk sjell medoemos sukses, pastrim ka bërë edhe Berisha në 1992 ku largoi gjyqtarët dhe prokurorët dhe i zëvendësoi me ata të plepave dhe të gjithë e dinë çfarë dështimi solli. Një njeri që nuk di bën po aq dëm sa ai që vjedh”, përfundoi z. Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat