Shembet rruga e re e “Salillarit”/ Çorovodë-Përmet, KLSH zbuloi shkeljen e projektit që në 2019

Shqipëria

Shembet rruga e re e “Salillarit”/ Çorovodë-Përmet, KLSH zbuloi shkeljen e projektit që në 2019

Më: 15 janar 2021 Në ora: 15:12
Shembet rruga e re e “Salillarit”

Reshjet e fundit kanë zbuluar në shumë rrugë cilësinë e dobët me të cilën janë ndërtuar akset rrugore në vend. Një ndër segmentet që ka pësuar dëmtime të rënda është edhe ai Çorovodë – Përmet.

Prilli i 2017-ës do të shënonte fillimin e punimeve për lotin e parë të kësaj rruge, një aks që do të ndërtohej nga kompania “Salillari”.

Një segment me gjatësi rreth 5 kilometra dhe me një vlerë investimi prej 1.2 miliardë lekë apo rreth 10 milionë euro, i cili do të përfundonte në qershor të vitit 2019, para afatit të parashikuar.

I trumbetuar asokohe si një aks me standarde të larta e që do t’i shërbente banorëve duke lidhur këto dy zona me potenciale për zhvillimin e turizmit, sot ato ndeshen me këtë situatë.

Kompania Salillari ka tentuar të mbulojë çarjen e parë duke stukuar krisjen e asfaltit, por shembja e ka nxjerrë zbuluar.

Standarde që janë vënë në dyshim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të kryer në vitin 2019 mbi dosjen teknike të zbatimit të kontratës, ku konstatonte se mbushjet e larta të rrugës nuk ishin realizuar në sistemin qelizor dhe ishin pa masa mbrojtëse, siç ishin parashikuar në projektin fillestar.

“Megjithëse janë bërë rishikime dhe përmirësime të projektit dhe është përdorur fondi rezervë dhe është realizuar shtesë kontrate në vlerë, qëllimi kryesor i projektit për të realizuar Lotin 1 të Segmentit Skrapar- Përmet, me të gjitha karakteristikat e kërkuara në projektin fillestar nuk është përmbushur plotësisht, ku mungon shtresa asfaltike, sinjalistika dhe punime të tjera të parashikuara”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Por, pas përfundimit të lotit të parë Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk u dhanë më detaje lidhur me pjesën e mbetur të rrugës prej 15 kilometra, që sipas studimit fillestar të kryer në vitin 2015 përllogariste një kosto prej 4 miliardë lekësh për këtë segment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat